Kosova në Konferencën e Sigurisë në Munih, një mesazh i fuqishëm politik dhe diplomatik për botën!
Konferenca e Sigurisë në Munih është një nga forumet më të rëndësishme ndërkombëtare për debatet mbi sigurinë globale, marrëdhëniet transatlantike dhe sfidat strategjike që përballen vendet e botës.
Kjo ngjarje e organizuar në Gjermani sjell çdo vit në një vend qindra udhëheqës politikë, diplomatë dhe ekspertë të politikës së jashtme për të diskutuar tema kyçe si paqja, siguria kolektive dhe bashkëpunimi ndërkombëtar.
Edicioni i 62-të i konferencës, i cili do të zhvillohet nga 13 deri më 15 shkurt, ka një rëndësi të veçantë për shkak të tensioneve të vazhdueshme në arenën globale.
Gjithashtu e veçanta e kësaj konference kësaj radhe është pjesëmarrja e Kosovës.
Pjesëmarrës pritet të jenë kryeministri, Albin Kurti, si dhe drejtori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Petrit Ajeti, të cilët janë konfirmuar si përfaqësuesit kryesorë të Republikës së Kosovës në këtë forum të lartë diplomatik.
E ftuar po ashtu është edhe presidentja Vjosa Osmani, e cila raportohet ka anuluar pjesëmarrjen e saj për shkak të angazhimeve institucionale dhe prioriteteve të brendshme në vend.
Vlen të theksohet se për Kosovën, pjesëmarrja në këtë konferencë ka edhe një dimension të brendshëm: tregon angazhimin e institucioneve të saj për të qenë pjesë aktive e rrjeteve diplomatike dhe të sigurisë ndërkombëtare, duke kontribuar në dialogun për sfidat aktuale dhe të ardhshme që ndikojnë në paqen globale.
Kujtojmë gjithashtu që pranimi dhe kontributi i Kosovës në Konferencën e Sigurisë në Munih jo vetëm që forcon imazhin e saj ndërkombëtar, por gjithashtu rikthen besimin në rolin e vendit si një partner konstruktiv në çështjet e sigurisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Halili: Vendi ynë, një partner strategjik në agjendën globale të sigurisë
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori Nijazi Halili.
Ai thotë se pjesëmarrja e Kosovës në Munih me përfaqësim të lartë shtetëror dëshmon rritjen e rolit të saj në arenën ndërkombëtare, duke e pozicionuar vendin si partner strategjik dhe aktor të rëndësishëm në çështjet globale të sigurisë.
“Pjesëmarrja e Kosovës në Konferencën e Sigurisë në Munih me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti në krye të një delegacioni të lartë, dërgon një mesazh historik, Kosova tashmë pozicionohet si aktor kyç në diskutimet ndërkombëtare për sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Ky nivel i lartë i përfaqësimit, i bashkuar me praninë e senatorit Marco Rubio dhe zyrtarëve të lartë amerikanë, tregon se vendi ynë nuk është më vetëm një pjesëmarrës pasiv, por një partner strategjik në agjendën globale të sigurisë”, u shpreh ai.
Ndër të tjera Halili thekson që pjesëmarrja e Kosovës në këtë forum ndërkombëtar forcon pozitën dhe reputacionin e saj global, duke e paraqitur vendin si një shtet serioz, të bashkuar dhe të gatshëm të marrë rol të rëndësishëm në çështjet e sigurisë dhe diplomacisë ndërkombëtare.
“Pjesëmarrja e delegacionit të Kosovës në këtë forum prestigjioz jo vetëm që forcon imazhin ndërkombëtar të vendit, por edhe rrit ndikimin e Kosovës në diskutimet politike dhe diplomatike për Ballkanin Perëndimor dhe Evropën në tërësi. Ky moment shënon një kapitull të ri për Kosovën në skenën ndërkombëtare dhe dërgon një mesazh të fuqishëm, Kosova është e vendosur, e bashkuar dhe e gatshme të luajë rol kyç në çështjet e sigurisë globale”, foli Halili për “Bota sot”.
Shabani: Kosova në anën e aleatëve të saj
Ndërsa, njohësi për çështje ndërkombëtare, Amir Shabani në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që pjesëmarrja e Kosovës në Konferencën e Munihut dërgon një mesazh të qartë politik, duke forcuar marrëdhëniet me SHBA-në dhe BE-në dhe duke rreshtuar vendin në krah të aleatëve në sfidat e sigurisë dhe stabilitetit rajonal.
“Pjesëmarrja e Kosovës në Konferencën e Sigurisë të Munihut përfaqëson një mesazh të qartë politik dhe diplomatik duke forcuar gjithnjë e më shumë marrëdhëniet me aleatët e saj perëndimorë. Në një periudhë kur Evropës po i kanoset siguria dhe stabiliteti, veçanërisht Evropës Juglindore, Kosova po angazhohet që në këto sfida gjeopolitike të rreshtohet në anën e aleatëve të saj, gjegjësisht SHBA-së dhe BE-së, duke zhvilluar partneritetin strategjik dhe harmonizimin juridiko-politik me institucionet e BE-së”, potencoi ai.
ImageAmir ShabaniFoto galeri
Në fund, njohësi nënvizon që prania e zyrtarëve të lartë amerikanë, si Marco Rubio, nënvizon rolin kyç të SHBA-së në sigurimin e paqes, stabilitetit dhe marrëdhënieve diplomatike të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor.
“Prania e zyrtarëve të lartë amerikanë në këtë konferencë, përfshirë Marco Rubion për balancat ndërkombëtare dhe çështjet e Ballkanit Perëndimor ka një rëndësi të veçantë pasiqë SHBA-ja ka një kontribut të pakontestueshëm në rajon sa i përket sigurimit të paqes dhe stabilitetit, arritjet e marrëveshjeve paqësore dhe marrëdhëniet e shkëlqyera diplomatike në vazhdimësi”, përfundoi Shabani për “Bota sot”.
