18 vjet shtet / Nga siguria e garantuar te Ushtria për NATO, a është Kosova gati për Aleancën?
Që kur shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008, Kosova ka bërë një rrugë të gjatë dhe jo pak herë të trazuar drejt konsolidimit të shtetësisë dhe sigurimit të stabilitetit të brendshëm.
Nën ndikimin e tranzicionit nga një administrim ndërkombëtar drejt institucioneve të vetëqeverisura, vendi është përballur me sfida të shumta — nga ndërtimi i kapaciteteve të sigurisë e deri te menaxhimi i tensioneve etnike dhe ndikimet gjeopolitike në rajon.
Gjatë këtyre 18 viteve, siguria në Kosovë ka pësuar transformime rrënjësore: Nga forcat e para të rendit e deri te një ushtri profesionale në ngritje, institucionet kanë ndryshuar funksionet, strukturat dhe misionet për t’iu përgjigjur sfidave që ndryshojnë me kohën.
Debati për sigurinë nuk është vetëm një çështje statistikash; ai prek realitete të përditshme — nga perceptimi i qytetarëve për stabilitetin, te aftësia e shtetit për të menaxhuar krimin e organizuar, deri te reagimi ndaj kërcënimeve hibridë, sulmeve kibernetike apo ndikimeve gjeopolitike në Ballkan. Në një kohë kur mjedisi i sigurisë globale është bërë më kompleks, roli i Kosovës në arkitekturën e sigurisë evropiane dhe euroatlantike është bërë objekt i vëmendjes së partnerëve strategjikë.
Në fokus të këtij raportimi janë dy pyetje kyçe: Si ka evoluar arkitektura e sigurisë së Kosovës që nga viti 2008 dhe A i plotëson institucionet e sigurisë standardet dhe kërkesat për anëtarësim në NATO?
E për ketë temë, në përvjetorit e 18 të Kosovës, folën ekspertët e sigurisë, të cilët folën mbi zhvillimin dhe sfidat që ka pasur siguria gjatë këtyre viteve.
Shala: Kosova po kalon nga modeli i sigurisë së garantuar te modeli i sigurisë së ndërtuar
Fillimisht, për këtë çështje për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Drizan Shala, i cili u shpreh se sot, Kosova po kalon nga modeli i sigurisë së garantuar te modeli i sigurisë së ndërtuar.
“Tetëmbëdhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova nuk është më vendi i vitit 2008 që mbështetej pothuajse plotësisht te prania ndërkombëtare për sigurinë e saj.
ImageDrizan ShalaFoto galeri
Sot, realiteti është dukshëm më i pjekur: Kosova po kalon nga modeli i sigurisë së garantuar te modeli i sigurisë së ndërtuar. Ky tranzicion është thelbësor për ta kuptuar se ku ndodhet vendi sot dhe sa i përgatitur është për integrim euro-atlantik”.
Përveç kësaj, Shala përmendi edhe fazën e parë të shtetndërtimit të sigurisë, derisa përmendi rolin e NATO-s përmes KFOR-it.
Në këtë pikë, ai përmendi edhe faktin se, Policia jonë u shndërrua në një nga institucionet më profesionale në vend
“Faza e parë e shtetndërtimit të sigurisë ishte ajo e themelimit të institucioneve bazë. Në vitet e para pas pavarësisë, prioritet absolut ishte ndërtimi i strukturave që një shtet normal duhet t’i ketë:
a. polici funksionale,
b. shërbim inteligjence dhe.
c. mekanizma për menaxhimin e krizave.
Në këtë periudhë, roli i NATO përmes KFOR ishte jetik, sepse krijoi hapësirën e sigurt që institucionet vendore të konsolidoheshin pa kërcënim të drejtpërdrejtë ushtarak
Paralelisht, Policia e Kosovës u shndërrua në një nga institucionet më profesionale dhe më të besueshme në rajon, ndërsa Agjencia e Kosovës për Inteligjencë nisi ndërtimin e kapaciteteve të zbulimit dhe kundërzbulimit. Kjo fazë ishte themeli:
1.krijimi i institucioneve që garantojnë rendin, ligjin dhe
2.stabilitetin e brendshëm”.
Më tej, eksperti shtjelloi edhe dy fazat tjera të transformimit, ku përfshinë transfromimin e FSK në ushtri, si dhe më pas fazën në të cilën tani ndodhet Kosova, e që është ajo e modernizimit dhe partneriteteve strategjike.
“Faza e dytë ishte transformimi i komponentës ushtarake. Vendimi për transformimin e Forca e Sigurisë së Kosovës në një forcë me mandat mbrojtës ishte momenti më i rëndësishëm strategjik në historinë e sigurisë së vendit. Ky proces shënoi kalimin nga një forcë e fokusuar në emergjenca civile në një strukturë që ndërton kapacitete reale mbrojtëse, në përputhje me standardet perëndimore. Ky ishte një hap që e zhvendosi Kosovën nga faza e stabilizimit në fazën e konsolidimit të sovranitetit.
Faza e tretë, ku ndodhet sot Kosova, është ajo e modernizimit dhe partneriteteve strategjike. Bashkëpunimi i thelluar me aleatët, sidomos me SHBA-në dhe vendet e NATO-s, investimet në pajisje moderne, trajnimet e përbashkëta dhe rritja e ndërveprueshmërisë e kanë vendosur Kosovën në një trajektore të qartë euro-atlantike. Bashkëpunimi ushtarak me Shqipëria dhe Kroacia po krijon një bosht të ri sigurie në rajon dhe po e integron gradualisht Kosovën në arkitekturën e mbrojtjes perëndimore”.
Kurse, sa i përket kërcënimeve, rreziqeve të ndryshme me të cilat është ballafaquar Kosova ndër vite, vlerëson se kjo e fundit në këtë pjesë, ka bërë progress të madh.
Ndërsa, sa i përket NATO, vlerëson se Kosova nuk është ende në strukturat formale të aleancës, e kjo për shkak të faktorëve politikë ndërkombëtarë.
“Sot, kërcënimet ndaj Kosovës nuk janë më kryesisht konvencionale ushtarake. Rreziku është zhvendosur drejt operacioneve hibride, dezinformimit, presionit politik dhe destabilizimit të nxitur në veri. Kjo do të thotë se siguria nuk matet më vetëm me tanke dhe ushtarë, por me reziliencë institucionale, koordinim ndërinstitucional dhe partneritet strategjik ndërkombëtar. Në këtë aspekt, Kosova ka bërë progres të dukshëm dhe është më e përgatitur se kurrë për të përballuar sfidat e reja të sigurisë.
Sa i përket standardeve të NATO-s, Kosova nuk është ende në strukturat formale të aleancës për shkak të faktorëve politikë ndërkombëtarë, por në aspektin praktik po i afrohet gjithnjë e më shumë këtij standardi. Profesionalizmi në rritje i forcave të sigurisë, orientimi i qartë strategjik perëndimor dhe konsensusi shoqëror për integrim euro-atlantik janë elementë që e vendosin Kosovën në rrugën e duhur drejt NATO-s”.
Ndër të tjera, Shala potencoi se, “në përmbledhje, pas 18 vitesh shtetësi, Kosova është më e sigurt, më e qëndrueshme dhe më e integruar me Perëndimin se kurrë më parë. Rruga nuk është e përfunduar, por drejtimi është i qartë: nga siguria e garantuar, drejt sigurisë së ndërtuar dhe integrimit të plotë euro-atlantik”
Dashevci: Kosova ka forcuar sigurinë përmes integrimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar
Ndërsa, eksperti tjetër i sigurisë, Arben Dashevci vlerëson se të arriturat e Kosovës gjatë këtyre 18 viteve janë të dukshme dhe në përputhje me konsolidimin e shtetit.
Ai theksoi se, shteti ynë ka arritur të ndërtojë kapacitete konkrete të sigurisë dhe mbrojtjes, këtu përmendi edhe transformimin e FSK-së.
ImageArben DashevciFoto galeri
“Tetëmbëdhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova mund të vlerësohet në mënyrë analitike përmes prizmit të shkollave kryesore të studimeve të sigurisë realizmit, liberalizmit institucional, konstruktivizmit dhe konceptit të sigurisë njerëzore. Të arriturat e saj në këto vite janë në përputhje të dukshme me këto qasje teorike dhe dëshmojnë për një konsolidim gradual, por substancial, të shtetit.
Nga këndvështrimi realist, ku fokusi është tek mbijetesa, sovraniteti dhe fuqia shtetërore, Kosova ka ndërtuar kapacitete konkrete të sigurisë dhe mbrojtjes. Transformimi i Forca e Sigurisë së Kosovës në forcë me mandat mbrojtës përfaqëson një hap strategjik drejt konsolidimit të sovranitetit operacional. Investimet në profesionalizim, pajisje dhe rritje të ndërveprueshmërisë me standardet e NATO-s reflektojnë ndërtimin e fuqisë mbrojtëse sipas logjikës klasike të shtetit modern”.
Krahas kësaj, Dashevci në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” u shpreh se, siguria në vend është përforcuar edhe si rrjedhojë e bashkëpunimit të institucioneve të Kosovës me ndërkombëtarët dhe aleatët e saj.
Përveç kësaj, vlerësoi edhe punën e Policisë së Kosovës, ku tha se, ajo është shndërruar në një ndër institucionet më të besueshme në vend.
“Në dimensionin e liberalizmit institucional, Kosova ka forcuar sigurinë përmes integrimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Prania e KFOR-it vazhdon të jetë faktor stabiliteti strategjik, ndërsa bashkëpunimi me BE ka kontribuar në forcimin e sundimit të ligjit dhe institucioneve të drejtësisë. Partneriteti i thelluar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe orientimi euroatlantik e kanë ankoruar Kosovën në arkitekturën e sigurisë kolektive, duke reduktuar rreziqet e izolimit dhe pasigurisë rajonale.
Nga perspektiva konstruktive, arritje thelbësore është ndërtimi i identitetit shtetëror dhe legjitimitetit institucional. Policia e Kosovës është shndërruar në një ndër institucionet më të besueshme në vend, me përfaqësim multietnik dhe kapacitete profesionale në luftimin e krimit të organizuar, terrorizmit dhe kërcënimeve hibride. Zgjedhjet e rregullta, tranzicionet paqësore të pushtetit dhe funksionimi i institucioneve demokratike kanë forcuar normat dhe kulturën politike të shtetit”, shtjelloi Dashevci.
Tutje, eksperti vlerëson se duke parë zhvillimet, siguria e ka vendosur qytetarin në qendër të politikave të saj.
“Në kuadër të sigurisë njerëzore, Kosova ka avancuar në garantimin e lirive themelore, pluralizmit mediatik, fuqizimit të shoqërisë civile dhe në zhvillimin e politikave parandaluese kundër ekstremizmit të dhunshëm. Kjo qasje e vendos qytetarin në qendër të politikave të sigurisë, duke reflektuar evoluimin nga siguria tradicionale drejt një koncepti gjithëpërfshirës të stabilitetit.
Edhe në aspektin socioekonomik, megjithëse sfidat strukturore vazhdojnë, stabiliteti institucional, rritja graduale ekonomike dhe rezilienca ndaj krizave rajonale tregojnë për një shtet që ka ndërtuar bazë funksionale të qëndrueshmërisë afatgjatë. Në teoritë bashkëkohore të sigurisë, zhvillimi ekonomik dhe stabiliteti social konsiderohen elementë kyç të sigurisë kombëtare”.
Në fund, ai shtoi se, të arriturat e Kosovës janë në përputhje me parimet themelore të shkollave të sigurisë, derisa përmendi me radhë ato.
“Prandaj si studiues i sigurisë mund të them se: të arriturat e Kosovës gjatë këtyre 18 viteve janë në përputhje me parimet themelore të shkollave të sigurisë: forcim i kapaciteteve shtetërore dhe mbrojtëse, integrim në struktura kolektive ndërkombëtare, konsolidim i normave demokratike dhe avancim i sigurisë së qytetarëve. Në një rajon me histori të brishtë stabiliteti, ky progres përbën një sukses të rëndësishëm të shtetndërtimit dhe të konsolidimit të sigurisë”, përmbylli Arben Dashevci për “Bota sot”.
