Kur sponsorët e gjykatës bëhen kritikë: mediat dhe analistët që deformuan të vërtetën
Një pjesë e madhe e medias shqiptare dhe analistëve luajtën dikur rolin e sponsorizuesve publik të Gjykatës Speciale të Hagës, duke e paraqitur si shpëtim kombëtar, të mirë dhe mekanizëm të patundur drejtësie.
Ata shfrytëzuan çdo hap të tribunalit për të krijuar përrallën e duhur: çlirimtarët paraqiteshin si kriminelë të padënuar, ndërsa e “harronin” Serbinë, Millosheviqin dhe Aleksandar Vuçiqin.
Sot, po e shohim qartë paradoksin: ata vetë, që dikur e lavdëronin gjykatën një-etnike dhe e promovonin pa rezervë, tani bëjnë zëra kritikë dhe protestojnë publikisht.
Ky oportunizëm nuk është thjesht cinik; është deformim i hapur i së vërtetës historike, një përpjekje për të shpëtuar fytyren e tyre, ndërkohë që e gjithë tregimi që këta e ndërtuan bie ndesh me realitetin shqiptar gjatë luftës çlirimtare.
Shembujt janë të shumtë: Analistë televizivë që në vitet e para e quajtën gjykatën speciale një “kërkesë historike për drejtësi dhe të domosdoshme”, sot e paraqesin atë si instrument politik kundër shqiptarëve dhe Kosovës.
Media të mëdha që publikuan çdo deklaratë të Prokurorisë Speciale, duke e justifikuar si “rëndësi kombëtare”, sot denoncojnë të njëjtën gjykatë si të padrejtë, duke harruar mbështetjen e mëparshme që i dhanë kur ndëshkonte UÇK-në.
Kjo hipokrizi e madhe e tyre bën të qartë një punë; se nuk ka asnjë përkushtim ndaj drejtësisë, vetëm manipulim politik dhe mbrojtje interesi personal.
Në vend që të reflektonin mbi faktet dhe kontekstin historik shqiptar; agresionin serb, krimet masive serbe, përdhunimet, deportimet e shqiptarëve, mediat e Tiranës e të Prishtinës u kthyen në zëra propagandistikë të Serbisë që deformuan realitetin shqiptar, duke ndihmuar Gjykatën të themelohej dhe të funksiononte si instrument selektiv një-etnik. Pra, duke e ndihmuar Serbinë e moçme; Serbinë e vitit 1878…
Sot është vonë për të fshehur të kaluarën: ata që e mbështeten dhe e arsyetuan gjykatën një-etnike duhet të mbajnë përgjegjësi për rolin djallëzor që luajtën në deformimin e së vërtetës historike. Dhe shqiptarët duhet të dinë të bëjnë diferencën mes çlirimtarit të drejtë, propagandistëve mediatik dhe biznesmeneve politik.
Gjithsesi, Kosova dhe shqiptarët duhet të qëndrojnë të palëkundur: lufta për liri dhe mbrojtja e të vërtetës historike nuk mund të jenë krim, dhe çdo përpjekje për të ndëshkuar çlirimtarin në vend të Serbisë agresore, është një krim ndaj historisë dhe moralit njerëzor.
Konsekuent deri në fund: A është e pranueshme që ato media e ata njerëz që dikur lavdëronin gjykatën një-etnike, tani na “qajnë” për çlirimtarët?
Ky është paradoksi i hidhur i shqiptarëve të Kosovës: agresori serb mbetet i paprekur, ndërsa çlirimtari gjykohet; dhe historia përzihet me propagandën e atyre që dikur e lavdëruan këtë gjykatë. Dekadencë!
