“Vetëm një proces zgjedhor, do të ndihmonte uljen e pakënaqësive të brendshme në LDK”
Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e fundit parlamentare shënoi një rënie edhe më të madhe se sa në ato paraprake. Kjo rënie e votuesve të LDK-së bëri që figurat më të mëdha brenda kësaj partie të paralajmërojnë dorëheqje.
Dorëheqje paralajmëroi edhe lideri i saj, Lumir Abdixhiku, si shenjë reformimi për këtë parti. Megjithatë, Abdixhiku në mbledhje e fundit me delegatët e LDK-së, me një përqindje të vogël votash, mori besimin për të vazhduar me udhëheqjen e kësaj partie.
Pasi kishte paralajmëruar dorëheqjen, ishte paraqitur edhe kundërkandidati i tij për të udhëhequr me LDK-në, ish kryeministri Avdullah Hoti.
Mirëpo, meqenëse konfirmimi i Abdixhikut si kryetar u bë me diferencë të vogël votash, a do të duhej që brenda LDK-së të niste një proces zgjedhor i parakohshëm nëpër degët dhe nëndegët e kësaj partie, me qëllim të forcimit të legjitimitetit të udhëheqjes dhe rifreskimit të strukturave partiake? A do të ndihmonte një proces i tillë në uljen e pakënaqësive të brendshme dhe në rritjen e unitetit politik brenda partisë?
Lidhur me këtë ҫështje për ‘Bota sot’ kanë folur njohësit e politikës, duke vlerësuar situatën e krijuar brenda LDK-së.
Mehmeti: LDK ka nevojë urgjente për zgjedhje të parakohshme në degë dhe nëndegë
Së pari, analisti politik, Faton Mehmeti thekson se, vazhdimi i lidershipit të Abdixhikut në LDK nuk është fitore politike, por krizë serioze brenda partisë.
“Konfirmimi i Lumir Abdixhikut si kryetar i LDK-së me një diferencë minimale votash nuk është fitore politike, por alarm serioz për krizën e brendshme të partisë. Kur një kryetar mezi siguron mbështetjen e strukturave, çdo përpjekje për ta paraqitur këtë si stabilitet është vetë-mashtrim politik”, vlerëson ai.
ImageFaton MehmetiFoto galeri
Analisti thotë se, LDK sot po sillet sikur problemi nuk ekziston, duke ndërtuar një kult të kryetarit, e jo një proces reformues.
“Në vend që të hapë partinë, ta demokratizojë dhe ta rifreskojë nga poshtë lart, udhëheqja po zgjedh rrugën më të lehtë: mbylljen, kontrollin dhe heshtjen e pakënaqësive. Një parti që humb zgjedhjet, por refuzon reformën, në fakt ka zgjedhur stagnimin. LDK ka nevojë urgjente për zgjedhje të parakohshme në degë dhe nëndegë, jo për dekor procedural, por për legjitimitet real politik. Pa këtë proces, çdo udhëheqje mbetet formale, e jo përfaqësuese”, thotë Mehmeti.
Dili: Zgjedhjet në degë dhe nëndegë mund të shërbejnë si valvul shkarkimi për tensionet e akumuluara
Lidhur me atë se a do të duhej që LDK-ja të niste një proces zgjedhor të parakohshëm në degë dhe nëndegë pas konfirmimit të Abdixhikut me diferencë të vogël votash, ka folur edhe analisti politik, Visar Dili.
Ai thotë se në rrethana normale politike, një fitore me diferencë të ngushtë votash nuk e delegjitimon automatikisht udhëheqjen.
‘Megjithatë, në rastin e LDK-së një parti me histori të theksuar të ndarjeve të brendshme një proces zgjedhor i parakohshëm në degë dhe nëndegë do të mund të shërbente si instrument politik për forcimin e legjitimitetit dhe stabilitetit të brendshëm”, thotë ai.
ImageVisar DiliFoto galeri
Po ashtu, analisti konsideron se, zgjedhjet e brendshme do t’i jepnin kryetarit të konfirmuar një bazë më të gjerë mbështetjeje dhe do të krijonin mundësi për rifreskimin e strukturave lokale, të cilat në shumë raste perceptohen si të konsumuara ose të shkëputura nga baza.
“Një qasje e tillë do të sinjalizonte gatishmëri për reformë dhe hapje ndaj kritikës, duke e zhvendosur fokusin nga gara për poste drejt rindërtimit organizativ të partisë. Megjithatë, një proces i tillë duhet të jetë i mirëorganizuar dhe gjithëpërfshirës, përndryshe rrezikon të prodhojë më shumë polarizim sesa stabilitet”, vlerësoi Dili.
Ndërkaq i pyetur se, a do të ndihmonte një proces zgjedhor i parakohshëm në uljen e pakënaqësive të brendshme dhe rritjen e unitetit politik brenda LDK-së, u shpreh se, në parim, po, por vetëm nëse procesi zhvillohet në mënyrë transparente dhe me rregulla të qarta.
“Pakënaqësitë brenda LDK-së nuk burojnë vetëm nga rezultati i një gare për kryetar, por nga ndjenja e përjashtimit, mungesa e komunikimit të brendshëm dhe perceptimi se vendimmarrja është e centralizuar.
Zgjedhjet në degë dhe nëndegë mund të shërbejnë si valvul shkarkimi për tensionet e akumuluara, duke i kthyer debatet e brendshme në procese demokratike dhe jo në përplasje informale apo publike. Përfshirja më e gjerë e anëtarësisë do të ndihmonte në krijimin e një ndjenje bashkëpronësie politike mbi drejtimin e parties”, thotë analisti.
Sipas tij, uniteti politik nuk ndërtohet vetëm përmes zgjedhjeve.
“Ai kërkon vullnet politik për bashkëpunim, përfshirje të zërave kritikë dhe një vizion të qartë për të ardhmen e partisë. Pa këto elemente, zgjedhjet e parakohshme rrezikojnë të jenë vetëm një proces formal, pa efekt real në kohezionin e brendshëm”, theksoi analisti Visar Dili për “Bota sot”.
