OPINIONTË FUNDIT

Dosjet Epstein/ Bytyçi “zbulon” rolin e fshehtë të Lajçak dhe lidhjet me krimin e organizuar në veri të Kosovës

Publikimi i dosjeve të Jeffrey Epstein ka nxjerrë në pah lidhje dhe veprime të dyshimta të disa aktorëve ndërkombëtarë, të cilët kanë qenë të përfshirë edhe në politikën dhe proceset diplomatike që lidhen me Kosovën.

Këto zbulime ngrejnë pyetje për ndikimet dhe vendimet e tyre në raport me vendin.

Profesori Enver Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se përfshirja e Miroslav Lajçakut në dokumentet e publikuara lidhur me Jeffrey Epstein hedh hije të rënda mbi rolin e tij si ndërmjetësues në dialogun Kosovë–Serbi. Sipas Bytyçit, kjo ngre dyshime për korrupsion dhe ndikime të mundshme nga Beogradi, duke përmendur edhe lidhje të afërta me Milan Radoiçiq.

Ai thekson se këto raporte kanë ndikuar në frikësimin e lidershipit të mëparshëm të Kosovës dhe kanë dëmtuar besueshmërinë e procesit të dialogut.

“Miroslav Lajçak është rasti i fundit, i cili provon atë që njerëzimi e ka thënë vazhdimisht: – “E drejta vonon, por kurrë nuk harron”! Perversiteti i zbuluar nga publikimi i dokumenteve të kriminelit me damkë, Jeffrey Epstein, e bën Miroslav Lajçak një njeri të urryer, përveçse diplomat të korruptuar deri në palcë. Por rasti vlen të trajtohet jo për të vlerësuar e dënuar perversitetin njerëzor të Lajçak. Për ne shqiptarët, sidomos për Kosovën, ky rast na bën të reflektojmë për raportet e krijuara në bisedimet Kosovë-Serbi. Kur mësojmë se si i ngarkuari i Bashkimit Europian për këtë dialog është korruptuar me femra nga ana e një manjati pedofil të SHBA-ve, atëherë nuk ka pse të mos besojmë se “ky njeriu i zoti në aksion”, dmth diplomati Miroslav Lajçak, të mos jetë korruptuar edhe në Beograd.

Po ashtu e njëjta logjikë vlen edhe për të korruptuarën tjetër të ngarkuar gjithashtu me këtë dialog, Frederica Mogherini. Presidenti Vuçiq dhe Ivica Daçiq janë të njohur për aftësitë dhe përkushtimin e tyre për t’i korruptuar diplomatët europianë e ata amerikanë përmes metodave të Jeffrey Epstein. Madje përvoja e Beogradit në këtë fushë është shumë më e vjetër sesa ajo amerikane e tipit Epstein. Kisha vënë re se Lajçak, pas takimeve “të padëshiruara” të tij me Albin Kurtin, udhëtonte në Beograd pasi bënte një ndalesë në Mitrovicën e Veriut, ku atij i shërbehej ajo që shërbente Epstein nga një kriminel tjetër, Milan Radoiçiq. Lidhjet e Radoiçiq dhe të Lajçak ishin të ngushta, përtej lidhjeve miqësore. Edhe për këtë arsye, disa politikanë të Prishtinës nuk guxonin ta godisnin kreun de facto të Listës Srpska. Fuqia e tij në lidhjet me Vuçiq dhe me diplomatë si Lajçak, e frikësonte para tij lidershipin e Kosovës para ardhjes në pushtet të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit” – shprehet ai.

Profesori vazhdon se Miroslav Lajçak ka vepruar si i njëanshëm dhe në shërbim të interesave serbe e ruse gjatë dialogut Kosovë–Serbi, duke fshehur fakte dhe duke dëmtuar pozitën e Kosovës.

Ai akuzon edhe Josep Borrellin për përzgjedhjen e Lajçakut, ndërsa përmend Frederica Mogherinin si pjesë të së njëjtës qasje, duke shtuar se përmes këtij procesi Kosova u ndëshkua me sanksione për shkak të refuzimit të zgjidhjeve serbo-ruse.

“I korruptuari Milorad Lajçak punoi kësisoj si mercenar i Beogradit për të implementuar interesat e Serbisë në procesin e dialogut të saj me Kosovën. Ai formalisht bënte si neutral. Por jo rastësisht i fshihte të dhënat, faktet dhe të vërtetat e hidhura serbe përballë Kosovës në tavolinën e dialogut. Ju kujtohet kur pas nja pesë orësh “kërkimi” mundi të paraqesë diçka të përafërt nga ajo që i pati kërkuar Albin Kurti gjatë një takimi në Bruksel. Ishte finok si çdo i korruptuar i formatit të tij. Ishte i pabesë, si çdo pedofil në rruzullin tokësor. Ishte intrigant si çdo aventurier në fushën e tij. Dhe si i tillë u soll edhe me dialogun midis Kosovës dhe Shqipërisë. Në Bruksel duhet t’i kishin këto të dhëna për Lajçak.

Megjithatë Borrell e përzgjodhi që ta udhëheqë dialogun Prishtinë-Beograd. I duhej po ky lloj perversi edhe të ngarkuarit me Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Europian. Sepse të dy ata, Borrell dhe Lajçak, vinin nga vende që nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës. Të njëjtën gjë kishte dëshmuar në vitet e mëparshme italiania, Frederica Mogherini. Ajo gati sa nuk ia arriti ta tjetërsojë edhe territorin e Kosovës.

Aq e korruptuar ishte. Por Mogherini kishte një përparësi justifikuese. Ajo u mbështet në perversitetin e saj korruptiv nga dy liderët kryesorë shqiptarë, ai i Shqipërisë, Edi Rama dhe i Kosovës, Hashim Thaçi. Dokumetet e publikuara na dëshmojnë edhe për lidhje të ngushta të Milorad Lajçak me Rusinë. Ai i pranon këto lidhje në bisedat me perversin amerikan, Epstein. Që do të thotë se në dialogun Kosovë- Serbi Lajçak ka përçuar jo vetëm interesat e Serbisë, por edhe ato të Rusisë. Në funksion të këtyre interesave Lajçak dhe Borrell u investuan që Kosovës t’i viheshin sanksione, që ajo të ndëshkohej pse kryeministri i vendit nuk po pranonte variantet serbe e ruse të zgjidhjes së konfliktit Kosovë-Serbi. Kjo e vërtetë tashmë nuk ka nevojë për prova dhe dëshmi shtesë. Lexohet dhe kuptohet shumë kthjellët. Dhe ata që për katër ose pesë vite fajësuan kryeministrin e Kosovës se “pa na prish me Europën dhe SHBA- në”, duhet së paku në këtë moment të kuptojnë se europianët ngarkuan një pervers për të udhëhequr dialogun Kosovë-Serbi dhe amerikanët e mbështetën këtë pervers ordiner” – u shpreh ai.

Në fund, propozon që Parlamenti i Kosovës të nxjerrë një rezolutë për të zhvleftësuar të gjitha marrëveshjet nënshkruar nga Frederica Mogherini dhe Miroslav Lajçak, të cilët ai i cilëson si diplomatë të korruptuar dhe të dëmshëm për Kosovën.

Ai thekson se vendimet e tyre duhet të shpallen null dhe Kosova nuk duhet të paguajë për “perversitetin e të korruptuarve”.

“Por ajo që kaloi nuk është tashmë me aq rëndësi. Parlamenti i Kosovës duhet të nxjerrë një rezolutë me të cilën të zhvleftësojë të gjitha marrëveshjet që janë nënshkruar në kohën e të korruptuarve Meghorini dhe Lajçak. Të dy këta u provuan tashmë si politikanë dhe diplomatë perversë, të shitur e të korruptuar, ashtu siç i kemi përshkruar ne disa në në zanafillën e angazhimit të tyre me Kosovën. Ndaj dhe vendimet që ata kanë diktuar në dëm të Kosovës duhen zhvleftësuar, duhen bërë null. Edhe ligjërisht dhe po vetëm në kuadër të angazhimeve politike e publike. Kosova nuk ka pse të paguajë perversitetin e të korruptuarve si Frederica Mogherini dhe Miroslav Lajçak! Perversët shqiptarë që kanë mbështetur këta dy perversë europianë kanë gjithashtu emër dhe mbiemër!”, përmbyll ai për gazetën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *