OPINIONTË FUNDIT

“Përfundimi i ngërçit politik forcon stabilitetin dhe legjitimitetin”

Pas një periudhe të gjatë paqëndrueshmërie politike, Kosova tashmë ka institucione funksionale. Gjatë javës që po e lëmë pas, Kuvendi i Kosovës zgjodhi Albulena Haxhiu kryetare, ndërsa qeveria e re, e udhëhequr nga Albin Kurti, mori formën e saj përfundimtare. Ky zhvillim shënon një hap të rëndësishëm drejt stabilitetit politik dhe forcimit të legjitimitetit institucional në vend.

Lidhur me këtë, politologu Fahredin Majkovci, në një prononcim për “Bota sot”, Majkovci tha se pas një viti ngërçi politik, vendi më në fund ka institucione funksionale.

Sipas tij, kjo u mundësua nga aktgjykimi i Gjykata Kushtetuese, që sqaroi çështjen e përfaqësimit të komunitetit serb në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit, si dhe nga rezultati zgjedhor që i dha Lëvizja Vetëvendosje numrat për formimin e institucioneve.

ImagePolitologu Fahredin MajkovciFoto galeri
“Lajmi i mirë është se, pas një viti ngërçi politik, më në fund kemi institucione funksionale.

Dy faktorë që kanë ndikuar në këtë ecuri janë: Aktgjykimi i Gjykates Kushtetuese, i cili sqaroi rrugën ligjore dhe legjitimitetin e përfaqësimit të komunitetit serb në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit, si dhe rezultati zgjedhor që i dha Lëvizjes Vetëvendosje numra të mjaftueshëm për të i formuar institucionet.

Pjesëmarrja e opozitës tregon pjekuri politike, pasi debati duhet të zhvillohet brenda institucioneve, jo përmes bojkotit. Kjo forcon legjitimitetin dhe stabilitetin e vendit”, ka thënë ai.

Më tej, Majkovci u shpreh se opozita, edhe po të mos merrte pjesë në seancë, nuk do ta ndryshonte rezultatin, pasi Lëvizja Vetëvendosje ka shumicën prej 61 deputetësh, të mjaftueshme për formimin e institucioneve.

“Opozita, edhe sikur të mos qëndronte në seancë, nuk do ta ndryshonte rezultatin, pasi zgjedhjet i kanë mundësuar Lëvizjes Vetëvendosje të sigurojë shumicën prej 61 deputetësh, e cila është e mjaftueshme për formimin e institucioneve. Pra, ajo nuk do të mund ta pengonte realisht konstituimin e Kuvendit apo formimin e qeverisë.

Në këto rrethana, qëndrimi në Kuvend ishte një zgjedhje racionale politike, duke marrë pjesë, opozita ruan rolin mbikëqyrës, kontribuon në debat dhe përfaqëson votuesit e saj brenda institucioneve, në vend që të mbetet jashtë tyre”, është shprehur ai.

Në fund, Majkovci theksoi se opozita duhet ta lexojë drejt mesazhin e qytetarëve nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, pasi çdo proces zgjedhor është vlerësim dhe ndëshkim politik.

Sipas tij, rezultati tregoi se qytetarët kërkojnë më shumë përgjegjësi, më pak bllokada dhe më shumë angazhim institucional.

“Opozita ka detyrim ta lexojë drejt mesazhin e qytetarëve pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Çdo cikël zgjedhor është një formë vlerësimi dhe ndëshkimi politik, prandaj secila parti duhet ta interpretojë me kujdes këtë sinjal.

Rezultati tregoi qartë se qytetarët presin më shumë përgjegjësi, më pak bllokada dhe më shumë angazhim institucional. Për këtë arsye, është e arsyeshme që opozita të rishikojë qasjen e saj dhe ta orientojë strategjinë drejt pjesëmarrjes aktive në Kuvendin e Kosovës, duke kontribuar në debate dhe duke propozuar alternativa brenda institucioneve.

Në fund, partitë që nuk e lexojnë saktë mesazhin e votuesve rrezikojnë të humbin mbështetje, ndërsa ato që përshtaten me kërkesat e qytetarëve forcojnë legjitimitetin dhe rolin e tyre politik”, ka përfunduar Majkovci.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *