PDK flet për shtet e Kushtetutë – ndryshim kursi apo taktikë para zgjedhjes së Presidentit?
Tashmë do të bëhen një javë që nga formimi i Qeverisë Kurti 3 dhe puna e kësaj qeverie ka filluar që të nesërmen.
Që para krijimit të qeverisë, e pastaj edhe me mbështetjen e rezolutës për UÇK-në, është parë një afrim në mes Partisë Demokratike të Kosovës me partinë në pushtet.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, para votimit të Qeverisë Kurti 3, ka theksuar se PDK dhe qytetarët presin nga ekzekutivi i ri përgjegjësi të plotë në respektimin e Kushtetutës.
Ai deklaroi se Kosova ka kaluar situata të rrezikshme gjatë viteve të fundit, duke kujtuar se Kuvendi ka miratuar ligje që më pas janë rrëzuar si antikushtetuese. “PDK do të jetë në Kuvend si gardiane e Kushtetutës”, u shpreh Hamza.
Hamza po ashtu theksoi domosdoshmërinë e një konsensusi të gjerë politik për çështje madhore, përfshirë zgjedhjen e presidentit dhe marrëveshjet ndërkombëtare. “Përkrahjen tonë për gjetjen e konsensusit mos e shihni si shenjë dobësie. Si partia më e madhe opozitare, do të japim kontributin tonë për marrëveshje në të mirë të Kosovës”, deklaroi ai.
Në fund, ai e cilësoi nisjen e kësaj legjislature si një nder dhe përgjegjësi të madhe, në një kohë kur qytetarët presin stabilitet, zhvillim ekonomik dhe institucione me integritet. Sipas Hamzës, deputetët e PDK-së do të angazhohen për politika të përgjegjshme ekonomike, mbështetje të sektorit privat, rritje të mirëqenies sociale dhe forcim të diplomacisë, me theks të veçantë në rikthimin e besimit me aleatët ndërkombëtarë.
Duke parë fjalimin e Hamzës para formimit të Qeverisë, votë të përbashkët për rezolutën e UÇK-së, vijnë edhe spekulimet se PDK mund ta përkrahë kandidatin e mazhorancës për president nëse procesi zhvillohet në përputhje me kushtetutën.
Fjalimi i Hamzës ‘fallcitet’?
Analisti Blerim Burjani, konsideron se PDK do ta ketë të vështirë edhe për një kohë të gjatë të bashkëpunojë me VV-në.
ImageBlerim Burjani
Sipas tij, PDK nuk do të mbështesë asnjë iniciativë që vjen nga VV.
“Bëhet fjalë për një qëndrim të përgjithshëm, formal dhe parimor. PDK do ta ketë të vështirë edhe për një kohë të gjatë të bashkëpunojë me VV-në. Arsyet janë të qarta: sipas vlerësimit të PDK-së, ky subjekt është përfshirë në aktivitete të shumta korruptive, gjë që e bën të pamundur ndërtimin e besimit politik dhe institucional. PDK nuk do të mbështesë asnjë iniciativë që vjen nga VV. Situata aktuale nuk lë hapësirë për optimizëm sa i përket zgjedhjes së presidentit të propozuar nga VV. Gjendja mund të bëhet edhe dramatike, duke pasur parasysh mungesën e interesimit të VV-së për bashkëpunim me subjektet e tjera politike. Në anën tjetër, as LDK nuk ka arsye të japë vota pa një marrëveshje të qartë dhe përmbajtjesore”, deklaron Burjani.
Sipas tij, nuk ka asnjë ndryshim në raportet politike në të ardhmen e afërt mes VV-së dhe PDK-së.
“Mbështetja për liderët e UÇK-së paraqet thjesht një qëndrim simbolik dhe dëshirë për të ofruar vota në atë drejtim. Kjo nuk nënkupton ndonjë ndryshim në raportet politike në të ardhmen e afërt. VV nuk e konsideron PDK-në si partner të mundshëm për bashkëqeverisje, në asnjë variant”, shprehet analisti.
Mospërputhja e fjalimit të Hamzës me traditën opozitare të PDK-së
Ndërsa, politologu Adnan Qaka, thotë se deklarimi i PDK-së se do të mbështesë çdo iniciativë shtetërore që është në interes të përgjithshëm dhe zotimi i saj, përfaqëson një qasje në në parim përputhet me standardet e një opozite të përgjegjshme.
Sipas tij, deklarimet e Hamzës paraqesi një kulturë të lartë politike, por mbetet të shihet nëse kjo qasje do të reflektohet në praktikën konkrete parlamentare.
“Fjalimi i Kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, para formimit të Qeverisë Kurti III, përmbante elemente që në thelb mund të vlerësohen si konstruktive në kuadër të funksionimit të një demokracie parlamentare. Deklarimi se PDK-ja do të jetë “gardiane e Kushtetutës”, se do të mbështesë çdo iniciativë shtetërore që është në interes të përgjithshëm dhe zotimi për të kontribuar përmes politikave të përgjegjshme ekonomike, mbështetjes së sektorit privat, rritjes së mirëqenies sociale dhe forcimit të demokracisë – me theks të veçantë në rikthimin e besimit me aleatët ndërkombëtarë – përfaqëson një qasje që, në parim, përputhet me standardet e një opozite të përgjegjshme. Në një rend demokratik, opozita nuk ka rol bllokues, por mbikëqyrës, kritik dhe alternativ programor. Në këtë kuptim, deklarimet e z. Hamza paraqesin një kulturë të lartë politike dhe sinjalizojnë gatishmëri për konkurrencë institucionale e jo për pengim institucional. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse kjo qasje do të reflektohet në praktikën konkrete parlamentare, duke pasur parasysh historikun e përplasjeve të ashpra ndërmjet PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, si dhe gjuhën e polarizuar që shpesh ka dominuar skenën politike”, deklaron Qaka.
ImageAdnan Qaka
Ai konsideron se profili i Hamzës si figurë me potencial unifikues, jo domosdoshmërish është në përputhje të plotë me traditën e ashpër opozitare të PDK-së.
“Në planin e brendshëm, z. Hamza paraqitet si figurë unifikuese, intelektual dhe profesionist i dëshmuar, me profil të moderuar dhe qasje më të balancuar krahasuar me diskursin tradicional të partisë që udhëheq. Sfida e tij do të jetë ruajtja e kësaj qasjeje në një ambient politik të tensionuar, ku presioni për retorikë të ashpër është i vazhdueshëm. Megjithatë, në demokraci gara politike është legjitime, por ajo nuk duhet të degjenerojë në bllokim të funksionalitetit të shtetit. Edhe lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, si gjatë fushatës ashtu edhe pas saj, ka reflektuar tone më të moderuara krahasuar me periudha të mëhershme. Ndonëse kam rezerva për disa prej qëndrimeve të tij politike, fakti që diskursi i tij publik ka qenë më i kulturuar dhe institucional duhet vlerësuar. Në veçanti, z. Hamza ka dëshmuar maturi edhe kur është përballur me akuza politike, duke konsoliduar profilin e tij si figurë me potencial unifikues, edhe pse jo domosdoshmërish në përputhje të plotë me traditën e ashpër opozitare të PDK-së”, thekson politologu.
Qaka çështjen e zgjedhjes së presidentit e sheh si test të rëndësishëm për pjekurinë demokratike të vendit.
Sipas tij, ky post historikisht ka qenë objekt kalkulimesh politike.
“Çështja e zgjedhjes së Presidentit paraqet një test të rëndësishëm për pjekurinë demokratike të vendit. Opozita ndodhet në një situatë delikate: nëse dështon zgjedhja e Presidentit dhe vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme, rreziku i humbjeve të reja elektorale është real. Procesi i zgjedhjes së Presidentit në Kosovë historikisht ka qenë objekt kalkulimesh politike. Nuk përjashtohet mundësia që PDK-ja të bëjë llogaritje strategjike – qoftë duke votuar kandidatin e mazhorancës, qoftë duke mbështetur një emër tjetër – por kjo mbetet për t’u parë në zhvillimet konkrete. Sa i përket figurave potenciale për këtë post, si Vjosa Osmani ashtu edhe Ramush Haradinaj, në vlerësimin tim politik, janë figura të konsumuara dhe thellësisht të kontestuara. Qëndrimi im është i qartë dhe i drejtpërdrejtë: procesi i demarkacionit të kufirit me Malin e Zi ka prodhuar pasoja të dëmshme për Kosovën. Ka ekzistuar një numër i konsiderueshëm ekspertësh vendorë, ish-zyrtarësh institucionalë dhe dokumentesh argumentuese që kanë pretenduar se me marrëveshjen e ratifikuar Kosova ka humbur territor”.
“ Pavarësisht këtyre kundërshtimeve dhe dyshimeve serioze mbi saktësinë e vijës kufitare, mbështetja që këta dy liderë i dhanë ratifikimit të marrëveshjes përbën, në këndvështrimin tim politik, një akt me pasoja të rënda kombëtare. Unë e konsideroj se mbrojtja e integritetit territorial është obligim themelor kushtetues dhe shtetëror. Për rrjedhojë, përkrahja e një marrëveshjeje që, sipas shumë dëshmive dhe argumenteve publike, rezultoi në humbje territoriale për Kosovën, përbën cenim të interesit kombëtar dhe shkelje të frymës kushtetuese që garanton sovranitetin dhe territorialitetin e Republikës. Në planin tim vlerësues politik, kjo përfaqëson tradhti kombëtare në kuptimin moral dhe politik të fjalës, sepse prek thelbin e shtetësisë: territorin. Për këto arsye, nuk i konsideroj asnjërin prej tyre figura unifikuese për postin e Presidentit, i cili kërkon jo vetëm legjitimitet formal përmes votave në Kuvend, por edhe kredibilitet të pakontestueshëm në mbrojtje të interesit kombëtar. Nga pikëpamja kushtetuese, neni 86 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës përcakton qartë procedurën e zgjedhjes së Presidentit: votimi është i fshehtë; në dy raundet e para kërkohet shumica prej dy të tretave (2/3) e të gjithë deputetëve; në raundin e tretë mjafton shumica absolute, përkatësisht 61 vota. Nëse as në raundin e tretë nuk sigurohet shumica e nevojshme, Kuvendi shpërndahet dhe shpallen zgjedhje të reja brenda 45 ditëve. Kandidati duhet të jetë shtetas i Republikës së Kosovës, të ketë mbushur 35 vjeç dhe të sigurojë të paktën 30 nënshkrime të deputetëve”, shton politologu.
Votimi i përbashkët i rezolutës, sipas Qakës, nuk është domosdoshmërish parapërgatitje për bashkëpunim të thellë politik.
Sipas tij, mund të ketë afrime taktike ose kalkulime politike të momentit, por kanë dallime thelbësore programore.
“Sa i përket votimit të përbashkët të rezolutës për UÇK-në, kjo nuk duhet interpretuar si sinjal për ripozicionim strategjik mes PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Qëndrimi i LVV-së ndaj Gjykatës Speciale ka qenë i qartë që nga fillimi, dhe votimi i rezolutës përbën vazhdimësi të këtij qëndrimi, jo domosdoshmërish parapërgatitje për bashkëpunim të thellë politik. Nuk shoh indicie për një bashkëpunim të thellë e afatgjatë ndërmjet PDK-së dhe mazhorancës aktuale. Mund të ketë afrime taktike në çështje të interesit nacional ose kalkulime politike të momentit, por historia e përplasjeve dhe dallimet thelbësore programore mbeten pengesë serioze. Megjithatë, përtej rivalitetit, mbrojtja e funksionalitetit institucional dhe e interesit shtetëror duhet të mbetet prioritet i përbashkët në një demokraci që ende ka nevojë për konsolidim dhe fuqizim të mëtejshëm”, përfundon Qaka.
