Albin Kurti: Ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, prioritet i qeverisë së re
Kabineti i ri qeveritar i kryesuar nga Albin Kurti mbajti sot mbledhjen e përuruese dhe të parë të punës, duke miratuar menjëherë buxhetin e vitit 2026 dhe një seri marrëveshjesh ndërkombëtare që kishin mbetur pa miratim nga legjislatura e kaluar.
Në këtë mbledhje, qeveria vendosi gjithashtu të kërkojë nga Kuvendi zgjatjen e Ligjit për Ndarje Buxhetore të vitit të kaluar edhe për muajin mars, për të siguruar ekzekutimin e pagave dhe pensioneve në sektorin publik pa ndërprerje.
Kryeministri Kurti rikujtoi se vitin e kaluar, Kuvendi ishte shpërndarë pa votuar buxhetin e shtetit prej 4 miliardë eurosh, Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian në vlerë prej 882.6 milionë eurosh dhe tri marrëveshje me Bankën Botërore mbi 120 milionë euro, duke rrezikuar përfitimet që mund të dilnin nga këto fonde.
Postim i plotë:
Mbledhja përuruese dhe e parë e punës së kabinetit të ri qeveritar. Që në ditën e parë të punës, u mblodhëm për të miratuar buxhetin e vitit 2026 dhe listën e marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat prej kohësh presin miratimin në Kuvend e që kanë edhe afat skadence. Gjithashtu, aprovuam vendimin për t’i kërkuar Kuvendit që të mundësojë zgjatjen e Ligjit për Ndarje Buxhetore të vitit të kaluar edhe për muajin mars, në mënyrë që të sigurohemi se pensionet dhe pagat në sektorin publik të ekzekutohen me kohë, teksa komisionet parlamentare dhe deputetët e legjislaturës së 10-të trajtojnë dhe miratojnë buxhetin për këtë vit.
Rikujtojmë se vitin e kaluar Kuvendi i Republikës u shpërnda pa u votuar buxheti i shtetit në vlerë prej 4 miliardë euro, Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian në vlerë prej 882.6 milionë euro dhe tri marrëveshje me Bankën Botërore në vlerë mbi 120 milionë euro, duke rrezikuar madje përfitimet nga to. Tash që kemi Kuvend të konstituuar dhe Qeveri të re në krye të detyrës, e kemi edhe një mundësi tjetër për t’i ratifikuar këto marrëveshje ndërkombëtare në Kuvend.
Shërbimi ndaj Republikës dhe qytetarëve, me punë e zell, nder e përkushtim, është privilegji më i madh që do ta kemi secili prej nesh.
