OPINIONTË FUNDIT

“Zgjedhja e Vjosa Osmanit si Presidente, punë e kryer, por edhe opozita do të ketë kandidat alternativ”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se e ka anuluar pjesëmarrjen e saj në Konferencën e Sigurisë në Munih. Këtë e ka konfirmuar Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Osmani.

Si arsye për anulimin e vizitës janë përmendur angazhimet institucionale dhe prioritetet që lidhen me zhvillime brenda vendit. Vendimi i marrë nga Osmani vjen një ditë pasi Kosova është bërë me Qeveri të re në krye me Albin Kurtin.

“Megjithatë, për arsye të angazhimeve institucionale dhe prioriteteve që lidhen me zhvillime brenda vendit, ajo ka vendosur të mos marrë pjesë këtë vit”, ka thënë Kupina.

Kryeministri Kurti ka paralajmëruar në mbledhjen e mbajtur në paraditen e së enjtes se pas votimit të buxhetit të shtetit dhe ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, atëherë fokusi kthehet te çështja e pozitës së presidentit.

Lidhur me atë se si mund të zhvillohen bisedimet për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, njohësit e politikës kanë shprehur qëndrimet e tyre.

Mehmeti: Vjosa Osmanin nuk mund ta injoroj askush

ImageFaton MehmetiFoto galeri
Kështu, Faton Mehmeti, analist politik ka thënë se, puna e presidentit është e kryer, Vjosa Osmani edhe një mandat do të ketë.

“Është e kryer puna e presidentes, do të jetë Vjosa Osmani edhe një mandat dhe kjo s’ka asnjë diskutim. Kështu që pritet vetëm të miratohet buxheti dhe të ecet tutje me zgjedhjen e presidentes së vendit”, thekson ai.

Analisti Mehmeti thotë se opozita do të kërkoj marrëveshje, dhe më të afërt e shoh një bashkëpunim me LDK-në.

“Kështu që, Vjosa është ” kafshë politike” të cilën s’mund ta injoron askush dhe as z.Kurti. Në këtë kuptim opozita do të kërkojë marrëveshje por më afër e shoh të mundur një bashkëpunim me LDK. Nuk shoh kandidat tjetër përveç Vjosës për të qenë në krye të shtetit”, thotë Mehmeti.

Ai vlerëson se kështu ‘do të vazhdojë tandemi Vjosa-Albin për të qeverisur vendin na vazhdimësi si tregim suksesi në ndërtimin e shtetit’.

Dili: Mbështetja e shumicës parlamentare do të jetë vendimtare për rizgjedhjen e Osmanit

ImageVisar DiliFoto galeri
Për këtë ҫështjë ka folur edhe analisti politik, Visar Dili. Ai vlerëson se, anulimi i pjesëmarrjes së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Konferencën e Sigurisë në Munih dhe zhvillimet e fundit politike në vend, çështja e zgjedhjes së Presidentit pritet të jetë një nga temat kryesore në javët në vijim.

“Presidentja Osmani ka anuluar vizitën me arsyetimin e angazhimeve institucionale dhe prioriteteve të brendshme, në një moment kur Kosova sapo ka formuar Qeverinë e re në krye me Albin Kurtin. Kryeministri ka paralajmëruar se pas votimit të buxhetit dhe ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, fokusi do të zhvendoset tek çështja e pozitës së Presidentit”, vlerëson ai.

Analisti Dili thotë se, sa i përket procesit, sipas Kushtetutës së Kosovës, Presidenti zgjidhet nga Kuvendi.

“Në dy raundet e para kërkohen 80 vota, ndërsa në raundin e tretë mjaftojnë 61 vota. Nëse nuk arrihet zgjedhja, vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare”, thotë ai.

Sipas tij, deri më tani nuk është deklaruar asnjë kundër-kandidat për President, krahas Vjosa Osmanit.

“Aktualisht, Vjosa Osmani është vetëdeklaruar si kandidate për një mandat të dytë, por deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar nga Lëvizja Vetëvendosje apo nga partnerët e koalicionit se ajo është kandidatja e tyre zyrtare. Mbështetja e shumicës parlamentare do të jetë vendimtare për rizgjedhjen e saj”, thotë Dili.

Ai vlerëson se, partitë opozitare mund të propozojnë kandidatë alternativë, por deri tani nuk ka një emër konkret që konsiderohet serioz apo me mbështetje të mjaftueshme për ta sfiduar realisht Osmanin.

“Gjithçka do të varet nga kalkulimet politike dhe marrëveshjet ndërmjet partive në Kuvend.

Në përfundim, pritet që bisedimet për postin e Presidentit të intensifikohen pas përmbylljes së prioriteteve legjislative të Qeverisë së re, ndërsa skenarët mbeten të hapur – nga rizgjedhja e Osmanit deri tek dalja e një kandidature të re konsensuale”, thotë analisti për ‘Bota sot’.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *