Geci me deklaratë të fortë: Protesta e 17 shkurtit rrezikon ta fundosë Hashim Thaçin në Hagë!
Halil Geci ka reaguar lidhur me protestën e paralajmëruar për 17 shkurt.
Sipas tij, një protestë që synon mbështetjen e ish-krerëve të UÇK-së mund të prodhojë pasoja të kundërta për disa prej të akuzuarve, duke krijuar kundërthënie mes deklarimeve të tyre para tribunalit dhe mesazheve që artikulohen në rrugë.
Geci thekson se, në një situatë të ndjeshme juridike, çdo veprim publik duhet peshuar me kujdes, pasi emocionet dhe solidariteti qytetar mund të ndikojnë në perceptimin dhe interpretimin e çështjeve që janë në shqyrtim gjyqësor, përcjell “Bota sot”.
Shkrimi i plotë
Protesta e 17 shkurtit i dëmton të akuzuarit
Protesta nuk ndihmon drejtësinë, por krijon pasoja.
Protesta e 17 shkurtit i dëmton dy nga të akuzuarit, Jakupin dhe Hashimin, pasi Hashimi, së bashku me mbrojtjen e tij dhe dëshmitarët, është betuar para tribunalit se kurrë nuk ka qenë pjesë e UÇK-së, por spiun i Francës.
Një qëndrim të dobët dhe fëminor, duke qarë si fëmijë, e ka mbajtur edhe Jakupi. Ai duket se ka harruar kohën kur deklaronte me tone të ashpra se i kishin eliminuar të gjithë ata që, sipas tij, e kishin penguar UÇK-në.
Protesta që bën thirrje për lirimin e krerëve të UÇK-së do të mbetet dëshmi për tribunalin dhe, me aq sa do të marrin pjesë në protestë, do të jenë dëshmitarë të tribunalit kundër Hashimit. Kjo i bie se Hashimi ka qenë i pari i UÇK-së, por po rren.
Kjo që po them unë mund të interpretohet nga tribunali si kundërthënie me këto deklarime të të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre dhe do të vërtetojë se ata kanë pasur rol drejtues në UÇK.
Protesta duhet të mbahet atëherë kur protestuesit forcojnë pozicionin e mbrojtjes; përndryshe, ajo mund të krijojë perceptime dhe interpretime që bien ndesh me deklarimet e të akuzuarve dhe të forcojnë akuzat zyrtare të paraqitura para tribunalit.
Ndryshe paraqitet situata për REXHEP SELIMIN, i cili para tribunalit në në Hagë ka deklaruar hapur përfshirjen e tij në luftë, duke theksuar se luftën për çlirimin e vendit e ka nisur me Adem Jasharin dhe e ka përmbyllur me ndërhyrjen e Ëesley Clarkut.
Po ashtu, edhe Kadri Veseli ka mbajtur qëndrim të qartë lidhur me rolin e tij. Për ta, një protestë e tillë nuk krijon të njëjtin kundërthënim me deklarimet publike.
E vërteta për luftën çlirimtare nuk mund të mohohet nga askush, ashtu siç nuk mund të mohohet as përgjegjësia e politikanëve për rolin e tyre. Megjithatë, proceset gjyqësore janë individuale dhe mbrojtja juridike kërkon koherencë në qëndrime.
Në këtë situatë të ndjeshme, çdo veprim publik duhet peshuar me kujdes. Emocioni dhe solidariteti qytetar janë të kuptueshëm, por pasojat politike dhe juridike mund të jenë më të thella sesa synimi fillestar. Mbi të gjitha, drejtësia kërkon qartësi, jo kontradikta.
Nesër protestuesit do t’ia nxjerrin në pah kundërthëniet Hashimit, pasi ata do të thonë: “Lirojeni luftëtarin e lirisë, komandantin tonë”, ndërsa ai dhe mbrojtja e tij kanë deklaruar vazhdimisht se kurrë nuk ka qenë pjesë e UÇK-së,por spiun i Francrs i cili ka punuar për llogari të serbisë.
