Bojkoti i LDK-së për rezolutën e ish-krerëve të UÇK-së ‘tronditi’ Kuvendin: Drejtësi për disa apo për të gjithë?
Të enjten në mbrëmje gjatë seancës së jashtëzakonshme, Kuvendi i Kosovës miratoi me 90 vota një rezolutë përmes së cilës ka kërkuar nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, që të ushtrojë proces gjyqësor të drejtë ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk morën pjesë në votim, pasi një kërkesë e tyre për të shtuar një pikë në përmbajtje nuk u pranua.
Para hedhjes në votim të kësaj rezolute, Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, bëri të ditur se, mbështesin rezolutën për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, por kanë edhe një propozim shtesë.
Ajo në seancë kërkoi që të përfshihet edhe një pikë në rezolutë për zbardhjen e vrasjeve të pazbuluara të ndodhura gjatë dhe pas luftës.
“Kjo rezolutë kërkon nga të gjitha institucionet e rendit dhe ligjit të Kosovës, si dhe inkurajon mbështetjen ndërkombëtare për intensifikimin e përpjekjeve drejt zbardhjes së të gjitha vrasjeve të pazbuluara të ndodhura gjatë dhe pasluftës në Kosovë, me qëllim që të sigurohet drejtësia për të gjitha viktimat, të zbardhet e vërteta dhe të fuqizohet shteti i së drejtës”, tha ajo.
Ky propozim nuk është mbështetur nga PDK. Deputeti i kësaj partie, Përparim Gruda, tha se është e pamundur të bëhet ndonjë ndryshim.
Mospjesëmarrja në votim nga ana e LDK nxiti reagime të mëdha, por si vlerësohet ajo dhe a ishte qëndrim i duhur, për këtë folën njohësit për “Bota sot”.
Halilaj: Rezoluta e miratuar nga Kuvendi i Kosovës me propozim të PDK-së paraqet një paradoks
E për këtë temë, për “Bota sot”, fillimisht foli avokati dhe anëtari i Listës Guxo, Gazmend Halilaj.
ImageGazmend HalilajFoto galeri
Sipas tij, Rezoluta e miratuar nga Kuvendi i Kosovës me propozim të PDK-së, paraqet një paradoks, pasi sipas tij, çdo gjykatë ka për detyrë themelore pikërisht zbatimin e ligjit.
“Vendimet që prekin drejtësinë dhe raportet e Kosovës me mekanizmat ndërkombëtarë duhet të trajtohen me maturi dhe përgjegjësi shtetërore. Rezoluta e miratuar nga Kuvendi i Kosovës me propozim të Partia Demokratike e Kosovës, e cila u bën thirrje Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të respektojnë ligjin dhe të drejtën ndërkombëtare, në thelb paraqet një paradoks: çdo gjykatë ka për detyrë themelore pikërisht zbatimin e ligjit. Prandaj, një “kujtesë” e tillë përmes rezolute politike mund të shihet si e panevojshme dhe madje absurde, sepse lë të nënkuptohet sikur gjykata nuk vepron mbi bazën e ligjit. Kjo rrezikon të perceptohet si presion politik ndaj një institucioni që duhet të jetë i pavarur”.
Krahas kësaj, Halilaj beson se Specialja është në favor të sundimit të ligjit dhe drejtësisë së pavarur.
“Mbrojtja e Gjykatës Speciale nuk është kundër interesave të Kosovës, por në favor të sundimit të ligjit, transparencës dhe besueshmërisë ndërkombëtare të shtetit. Drejtësia e pavarur, edhe kur është e vështirë ose e dhimbshme politikisht, është themel i një demokracie funksionale”, nënvizoi ai.
Kurse, sa i përket vendimit të LDK për të mos marrë pjesë në votim për rezolutën e Hagës, avokati e analizoi në dy kënvështrime.
Së pari, tha se është e kuptueshme që LDK nuk mbështet një rezolutë që anashkalon krimet e pasluftës, e nga të cilat ajo është prekur më së shumti.
“Sa i përket qëndrimit të Lidhja Demokratike e Kosovës për të mos marrë pjesë në votim pasi nuk u përfshi propozimi i tyre për zbardhjen e vrasjeve pasluftës, ky mund të shihet nga dy kënde. Nga njëra anë, është e kuptueshme që një subjekt politik të mos e mbështesë një tekst që injoron një çështje kaq të ndjeshme si krimet pasluftës. Nga ana tjetër, bojkotimi i votimit mund të duket si tërheqje nga përgjegjësia për të ndikuar në përmbajtjen përfundimtare të një dokumenti të rëndësishëm.
Një qasje më parimore do të ishte që drejtësia për të gjitha krimet — të luftës dhe pasluftës — të kërkohet pa selektivitet, duke i lënë institucionet gjyqësore të punojnë pa ndërhyrje politike. Në këtë frymë, një qëndrim që mbështet gjykatën speciale dhe parimin e sundimit të ligjit, siç e thekson shpesh edhe Lëvizja Vetëvendosje, lidhet me idenë se drejtësia nuk duhet të jetë çështje partie, por standard shtetëror dhe shoqëror. Vetëm kështu ndërtohet besimi në drejtësi dhe në të ardhmen e vendit”, përfundoi Gazmend Halilaj për “Bota sot”.
Bajraj: Më në fund, LDK kthehet në identitet
Kurse, veprimtari Fatmir Bajraj e mirëpriti qëndrimin e LDK-së, duke thënë se me mosvotimin e rezolutës për Specialen, u kthye në identintet dhe mbrojti vlerat e saj.
ImageFatmir BajrajFoto galeri
“Vonë, por “ma mirë vonë se kurrë” thotë populli!
Më në fund, LDK kthehet në identitet, duke marrë n ‘mbrojtje vlerat autentike dhe universale; të drejtën e viktimave për zbardhjen e vrasjeve politike dhe dënimin e autorëve nga drejtësia!”
Po ashtu, Bajraj në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot”, theksoi se, për vite me radhë LDK la në harrë veprimtarët dhe anëtarët e saj, që u vranë për motive politike.
“Mbi 10 vite nga vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës për themelimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë dhe Prokurorisë së Posaçme; 03.08.2015, LDK i kthehet vetvetes, duke u kthye n’korsinë e ruajtjes dhe mbrojtjes së vlerave të lirisë, sakrificës sublime të veprimtarëve të saj, dhe të kauzës së lirisë, pavarësisë dhe shtetit të Kosovës.
LDK, në emër të interesit, pavarësisë dhe shtetëndertimit të Kosovës, la n ‘harresë qëllimshëm të atentatuarit politik, të mbi 200 burrave dhe grave të shquar të kombit, të ekzekutuar pas shpine; pa hak dhe pa gjyq për motive pushteti, nga fallangat e krimit, më saktësisht, nga grupet e organizuara kriminale të ashtuquajturit “krahu i luftës”, ish LPK, sot të akomoduar në PDK, AAK, NISMA dhe LVV si kurorë e kësaj “ngjizje” anti-LDK dhe anti-Kosovë!”, theksoi ai.
Tutje, veprimtari kritikoi ashpër ata që e votuan këtë rezolutë, madje duke refuzuar që brenda kësaj rezolute t’i përfshijnë edhe vrasjet e pasluftës.
“Dje, Rezoluta e Kuvendit të Kosovës, e miratuar në bllok nga kjo pjellë e SHIK-ut, lexo : ish LPK (LVV, PDK dhe AAK) për Gjykatën Speciale dhe n ‘mbrojtje të “krerëve të UÇK-së), alias NPK-së, duke mos pranuar propozimin e LDK-së, që në Rezolutë të përfshihet edhe zbardhja e vrasjeve të gjatë dhe pas luftës në Kosovës, aludimi në vrasjet politike, veçse nxori n ‘sipërfaqe hipokrizinë e “pjellës” së SHIK-ut, ish LPK-së (LPA), duke mos pranuar ndryshimin e tekstit të Rezolutës, kinse të ekspertëve dhe jo produkt i politikës, absurd.
Si mund të bëhet atribut i politikës një produkt i “ekspertëve”, por që favorizon njërin kamp e dëmton tjetrin, në këtë rast, LDK-në?”
Madje, Bajraj konsideron se me këtë rezolutë, deputetët zgjodhën drejtësi selektive dhe refuzuan zbardhjen e vrasjeve politike.
“Zatën me këtë Rezolutë, Kuvendi i Kosovës me shumicë dërmuese, votoj për drejtësi selektive, për ma tepër për padrejtësi, votoj kundër zbardhjes së vrasjeve politike, që nga atentati në Tiranën kuslinge të Ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Kolonel Ahmet Krasniqi, e deri të atentati mbi Oficerën e lartë të Policisë së Kosovës, pjesëtaren e orëve të para të UÇK-së, dhe luftëtaren e Betejës së Koshares, Sabahate Tolaj”, shpjegoi veprimtari.
Në fund, ai shtoi se, me rastin e votimit të kësaj rezolute, skena politike u nda në dy kampe.
“Pra ky precedent, ndau skenën politike të vendit në dy kampe:
LDK në njërën anë, dhe PAL (PDK, AAK & LVV) në anën tjetër!.
LDK, subjekti të cilës i’u atentatuan mbi 200 burra e gra të Kosovës për motive pushteti, dhe e cila mbi çerek shekulli kërkon me ngulm zbardhjen e vrasjeve politike dhe dënimin e autorëve dhe urdhëdhënsve të tyre, dhe në anën tjetër;
PAL, subjekte trashëgimtare të ish LPK-së antikombëtare dhe antishtetërore, dhe të cilët jo vetëm qëndrojnë dhe mbrojnë me ngulm mos zbardhjen dhe dënimin e kriminelëve, por të njëjtit i kanë në struktura, madje n’lidership”, përmbylli Fatmir Bajraj për “Bota sot”.
