OPINIONTË FUNDIT

Adriana Matoshi ironizon duke publikuar fotografi para hyrjes së Kuvendit: Te puna e babit

Aktorja dhe deputetja e njohur shqiptare, Adriana Matoshi, ka rikonfirmuar mandatin e saj parlamentar të mërkurën gjatë seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke vazhduar kështu rrugëtimin e saj politik për të tretin mandat radhazi.

E njohur për stilin e saj të drejtpërdrejtë dhe shpeshherë ironik në komunikim publik, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje e shënoi këtë moment edhe me një publikim në rrjetet sociale.

Ajo ndau një fotografi në InstaStory, ku shfaqet duke pozuar para objektit të parlamentit, ndërsa mbishkrimi që zgjodhi të përdorë tërhoqi menjëherë vëmendje.

“Te puna e babit”, shkroi aktorja nga Gjilani, duke bërë një referencë satirike ndaj mënyrës se si disa përkrahës i drejtohen liderit të partisë së saj dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me nofkën “Albin Baba”. Postimi u interpretua si një tjetër shembull i humorit dhe sarkazmës që e karakterizon Matoshin, e cila edhe në skenën artistike është dalluar për role me nota komike.

Adriana Matoshi njihet gjerësisht nga publiku për paraqitjet e saj në serialet humoristike “Kafeneja Jonë” dhe “O Sa Mirë”, ku ka interpretuar personazhe që janë bërë pjesë e kujtesës kolektive të audiencës. Ky formim artistik duket se ka ndikuar edhe në mënyrën e saj të komunikimit publik, duke e bërë një nga figurat më të veçanta në politikën vendore.

Seanca e së mërkurës shënoi edhe zhvillime të rëndësishme politike, pasi me 66 vota pro u votua Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, i cili nisi mandatin e tij të tretë si kryeministër. /

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *