OPINIONTË FUNDIT

Përgjegjësia për zgjedhjen e presidentit/es është konkrete! Kush bllokon ose kush triblon do të ndëshkohet nga zgjedhësit e Kosovës!

Zoti Kurti thotë se zgjedhja e presidentit/es është në radhën e tretë ose të katërt. Por zgjedhja e kreut të shtetit është e para për nga rëndësia dhe pesha e përgjegjësisë politike. Nëse është fjala për atë se njëherë do duhet të kemi institucionet e tjera, kryesinë e parlamentit dhe qeverinë, e më pas të zgjidhet presidenti/ja, atëherë ka kuptim ajo që thotë kryeministri Kurti. Megjithatë koha po kalon. Kryesia e Parlamentit dhe qeveria nuk kanë datë skadence për t’u zgjedhur. Ndërsa kreu i shtetit ka një afat strikt, ora 24 e datës 5 mars 2026. Kushtetuta përcakton saktësisht se zgjedhja e kreut të shtetit të Kosovës duhet bërë jo më pak se një muaj nga dita e kurorëzimit të tij si president.

Atëherë çfarë duhet bërë? A mund të kemi një president/e ende pa u zgjedhur qeveria, nëse zgjedhja e tij/saj zvarritet pas datës pesë mars?! Të gjitha opsionet qëndrojnë. Me rëndësi është që Kosova të mos shkojë sërishmi në zgjedhje të reja parlamentare. A do të ndodhë që të zhvillohen këto zgjedhje të reja për shkak të dështimit të politikës për zgjedhjen e presidentit/es të Republikës? Duhet të shohim. Por ajo që shihet nuk premton diçka serioze. Zvarritja e çertifikimit të zgjedhjeve dhe mandatimit të fituesve në garën për deputetë është një sinjal jo pozitiv. Ditët kalojnë dhe askush në qeverinë e zgjedhjeve nuk merakoset për këtë fakt.

Por edhe nëse çertifikohen zgjedhjet, me qëllim që të funksionojë parlamenti do të duhet të zgjidhet kryesia e tij. Çfarë do të ndodhë me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese? A do të heqë dorë koalicioni fitues i Vetëvendosjes nga bllokimi i zgjedhjes së përfaqësuesit të propozuar nga Lista Srpska? Është një çështje pa përgjigje. Ka shumë gjasa që zgjedhja e zv/kryetarit të parlamentit nga radhët e deputetëve serbë të krijojë një ngërç të krijimit të kryesisë. Dhe pa kryesinë nuk do të ketë as qeveri, as president. Mirë qeveria pret. Por zgjedhja e presidentit/es është me afat të përcaktuar. Kaloi afati, shkohet në zgjedhje të reja.

Ndërkohë Kosova është lodhur nga zgjedhjet. Mjaft është mjaft. Cilado parti politike që merr përsipër rriskun ta çojë Kosovën në zgjedhje parlamentare të treta, do të paguajë kosto. Qytetarët do ta identifikojnë fajtorin, siç ndodhi në zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe nuk do ta votojnë atë. Kjo vlen në dy aspekte. Aspekti i parë ka të bëjë me përshpejtimin e krijimit të institucioneve dhe nisjen menjëherë të konsultimeve ndërpartiake për kandidaturën/at e presidentit/es dhe kjo përgjegjësi i takon Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes. Aspekti i dytë ka të bëjë me kourumin e votimit për zgjedhje dhe për këtë përgjegjës janë partitë shqiptare të opozitës, sidomos Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës pa njërën prej të cilave nuk mund të plotësohet numri prej 80 deputetësh në sallën e parlamentit.

Mundet që Lista Srpska me nëntë deputetë të qëndrojë në sallë, me qëllim që t’i japë një dorë debatit politik kundërshtues e akuzues në Kosovë. Por çështja e zgjedhjes së kreut të shtetit nuk është pjesë e pakos favorizuese Ahtisaari për deputetët serbë. Natyrisht që ata kanë të drejtën e tyre të qëndrojnë ose jo në sallë në seancën plenare kur zgjidhet presidenti/tja. Ta votojnë ose jo atë. Megjithatë përgjegjësia e kourimit prej 80 deputetësh është e partive politike shqiptare. Dhe nëse Vetëvendosja bëhet pengesë për një nënkryetar parlamenti të përfaqësuesve të pakicës serbe, ajo atëherë do të mbajë përgjegjësinë e krizës që shkaktohet me mos zgjedhjen e kreut të shtetit.

Të dy palët duhet të jenë konstruktivë. Kandidati/ja për president duhet votuar me shumicë absolute dhe me kourim të përcaktuar të numrit të deputetëve pjesëmarrës në votim. Kjo kërkon të përshpejtohet procesi i zgjedhjes së kryesisë së Kuvendit dhe të qeverisë. Si dhe të fillojë procesi i konsultimit për kandidaturën/at e mundshme. Për mua Vjosa Osmani do të duhet që edhe një pesëvjeçar ta përfaqësojë Kosovën në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe të kontribuojë në njohjen e shtetit të Kosovës. Ajo ka investuar gjatë këtij mandati me njohje dhe kontakte të paimagjinueshme në skenën ndërkombëtare. Nuk është fjala për t’i bërë një çokë zonjës Osmani, fjala është për t’i dhënë Kosovës një presidente që vërtet ka çfarë të japë për Kosovën. Ajo është tashmë presidentja e preferuar e Perëndimit, jo vetëm e Mark Ruttes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *