Lajm i mirë, miratohet marrëveshja me BE-në për reforma e rritje – Murati jep detajet
Buxheti i Kosovës për vitin 2026 është duke u shqyrtuar nga Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere.
Anëtarët e komisionit janë duke shqyrtuar projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit, për programin e parë për “financimin e politikave zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër” në mes të Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për zhvillim.
Gjithashtu po shqyrtojnë projektligjin për ratifikimin e marrëveshjen e kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga MFPT-së dhe Asociacioni Ndërkombëtar për zhvillim për projektin “Kompas”: qasja gjithëpërfshirëse e Kosovës për forcimin e sistemit të shëndetësisë; projektligjin për ratifikimin e marrëveshjen e kredisë në mes të Kosovës dhe Asociacionit ndërkombëtar për zhvillim për projektin “Edukimi në fëmijërinë e hershme dhe kujdesi për kapitalin njerëzor të Kosovës” si dhe projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për “Instrumentin për reforma dhe rritje për Ballkanin perëndimor” ndërmjet Bashkimit Evropian, që përfaqësohet nga Komisioni Evropian si huadhënës, dhe Kosovës si huamarrës dhe BQK-së si agjent i huamarrësit.
U miratua shqyrtimi i projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe BE-së, mbi aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të Instrumentit për reforma dhe rritje.
Ministri i Financave, Hekuran Murati shpjegoi se kjo marrëveshje përbëhet nga agjenda e reformave dhe tjetra pjesa e financimit apo e kredisë.
“Kjo është marrëveshja e instrumentit për reforma të Planit të Rritjes. E mira e kësaj është, që përveç shpërblimit financiar, ose si mund ta quajmë ashtu, kjo në vetvete kjo marrëveshje përmban pra edhe miratimin e reformave të ndryshme që janë dakorduar me Bashkimin Evropian, e për më tepër pra synimi është që përmes këtyre reformave të arrihet edhe më tej përshpejtimi i konvergjencës pra drejt standardit të Bashkimit Evropian”, tha ai.
Murati theksoi se Kosova është përfituesja më e madhe në raport me bruto produktin vendor, me rreth 10%.
“Nga instrumenti për reformat dhe rritjen, parashihet pra të përfitohen gjithsej 882.16 milionë euro. Prej të cilave 253.3 milionë janë grante, pra 1/3-ta është grant, ndërkaq pjesa tjetër prej 629.3 milionë euro do të jetë kredi, që do të ratifikohet me një marrëveshje të veçantë”, tha ai.
Ai tha se qëllimi i marrëveshjes kornizë është krijimi i bazës së përgjithshme kontraktuale që ia mundëson Kosovës përfitimin e fondeve nga BE. Ndërkaq marrëveshja për kredinë rregullon kushtet për marrjen e pjesës së fondeve të BE-së të ofruara si kredi dhe mënyrën e menaxhimit të tyre.
Tashmë pas miratimit në Komision, kjo marrëveshje do të hidhet në votim në seancën e Kuvendit të Kosovës.
