A u kërcënua Osmani nga Prokuroria Speciale? Haziri ngre dyshime për prapavijën e deklaratës së Ramës!
Deklarata e sotme e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është kërcënuar nga prokurorët e Gjykatës Speciale pasi për dy vjet nuk ka lejuar “dhunimin” e zyrës së saj, ka ngjallur reagime të shumta në opinion.
Ishte hera e parë që u dëgjua një deklaratë e këtij lloji, pasi vet Presidentja Osmani nuk ka bërë të ditur asnjëherë se Prokuroria e Hagës i ka kërkuar “bastisjen” e zyrës Presidenciale.
Në opinion, më shumë se sa për një deklaratë të bazuar në fakte, deklarata e Ramës po vlerësohet si një narrativë politike.
Por, a mund të interpretohet kjo si një lëvizje me prapavijë politike, në funksion të forcimit të pozitës së Osmanit në skenën e brendshme, përfshirë edhe kalkulime eventuale që lidhen me votat e Partisë Demokratike të Kosovës për mandatin e saj të dytë?
Analisti politik Nexhat Haziri në një deklaratë për gazetën “Bota sot” deklaratat e Ramës i ka cilësuar si përpjekje të qarta për protagonizëm politik në një moment të ndjeshëm institucional.
“Më shumë e shoh si një deklaratë për protagonizëm sesa një mundësi për ndërhyrje në drejtësi deklaratën e kryeministrit Rama, kur deklaroi se presidentja Osmani është kërcënuar nga Prokuroria e Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë, për mundësinë e një hetimi në zyrën e presidentes që ka kërkuar kjo prokurori dhe moslejimin nga kjo e fundit”, ka thënë Haziri për “Bota sot”
Sipas Hazirit, deklaratat e fundit të kryeministrit Edi Rama lidhur me presidenten Vjosa Osmani dhe raportin e saj me Prokurorinë e Gjykatës Speciale në Hagë nuk duhet parë si shqetësim real për drejtësinë, por si lëvizje politike me prapavijë të qartë.
Ai thekson se, nëse ka pasur ndonjë “kërcënim” apo presion institucional, do të ishte dashur që kjo të bëhej publike nga vetë presidentja, e jo të artikulohej nga një lider tjetër politik.
“Është paksa e habitshme pse “kërcënimi” nuk është bërë i ditur nga presidentja Osmani, nëse veç ka pasur një gjë të tillë” nënvizon ai.
Sipas tij, deklarata e Ramës mund të lexohet edhe si përpjekje për të ndikuar në klimën politike në Kosovë, në një kohë kur pritet që presidentja Osmani të synojë një mandat të dytë. Haziri nënvizon se çdo lëvizje që prek raportin me Gjykatën Speciale është e ndjeshme dhe mund të përdoret për kalkulime të brendshme politike.
“Ndoshta këtë deklaratë të kryeministrit Rama duhet parë edhe si një favor ndaj presidentes Osmani, në tentim për ta ndihmuar që kjo e fundit të mund t’i sigurojë votat edhe nga PDK-ja për ambicien e saj për të marrë edhe mandatin e dytë si presidente e Kosovës”, u shpreh Haziri.
Ai shton se në fazën aktuale të proceseve gjyqësore në Hagë, sidomos pas kërkesave të prokurorisë për dënime të rënda ndaj ish-krerëve të UÇK-së, çdo deklaratë politike që prek këtë temë duhet trajtuar me maturi.
“Pra, edhe në këtë momentum të ri në raport me Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë, sidomos në këtë fazë finale dhe kërkesës së prokurorisë për dënim me 45 vite burg për ish-liderët e UÇK-së, shohim një shfaqje të protagonizmit, sidomos nga politikanët. Një mundësi të tillë nuk e lëshon as kryeministri Rama, sidomos tani për ta shpërqendruar vëmendjen e opinionit nga skandalet e shumta korruptive të qeverisjes së tij në Shqipëri.
Në fund të fundit, asnjë deklaratë, nga kushdo që bëhet e vjen, nuk ka mundësi të ndikojë në vendimin e Gjykatës Speciale, çfarëdo që mund të jetë ai”, përfundoi Haziri.
