Budallenjtë me këmisha t’bardha dhe mikrofon
Në vitin 1976, Carlo Cipolla na paralajmëroi se rreziku më i madh për njerëzimin nuk ishte lufta, varfëria apo viruset, por budallallëku. Fatkeqësisht, ai asokohe nuk e pa televizionin shqiptar.
Sipas ligjit të parë, ne gjithmonë e nënvlerësojmë numrin e budallenjve. Kjo shpjegon pse, sa herë hapet një debat televiziv, publiku habitet: “Si ka mundësi që janë kaq shumë?”, “Qysh bre e sulmoj me shishe midis debatit?”, “Pse po bërtasin, more?”
Ligji i dytë thotë se budallallëku është i pavarur nga arsimi dhe profesioni.
Prandaj një analist me dy diploma, një gazetar me tri diploma e me përvojë dhe një panelist me kravatë të shtrenjtë mund të jenë po aq budallenj sa njëri-tjetri; thjeshtë më të zhurmshëm e më idiotë.
Ligji i tretë e sqaron gjithçka: budallë është ai që i bën dëm të tjerëve pa përfituar asgjë për veten.
Ja një shembull tipik: gazetari që nuk ka argument, por ka zë të lartë dhe dhunë; analisti që nuk bind, por kërcënon dhe manipulon; debati që nuk ndriçon, por na dhunon veshët, sytë dhe arsyen.
Ligji i katërt na kujton se ne gjithmonë e nënvlerësojmë dëmin e budallëve dhe budallicave. “S’ka gjë,” themi, “është vetëm një debat.” Sikur mbrëmë, pas sulmit kamikaz të Berat Buzhalës kundër Albatrosit, Blendi Fevziu, na thoshte “Asgjë s’ka ndodhë, jemi mësuar me këso skena”, biles edhe na gënjente “S’ka pasë kontakt fizik”. Pra është një yrrnek intensiv se si dhuna verbale dhe fizike zë vendin e mendimit dhe logjikës.
Dhe ligji i pestë është më i frikshmi: budallai është më i rrezikshëm se banditi. Banditi e di pse bërtet. Budallai jo. Ai thjesht e bën.
Nuk ka gjë më të rrezikshme se një shoqëri e drejtuar nga banditë që rrethohen me budallë e budallica… sidomos kur këta kanë mikrofon, këmisha të bardha dhe shishe uji në tavolinë.
