OPINIONTË FUNDIT

Kimete Berisha: “Më të mirët u vranë, më të këqinjtë festuan”

Publicistja Kimete Berisha ka publikuar në rrjetin social Facebook një poemë politike me tone kritike për zhvillimet pasluftës në Kosovë. Më poshtë e gjeni tekstin e plotë të autores:

Të pasurit u pasuruan…
Të varfërit u varfëruan…
(Poemë politike)

Unë s’di të shkruaj urime.

As ngushëllime.

Sepse s’jam e sigurt

nëse vdekja është bekim,

apo jeta – dënim.

Prandaj po këndoj:

Të gjithë e dinë – lufta ka mbaruar.

Më të mirët u vranë,

më të këqinjtë festuan.

Të pasurit u pasuruan,

të varfërit u varfëruan.

Të gjithë e dinë:

dikush u pasurua me paratë e luftës

“Vendlindja thërret”.

Dikush me paqen e rrejshme –

“Tre përqind”, jetë –

që ia mblidhte shpirtin popullit.

Të gjithë e dinë:

ata që luftuan u vranë,

ata që mbijetuan – u larguan.

Disa u tretën,

disa u fshehën,

disa i shpërndanë gjymtyrët nëpër atdhe,

shumica u harruan.

Të gjithë e dinë:

ata që folën për tradhtinë –

tradhtuan.

Ata që folën për lirinë –

përvetësuan.

Ata që kënduan atdheun –

ia vodhën dheun.

Heroi e bleu për pesë pare

tokën e larë me gjak.

E dimë.

Në ato toka ka çelur thana.

E ne mbetëm –

të mbijetuar.

Të gjithë e dinë:

në emër të luftës u bënë heronj të gjallë,

në emër të luftës u bënë politikanë,

me emrin hero – ndërtuan pallate,

edhe mbledhën vota nga të vdekurit nëpër varre,

dhe kur erdhi gjykimi –

thanë:

s’kemi qenë këtu.

S’kemi luftuar.

Prindërit na mësonin dashurinë kombëtare.

Kosovë,

nëna ime.

Shkolla na e mësoi të njëjtën këngë.

Do të vdesim. Besën e kemi dhënë.

Na mësuan flamurin,

por jo vetveten.

Na mësuan sakrificën,

por jo lumturinë.

Na mësuan të duam popullin –

jo njeriun.

Kur u çliruam – u ndamë.

Na ndau Liria.

Kur u ndamë – u urryem me njëri-tjetrin.

Jemi aq larg,

kaq moti s’jemi parë,

sa i kemi harruar emrat.

Askush s’ka më nevojë për askënd.

Mjafton liria.

Liria si fabrikë për prodhimin e robërisë së re.

Liria është sot:

një copë bukë pa brumë.

Të gjithë e dinë:

liria u bë gruaja e heroit.

E gruas ky vend i lirë

nuk ia jep trashëgiminë.

Dhe gruaja e lirë

mbeti e vetmuar.

Të gjithë e dinë:

askush s’flet më për ideale.

Flitet për çmime,

për pazare.

Ushqimi

u bë më i shtrenjtë se liria.

Të gjithë e dinë:

më të pasherrët u arrestuan,

fëmijët e spiunëve – ata i vajtuan.

Të jesh i ndershëm

nuk u pagua.

Të gjithë e dinë

se unë isha besnike.

Isha. Vërtet.

Veç aty-këtu ndonjë fjalë e gabuar.

Të gjithë e dimë se ne nuk duhemi më.

Por askush s’e di

se na ndau dashuria.

P.S.

Frymëzuar nga Leonard Cohen.

AUTOKRITIKË:

Hiqu tyre.

Shkruaj poezi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *