OPINIONTË FUNDIT

18 vjet Pavarësi: Kosova konsolidon shtetësinë dhe forcën e saj – Serbia vazhdon të pengojë normalizimin e marrëdhënieve!

Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008, e sot po bëhen 18 vite që Kosova ka hapur një kapitull të ri në historinë e saj politike.

Që nga ajo kohë, vendi ka ndërtuar institucionet shtetërore, ka forcuar rendin kushtetues dhe ka siguruar njohje nga shumë shtete, duke synuar integrimin në strukturat euroatlantike.

Mirëpo ajo që mbeti çështje e pezulluar mbetët raporti me Serbinë, kjo sepse Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian që nga viti 2011 ka sjellë disa marrëveshje, por zbatimi i tyre ka qenë i vështirë dhe i shoqëruar me tensione të herëpashershme.

Mirëpo, pavarësisht kësaj Kosova ka bërë përparim në konsolidimin e sovranitetit dhe në menaxhimin institucional të çështjeve me Serbinë, duke ruajtur orientimin drejt dialogut.

Megjithatë, një marrëveshje përfundimtare dhe normalizim i plotë i marrëdhënieve ende nuk është arritur, duke e lënë procesin të hapur për zhvillime të mëtejshme.

Mungesa e kësaj marrëveshjeje po vjen vetëm nga mosgatishmëria e Serbisë për të zbatuar marrëveshjet e nënshkruara.

E në 18 vjetorin e pavarësisë së Kosovës njohësit kanë folur për raportin e vendit tonë me Serbinë.

Voca: Njohja reciproke formale nuk varet vetëm nga dialogu apo presioni diplomatik, por nga një ndryshim thelbësor në orientimin strategjik të Serbisë

ImageMirsad VocaFoto galeri
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur Dr. Mirsad Voca, ligjërues në Universitetin e Hamburgut dhe doktor i shkencave në gjeopolitikë dhe marrëdhënie ndërkombëtare.

Voca thotë se Kosova nuk e shfrytëzoi mjaftueshëm avantazhin pas pavarësisë dhe vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare, duke hyrë në dialog me Serbinë pa e vendosur njohjen reciproke si qëllim kryesor.

Sipas tij, dialogu u zhvendos drejt negociimit të çështjeve të brendshme të shtetit.

“17 Shkurti 2008 nuk është vetëm datë historike, por akt i vullnetit politik dhe sakrificës kolektive për shtetësi. Shpallja e pavarësisë ishte kulmimi i një procesi të gjatë çlirimi dhe shtetndërtimi, i mbështetur fuqishëm nga aleatët perëndimorë. Vendimi këshillëdhënës i vitit 2010 i Gjykatês Ndërkombëtare e Drejtësisë e vulosi ligjshmërinë ndërkombëtare të këtij akti. Megjithatë, menjëherë pas këtij momenti juridikisht të favorshëm, Kosova hyri në dialog me Serbinë nën ndërmjetësimin e Bashkimi Evropian, pa e kapitalizuar plotësisht avantazhin diplomatik që kishte fituar.

Fillimisht i quajtur „dialog teknik“, procesi shumë shpejt u shndërrua në dialog politik me pasoja të drejtpërdrejta kushtetuese. Çështje si Asociacioni i komunave me shumicë serbe u vendosën në tavolinë si obligime ndërkombëtare, ndonëse Kosova tashmë kishte një kornizë kushtetuese ndër më progresivet në rajon për mbrojtjen e komuniteteve. Këtu qëndron edhe kritika kryesore: në vend që dialogu të ndërtohej mbi parimin e njohjes reciproke si qëllim i qartë përfundimtar, ai shpesh u zhvendos drejt menaxhimit të kërkesave të Serbisë, duke krijuar perceptimin se Kosova po negocionte elemente të brendshme të funksionalitetit të saj shtetëror”, u shpreh ai.

Më tej, ligjëruesi thotë që donëse Kosova ka arritur përparime konkrete në dialog me Serbia, njohja formale mbetet e largët pa një ndryshim të qartë strategjik nga Beogradi.

Ai kërkon që Kosova të kalojë nga menaxhimi i status quo-së në një dialog me parime të qarta, duke forcuar orientimin e saj perëndimor dhe unitetin e brendshëm.

“Megjithatë, nuk mund të mohohen disa arritje konkrete. Marrëveshjet për lëvizjen e lirë, njohjen e dokumenteve, targave, vulave doganore, energjinë në veri dhe integrimin e strukturave të sigurisë në sistemin e Kosovës përbëjnë hapa të rëndësishëm drejt normalizimit praktik. Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023 ka prodhuar një lloj njohjeje de facto në planin funksional, edhe pse Serbia vazhdon të shmangë njohjen formale dhe të mbajë retorikë ambivalente në raport me sovranitetin e Kosovës.

E vërteta është se njohja reciproke formale nuk varet vetëm nga dialogu teknik apo presioni diplomatik, por nga një ndryshim thelbësor në orientimin strategjik të Serbisë. Derisa Beogradi të zgjedhë qartë dhe pa ekuivok integrimin euroatlantik dhe të heqë dorë nga politika e balancimit mes Perëndimit dhe Lindjes, njohja mbetet e largët. Për Kosovën, sfida në këtë përvjetor është të kalojë nga një qasje reaktive në një strategji më të qartë shtetërore: dialog me parime, jo dialog për menaxhim status quo-je. Pavarësia nuk është vetëm fakt juridik, por projekt i përhershëm politik që kërkon unitet të brendshëm, vizion afatgjatë dhe pozicionim të qartë në kampin perëndimor”, u shpreh Voca për “Bota sot”.

Shahu: Zhurma apo dialogu shqiptaro-serb mbeten thashetheme nëse nuk udhëhiqen dhe diktohen nga Amerika dhe Gjermania

ImageRexhep ShahuFoto galeri
Ndërsa publicisti Rexhep Shahu në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha që Kosova ka konsoliduar shtetësinë dhe demokracinë, por njohja nga Serbia varet kryesisht nga fuqitë e mëdha si Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai thekson gjithashtu se Kosova po forcohet gradualisht institucionalisht dhe ushtarakisht.

“Në 18-vjetorin e Pavarësisë, Kosova ka bërë vendin e saj në tryezën e shteteve demokratike, ka treguar aftësi shtetndërtuese, demokraci funksionale dhe zgjedhje të lira. Por ende ka objektiva që të njihet nga të gjitha vendet e BE-së dhe të anëtarësohet në NATO si aspiratë e mundshme. Kosova pret njohje dhe pranim nga Serbia, por kjo mund të ndodhë jo aq nga dakordësia serbe, sa nga “shkopi dhe karota” e fuqive të mëdha si Amerika.

Fati i raporteve Kosovë–Serbi mbetet në dorën dhe humorin e fuqive të mëdha. Serbia çdo ditë e më shumë po bindet se Kosova është një histori e kaluar. Nuk ka sot, e aq më pak nesër, serbë të gatshëm të vdesin për Kosovën. Ndërkohë, Kosova po forcohet me ushtri dhe institucione”, shpjegon publicisti.

Në fund, Shahu shton që konsolidimi dhe forcimi i Kosova lidhet me praninë e NATO, ndërsa marrëdhëniet normale shqiptaro-serbe do të vendosen kryesisht nga serbët e Kosovës.

Ai nënvizon se dialogu mbetet i paqëndrueshëm pa udhëheqjen e fuqive të mëdha si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania.

“Por fati i konsolidimit dhe forcimit të saj lidhet me faktin se në Kosovë është NATO-ja. Besohet se sot është NATO në Kosovë, e nesër do të jetë Kosova në NATO. Kosova nuk i imponohet Serbisë që ta njohë, por tashmë as Serbia nuk i imponohet dot Kosovës.

Besoj se çelësi i marrëdhënieve normale janë serbët e Kosovës; ata do të jenë rregullatori i marrëdhënieve shqiptaro-serbe. Zhurma apo dialogu shqiptaro-serb mbeten thashetheme nëse nuk udhëhiqen dhe diktohen nga Amerika dhe Gjermania si dy fuqitë e vetme që e kanë çliruar Kosovën dy herë. Pa udhëheqje amerikane apo gjermane, do të vazhdojë gjatë kjo gjendje pezull”, përfundoi Shahu për “Bota sot.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *