TË FUNDIT

Formimi i Qeverisë së re: Kurti flet për hapat, ekspertët paralajmërojnë pasoja nëse…

Në një kohë kur në skenën politike po shtohen diskutimet për afatet dhe vonesat e mundshme në formimin e institucioneve të reja, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka folur për hapat që do të ndërmerren drejt krijimit të Qeverisë së re.

Duke u deklaruar për media nga Podujeva, Kurti ka bërë të ditur se përbërja e qeverisë së ardhshme do të ketë shumë nga emrat e prezantuar më herët prej tij dhe kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, gjatë vjeshtës së vitit të kaluar, por se ajo nuk do të jetë identike.

“Do të ketë shumë prej emrave që i kemi prezantuar unë dhe Glauk Konjufca në vjeshtën e vitit të kaluar, por nuk do të jenë identikë. Do të ketë edhe emra të tjerë”, ka deklaruar Kurti.

Ai theksoi se hapi i parë në këtë proces mbetet konstituimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ndërsa menjëherë pas kësaj synohet formimi sa më i shpejtë i Qeverisë së re.

“Ne po përgatitemi që së pari ta konstituojmë Kuvendin dhe sa më shpejt ta formojmë Qeverinë”, u shpreh Kurti.

Kryeministri në detyrë foli gjithashtu për obligimet ndërkombëtare që presin miratim nga Kuvendi, duke theksuar se Kosova ka tri marrëveshje ndërkombëtare me Bankën Botërore, si dhe Planin e Rritjes me Bashkimin Evropian në vlerë prej 882.6 milionë euro.

“I kemi tri marrëveshje ndërkombëtare me Bankën Botërore dhe njëkohësisht e kemi Planin e Rritjes me BE-në në vlerë prej 882.6 milionë euro, që duhet sa më parë ta miratojmë në Kuvend”, ka përfunduar Kurti.

Nevoja për procedurat urgjente

Juristi Blerim Burjani, thotë se situata është urgjente për veprim.

ImageJuristi Blerim BurjaniFoto galeri
Sipas tij, duhen veprime të domosdoshme për të shmangur krizat dhe tensionet.

“Është situatë urgjente për veprim. Duhet që sa më parë të fillojnë procedurat për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë. Në të kundërtën, shteti do të përballet me probleme buxhetore dhe pasoja të tjera serioze.

Nuk duhet të mbizotërojnë deklaratat publike, por veprime të domosdoshme për të shmangur krizat dhe tensionet, veçanërisht nga të punësuarit në sektorin civil dhe publik. Po ashtu, marrëveshjet ndërkombëtare kërkojnë trajtim dhe miratim sa më të shpejtë”, deklaron Burjani për “Bota sot”.

Ai kërkon që energjia të përqendrohet në arritjen e funksionimit të plotë të institucioneve.

Sipas tij, qytetarëve nuk iu interesojnë përplasjet politike.

“Prandaj, energjia pozitive duhet të përqendrohet në këtë drejtim, me qëllim arritjen e funksionimit të plotë të institucioneve.

Pa institucione nuk ka asgjë. Qytetarëve nuk u interesojnë përplasjet politike apo garat se kush kë po e mund politikisht. Ata kanë dhënë votën që përfaqësuesit e tyre të shërbejnë, e jo të garojnë mes vete për pushtet”, shton juristi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka certifikuar rezultatet përfundimtare, por tashmë ka një javë që janë prezantuar ato përfundimtaret.

Sipas të dhënave të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar 51.10 për qind të votave, apo 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës, 20.19 për qind të votave apo 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës, 13.24 për qind të votave apo 15 ulëse, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, 5.50 për qind të votave apo gjashtë ulëse.

Nga ulëset e rezervuara për minoritetin serb, nëntë ulëse i ka fituar Lista Serbe dhe një ulëse, Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Pasojat e vonesës së institucioneve, sfidat dhe rëndësia

Ndërsa, profesori Nijazi Halili, konsideron se vonesa në formimin e Qeverisë së re paraqet një sfidë serioze.

ImageNijazi HaliliFoto galeri
Sipas tij, nëse nuk formohet qeveria deri në fund të shkurtit, krijohet një situatë e pasigurtë për qytetarët dhe mund të sjellë tensione sociale.

“Vonesa në formimin e Qeverisë së re paraqet një sfidë serioze për funksionimin normal të institucioneve të shtetit dhe për qytetarët e Kosovës. Aktualisht, Qeveria në detyrë mund të operojë vetëm deri në fund të shkurtit me buxhetin ekzistues. Pas kësaj periudhe, pagesat për administratën, pensionet dhe shpenzimet operative mund të vonohen ose të reduktohen, ndërsa projektet kapitale dhe investimet publike rrezikojnë të bllokohen. Kjo krijon një situatë të pasigurt për qytetarët dhe mund të sjellë tensione sociale. Për më tepër, vonesa në formimin e Qeverisë pengon miratimin e ligjeve të reja dhe marrëveshjeve ndërkombëtare. Fondet nga Banka Botërore dhe Plani i Rritjes me Bashkimin Evropian kërkojnë institucione funksionale dhe Kuvend të konstituar”, deklaron Halili për “Bota sot”.

Sipas tij, çdo vonesë nuk është thjesht një çështje politike, ajo ka pasoja reale ekonomike, sociale dhe ndërkombëtare.

Ai shton se është e rëndësishme që institucionet të funksionojnë normalisht.

“Një Qeveri e munguar ose një Kuvend jo i formuar rrit rrezikun që këto fonde të mos çlirohen në kohë, duke ndikuar direkt në projektet infrastrukturore dhe zhvillimore që prekin jetën e qytetarëve. Në këtë kontekst, kriza buxhetore nuk është vetëm një çështje teknike, por edhe një instrument real presioni politik. Afati i buxhetit mund të shërbejë si një alarm për partitë politike që të veprojnë shpejt dhe të konstituojnë institucionet, për të shmangur krizën operative të shtetit. Për fund, çdo vonesë nuk është thjesht një çështje politike, ajo ka pasoja reale ekonomike, sociale dhe ndërkombëtare. Për Kosovën është e rëndësishme që institucionet të funksionojnë normalisht për të garantuar pagesat e qytetarëve, vijimin e projekteve kapitale dhe besueshmërinë e vendit si partner stabil për investime dhe ndihma ndërkombëtare”, përfundon profesori për “Bota sot”.

Kujtojmë se, me rezultatin final të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti me partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje pritet ta formojë pa probleme Qeverinë e re. Megjithatë, ai e ka pranuar vetë një ditë më parë se do të duhet të krijohet një raport i ri mes pushtetit dhe opozitës për çështje tjera madhore, siç është ajo e pozitës së presidentit apo miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare. Për të dyja proceset duhet siguruar dy të tretat e votave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *