Bytyçi paralajmëron: Kosova historike! Dy gra në majat e shtetit dhe Kurti 3 nis revolucionin qeverisës
Deputetët e Kuvendit të Kosovës formuan organin ligjvënës dhe më pas zgjodhën edhe Qeverinë e re, më 11 shkurt.
Albin Kurti, kreu i partisë fituese të zgjedhjeve të dhjetorit, Lëvizjes Vetëvendosje, do të qeverisë edhe për katër vjetët e ardhshëm. Ndërsa, bashkëpartiakja e tij, Albulena Haxhiu, do të udhëheqë me Kuvendin.
E në lidhje me konstituimin e Kuvendit dhe atë se çka mund të presim nga qeveria Kurti 3, për “Bota sot” foli profesori Enver Bytyçi.
Fillimisht, ai u shpreh se, ishte shumë pozitive që brenda ditës u konstitua Kuvendi, edhe u zgjodh qeveria e re.
Megjithatë, kishte edhe disa kritika për partitë opozitare dhe bllokadën që e krijuan për muaj të tërë.
ImageEnver Bytyçi.Foto galeri
“Ishte surpizë shumë e këndshme ajo që ndodhi ditën e në Kosovë. Kuvendi i ri i Kosovës brenda ditës votoi jo vetëm kryesinë e kuvendit, por edhe qeverinë e re Kurti 3, e cila do të ketë mandate katër vjeçar. Dita e djeshme dëshmoi sesa e lehtë ka qenë që kjo punë të bëhej nga ky kuvend pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Por partitë e opozitës bojkotuan, ndërkohë që para një viti sovrani pati votuar që koalicioni i Vetëvendosjes të qeveriste në bashkëpunim me njërën prej partive të opozitës. Opozita refuzoi. Kosova u mbajt për gati një vit në ngërç politik. Sovrani e zgjidhi këtë ngërç, duke injoruar qëndrimet e opozitës dhe duke votuar në shumicë absolute koalicionin e Vetëvendosjes dhe Albin Kurtin. Kjo do të thotë se qytetarët e Kosovës janë më konstruktivë, më racionalë dhe marrin vendime për zgjidhje, kur politika nuk vepron në interest ë vendit”, nënvizoi profesori.
Krahas kësaj, Bytyçi përmendi edhe faktin se ndërkombëtarët mirëpriten formimin e qeverisë së re, derisa shpreson që deri me 5 mars edhe presidentja do të zgjidhet.
“Miratimi i qeverisë së re dhe programit të kësaj qeveria ditën e djeshme është përshëndetur nga shumë aktorë vendas e të huaj. Kosova prej ditës së djeshme shihet si partnere e legjitimuar nga vota e qytetarëve në marrëdhëniet e saj me Bashkimin Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe bota tjetër që e rrethon atë. Tani do të duhet me urgjencë të votohet buxheti i shtetit për vitin 2026, i cili u bojkotua gjithashtu nga opozita vjeshtën e kaluar. Dhe pas kësaj i vjen radha zgjedhjes së presidentit/es. Deri më 5 mars parlamenti i Kosovës do të duhet të përmbyllë gjithë procesin e rëndësishëm të konstituimit të institucionave më të rëndësishme të shtetit dhe jam i bindur se do ta kryejë këtë obligim me përgjegjësi”.
Më tej, profesori u ndal edhe tek zgjedhja e Haxhiut si kryeparlamentare, ku e mirëpriti një gjë të tillë, ku tha se, ndonës atë nuk e deshën opozita, e deshën qytetarët.
E nisur nga kjo, potencoi se, në rast se Osmani zgjedhet president, atëherë Kosova do t’i ketë dy gra në pozitat kryesore të shtetit.
“Kryetare e parlamentit u zgjodh tashmë Albulena Haxhiu. Nuk e deshi opozita, e deshën qytetarët e Kosovës. Kjo është demokracia më e bukur dhe më e shenjtë. Tani Albulena është zotuar se do të jetë një kryeparlamentare model. Nëse Vjosa Osmani do të jetë presidente dhe për këtë nuk kam asnjë dyshim, atëherë Kosova bëhet ndër vendet e rralla në botë që udhëhiqet në dy nga tri postet kryesore të shtetit nga gra. Është ky një mesazh i jashtëzakonshëm për botën e civilizuar! Është një arsye më shumë për ta respektuar Kosovën si shtet demokratik, të emancipuar dhe socializuar, si shtet me të drejta që respektohen më mirë se në shumicën dërmuese të shteteve të vjetra e të reja, anëtare të OKB-së. Mbi të gjitha Kosova dëshmon se në më pak se dy dekada është e aftë të ndërtojë një shtet më demokratike sesa shteti i Serbisë dhe Rusisë, të cilat nuk e duan ekzistencën e saj”, shpjegoi Bytyçi.
Në vazhdim, profesor Bytyçi foli edhe për ndryshimet brenda kabinetit qeverisës, derisa u ndal të MPJD dhe te Ministria e Arsimit, e që i mirëpriti ministrat e rinj.
Kurse, mbështeti edhe Maqedoncin, Muratin, Sveçlën, Vitinë, ku sipas tij, këta janë katër ministra me peshë që arritën t’i ruanin pozicionet që kishin.
Mirëpo, ai komentoi edhe numrin e madh të ministrive, e ku në këtë pikë kishte dyshimet e tij.
“Qeveria e re ka ndryshime të mëdha. Eksperienca e pesë viteve të shkuara duket se ka shërbyer për të ndryshuar ata ministra që do të duhej të ndryshonin. Ministria e Punëve të Jashtme dhe për Diasporën është forcuar me Glauk Konjufcën. Po ashtu ministria e arsmimit me Hajrullah Çekun. Por edhe kultura ka marrë një autoritet të padiskutueshëm, Saranda Bokgujevcin. Ministritë kryesore mbajnë po ata ministra që kishin dhe secili prej tyre ka qenë më i suksesshëm sesa tjetri gjatë qeverisjes së shkuar, Maqedonci, Murati, Zveçla, Vitia janë katër ministra me peshë që i ruajnë pozicionet që kishin. Kjo do të thotë se sukseset e tyre do të çohen më tej. Kjo do të thotë se financat, shëndetësia siguria e mbrojtja si dhe rendi e sovraniteti do të vazhdojnë të jenë përparësi e qeverisë Kurti 3.
Ajo që bien ë sy ka të bëjë me numrin më të madh të ministrive krahasuar me dy qeveritë e mëparshme. Nuk besoj se shtimi i numrit të ministrive rrit performancën e qeverisjes. Përkundrazi, një qeveri e vogël menaxhohet më mire sesa një qeveri e madhe. Këtë na e kemi tashmë të ditur nga eksperienca e qeverisë së zotit Haradinaj, e cila u fry aq shumë, sa plasi si tollumbace prej fryerjes së saj. Nejse, ndoshta ka arsye, të cilat unë nuk i di. Por qeveritë e vogla menaxhohen më mire. Rëndësi ka që numri i madh i ministrive të mos shtojë administratën publike e të mos shoqërohet me një numër rekord zevendësministrash. Njëkohësisht që këto ministri të vihen në punë me kapacitet të plotë”.
Ndër të tjera, për fund, tregoi edhe sfidat që e presin qeverinë e re, si dhe presidentin/en e re kur të zgjidhet, ku këtu përmendi, zhvillimin ekonomik, luftën kundër korrupsionit, reformën në drejtësi, si dhe problemet me serbët e Kosovës.
“Tri janë sfidat e qeverisë, parlamentit dhe presidentit/es që do të zgjedhiet: – Së pari të rritet mirëqenia dhe ekonomia dhe kjo realizohet me zero tolerance në luftën kundër korrupsionit. Nuk mjafton që vetëm kryeministri dhe disa ministra të jenë njerëz të pakorrupturshëm. Duhet që e gjithë administrate publike si dhe sistemi politik e gjyqësor të jetë i pakorruptuar. Së dyti, përtë arrit sukses në sfidën e pare do të duhet të adresohet menjëherë reforma e plotë në drejtësi, por jo duke kopjuar kopy paste reformën në Shqipëri. Mendoj se duhet regormë deri te gjykata kushtetuese, gjithnjë pa bërë gabimin e zhbërjes së kësaj të sotmes, siç ndodhi për vite në Shqipëri. Dhe sfida e tretë do të vazhdojë të jetë forcimi i sovranitetit dhe integrimit të serbëve në Kosovë në institucionet e vendit.
E di se me Listën Srpska nuk mund të bashkëpunohet. Deputetët e kësaj partie dolën nga salla e parëlamentit kur aty u këndua hymni i Kosovës. Që do të thotë se ata vazhdojnë të ndjekin kryeterroristin Radoiçiq dhe ta konsiderojnë atë si udhëheqës të tyre. Por ka shumë mënyra dhe alternativa për ta integruar komunitetin serb në veri në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës. Sovraniteti dhe integriteti si sfidë lidhet me shtimin e njohjeve dhe pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, sidomos në NATO”, përmbylli Enver Bytyçi për “Bota sot”.
