Koalicion VV–LDK, me Vjosa Osmanin Presidente – garanci për institucione stabile
Amerika, shpëtimtare, gardiane dhe, në një mënyrë, garantuese e prosperitetit dhe ardhmërisë sonë politike në arenën ndërkombëtare, duke na inkuadruar në mënyrë direkte në shoqëritë dhe shtetet më të fuqishme botërore, që nënkupton respekt, besim dhe bashkërendim në hapat historikë të ndryshimeve globale. A duhet ndokujt t’i shpjegohet se akceptimi i Presidentes znj. Vjosa Osmani në “Bordin e Paqes”, të themeluar nga Presidenti Donald Trump, pra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është momenti më aktual dhe interesant në historinë tonë të këtij shekulli?
Do të thoja se ndoshta Perëndia, pas gjithë atyre vuajtjeve, humbjeve në njerëz e pasuri dhe tentimit për zhdukjen e një populli shqiptar sepse është çka është, nga fqinji ynë verior Serbia, e ndezi dritën, tani jo në fund, por në fillim të tunelit, i cili po hap një kapitull krejtësisht të ri, të cilin gjithsesi duhet me mençuri ta shfrytëzojmë pa kurrfarë hezitimi.
Bëhuni bashkë tani, kur momenti po e kërkon, mu sikur luftëtarët e UÇK-së, kur u betuan ta japin jetën për atdhe.
Është lajm i mirë se LDK-ja e shprehu gatishmërinë për ta dhënë votën për “Bordin e Paqes” dhe, pse jo, edhe për t’ia dhënë votën znj. Vjosa Osmani në Parlament për t’u zgjedhur Presidente, që nënkupton, në një mënyrë, zhbllokimin e një bllokimi eventual në rastin e zgjedhjes së Presidentes dhe konstituimit të institucioneve, si dhe hapje rruge për marrjen e vendimeve rreth obligimeve ndërkombëtare për interesat tona nacionale e qytetare.
LVV-ja dhe Kryeministri në detyrë, z. Albin Kurti, i cili, nëse nuk ka ndërmarrë hapin e duhur në këtë moment si fitues i zgjedhjeve dhe përgjegjës kryesor për konstituimin e institucioneve shtetërore, t’i dërgojë ftesë z. Abdixhiku për koalicion, duke i ofruar disa ministri në marrëveshje vëllazërore, përmes së cilës do të krijohet një mundësi për bashkëpunim të ndershëm me interes qytetar, duke hequr dorë nga antagonizmat e dëmshëm për vendin.
Anëtarësimi në NATO dhe njohjet e reja, me Amerikën në të njëjtin institucion ndërkombëtar politik, janë shpresë dhe garancë suksesi. Është shans ideal që LDK-ja ta marrë rolin që e ka pasur si parti shtetformuese, duke bërë ndryshime esenciale politike e programore, duke iu përshtatur kohës dhe rrethanave dhe, njëherësh, të shndërrohet në një parti të fuqishme, e cila do të jetë e gatshme që një ditë edhe ta marrë pushtetin sipas meritave dhe angazhimeve karshi interesave shtetërore e qytetare.
Është shans ideal që LDK-ja t’i kthehet idealeve rugoviste aty ku janë larguar, duke e konsoliduar partinë dhe të arrijë rezultate për ta ngritur rejtingun dhe respektin.
Jam shumë i bindur se gjetja e një gjuhe të përbashkët politike për interes të atdheut, nën mbështetjen dhe përkujdesjen e mikut dhe shpëtimtarit tonë historik, SHBA-ve, prosperiteti, siguria dhe zhvillimi ekonomik e ushtarak nuk do të mungojnë.
Në të njëjtën kohë, po ia miratoni me vullnet vendimin e Presidentit Donald Trump që Presidenten Vjosa Osmani ta ketë në “Bordin e Paqes”, që për Dardaninë do të thotë shumë.
E keni shansin që popullit t’ia jepni atë që i duhet dhe që e keni për obligim.
Hafiz Shala
New York
9 shkurt 2026
