OPINIONTË FUNDIT

Rinumërimi drejt fundit, Kurti 3 drejt formimit të qeverisë

Të shtunën pritet të përfundojë procesi i rinumërimit të votave për zgjedhjet e 28 dhjetorit. Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi.

“Sipas planifikimeve të KQZ-së, deri në fund të këtij muaji, pra deri të shtunën, planifikojmë të përmbyllim rinumërimin në të gjitha vendvotimet. Pas rinumërimit, KQZ-ja do të mund të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve”, ka deklaruar Elezi.

Ndërkaq, shpallja e rezultateve përfundimtare pritet të bëhet në fillim të shkurtit. Pas përfundimit të rinumërimit do të bëhet edhe certifikimi i rezultatit zgjedhor, që hap rrugë krijimit të institucioneve të reja të Republikës së Kosovës.

Analistët parashohin se nuk do të ketë pengesa për të formuar Kuvendin dhe Qeverinë e re, megjithatë paralajmërojnë se mund të ketë vonesa për shkak të kuorumit për zgjedhjen e presidentit/es.

Ramadani: Rinumërimi mund të vonojë zgjedhjen e presidentit

Politologu Albert Ramadani, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se pas rinumërimit pritet shpallja e rezultateve përfundimtare në fillim ose në mes të shkurtit, dhe pas gjithë këtyre parregullsive është e vështirë të krijohen institucione të reja.

“Po rinumërimi do të përfundojë dhe sa i përket vonesave dhe problemeve që u shfaqën duke u prekur votat, mendimi im është që nuk duhet të jenë dy palë punues në numërim, por të jenë vetëm ata që janë të përzgjedhur nga KQZ-ja dhe direkt nga vendvotimet. Pas mbylljes së vendvotimeve, rezultatet të dërgohen direkt në qendrën e numërimit, pa i lënë fare mundësi komisionerëve të partive t’i numërojnë dhe të shkaktojnë dëmtime të rezultatit për kandidatët në vendvotime.

Por si do që ndodhë, pas rinumërimit pritet edhe shpallja e rezultateve përfundimtare, që pritet të bëhet në fillim ose në mes të muajit shkurt. Por pasi krejt çka ndodhi me prekjen e votave, disi është e vështirë që të kemi institucione të reja.

Ajo çka pretendohet është që institucionet të krijohen gjatë muajit shkurt; për mendimin tim nuk shoh një dritë në fund të tunelit”, ka thënë ai.
Gjithashtu, Ramadani ka ngritur pyetjen nëse do të ketë vonesa në krijimin e Qeverisë, duke thënë se me gjasë vonesat janë të pashmangshme për shkak të mungesës së vullnetit për formimin e saj pa u siguruar paraprakisht votat dhe kuorumin për zgjedhjen e presidentit/es.

Ai ka vlerësuar se vendi mund të përballet me përsëritje të zgjedhjeve deri në sigurimin e numrave të mjaftueshëm për një qeveri dhe një president të qëndrueshëm për një mandat të plotë.

“Po shtrohet pyetja: A mund të ketë vonesa në krijimin e Qeverisë?

Me gjasë do të ketë vonesa dhe duket se ka pak vullnet për krijuar Qeverinë pa u siguruar që do të ketë vota apo kuorum për zgjedhjen e presidentit/es.

Por edhe pse Kurti ka mjaftueshëm vota për krijimin e qeverisë, nëse nuk i ka votat e sigurta për të qëndruar katër vite komod, Kryetari i LVV-së dhe njëherazi Kryeministri në detyrë mund të ketë një mandat të tejzgjatur.

Por unë, siç po e shoh, nuk mendoj se vendi do të shpëtojë pa u përsëritur zgjedhjet si cikël, deri në plotësimin e numrave dhe komoditetit të plotë për krijimin e qeverisë dhe të presidentit, për një mundësi qeverisjeje pa brenga për katër vite, si mandat të plotë”, ka përfunduar Ramadani.

Preqi: Rinumërimi i votave si pasojë e vjedhjeve, por nuk do ta pengojë formimin e qeverisë Kurti 3

Ndërkaq, opinionisti, Dedë Preqi, ka deklaruar se zgjedhjet e 28 dhjetorit janë fituar nga LVV bashkë me partnerët e saj, ndaj formimi i Qeverisë Kurti 3 pritet të ndodhë së shpejti.

Sipas tij, rinumërimi i votave erdhi si pasojë e vjedhjeve brenda partive, por drejtësia do të veprojë dhe përgjegjësit do të ndëshkohen.

“Kuptohet se zgjedhjet e 28 dhjetorit kush i fiton, LVV, bashkë me simotrat e saj Lista GUXO, Alternativa dhe PSHDK, prandaj nuk ka pikë dyshimi se edhe formimi i Qeverisë së re Kurti 3, do të ndodh së shpejti pa humbur kohë, edhe pse kohën e duhur ia muar rinumërimi i votave si pasojë e vjedhjeve të tyre.

Mund të thuhet se në këto zgjedhje ka diçka më të veçantë se herëve tjera, kur vjedhja e votave dual në shesh brenda partive, që i vjedhin vota njëri-tjetrit , por drejtësia për këto vjedhje të vullnetit të qytetarëve do të triumfojë në bazë të ligjeve dhe rregullave të veta, dhe keqpërdoruesit do të ndëshkohen pa kompromis dhe amnisti ndaj tyre.

Pretendimet e opozitës, nga PDK, LDK dhe AAK, tani më dolën në sipërfaqe, që u munduan me gjitha përpjekjet dhe metodat e tyre që ta përmbysin pushtetin e Kurtit, dhe nuk ia dolën, pastaj iu kthyen vetvetes nga përvojat praktike, në lojën e secilës shfaqet ky kompleks i këtij lloji primitiv, duke ia vjedhë votën njëri-tjetrit.

Shpallja e rezultateve të rinumërimit pritet të bëhët në fillim të shkurtit, të cilat hapin rrugë të reja dhe të menjëhershme për formimin e Qeverisë së re, që në këtë rast e ndoshta si kurrnjëherë tjetër, kjo garniturë politike e LVV, do ti plotësonte të gjitha kushtet e formimit të qeverisë dhe funksionin e saj, duke u mbështetur në vullnetin e qytetarëve dhe forcat e veta politike”, ka thënë ai.

ImageOpinionisti, Dedë PreqiFoto galeri
Gjithashtu, Preqi ka theksuar se formimi i qeverisë së re nuk pritet të hasë pengesa serioze, përveç çështjes së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga minoriteti serb, e cila mbetet e paqartë deri në sqarimin e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas tij, qeveria e re do të formohet shumë shpejt dhe do të përballet me sfida të mëdha, në një kohë krizash globale që mund të ndikojnë edhe Kosovën.

“Krijimi i qeverisë së re nuk do të ketë pengesa tjera të theksuara deri te zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit, nga minoriteti serb, me që Gjykata Kushtetuese, ende nuk e ka sqaruar të drejtën e saj, dhe kjo është ajo që do ti jap rrugë dhe zgjidhje kësaj çështje, e cila duket komplekse, por është shumë e qartë…

Prandaj, për t’u mbrojtur nga përthithja e vorbullës dhe politikës serbe dhe vetë Serbisë, shteti i Kosovës, e ka shansin të bëjë vet llogaritë e veta për shtetin dhe popullin e vet, duke mundësuar veprimin e saj në përmbushjen e detyrave dhe realizimin e të drejtave të veta ligjore dhe kushtetutare, pa cenuar të drejtat e asnjë minoriteti tjetër.

Padyshim se qeveria e re në Kosovë, do të ndodh shumë shpejtë, e cila ka shumë për të bërë, ndoshta edhe më shumë se mendojmë, kur edhe krizat e kohës po vrapojnë nga gjitha anët, që mund të përkufizohet si « katastrofë globale »… dhe duhet ta kemi parasysh se nga ngjarjet e tilla mund të preket çdo vend, duke llogaritur edhe vendin tonë”, ka shtuar ai.

Tutje, Preqi ka theksuar se Kosova sot përballet me kërcënime jo vetëm nga armiku i jashtëm, por edhe nga ai i brendshëm, i përfaqësuar nga individë që synojnë pushtetin në mënyrë klandestine, duke dëmtuar stabilitetin dhe rendin shoqëror.

“Dhe Kosovën, asgjë nuk e bënë më problematike sot, përveç asaj se është gjithnjë në shënjestër të armikut shekullor që e kërcënon akoma, ky vend do kërcënohet edhe nga armiku i saj i brendshëm, i cili vjen nga njerëzit e prirur të rrëmbejnë pushtetin në formë klandestine, që përbënë hallkën e gjitha të këqijave, ku ekzistenca njerëzore e këtij vendi do ç’organizohet për një kohë të gjatë.

Kështu funksionoi Kosova për një kohë të gjatë të pasluftës, por kemi vënë re se me ardhjen në pushtet të kryeministrit Albin Kurti dhe të presidentes Vjosa Osmani, nisi të përpunohet një kulturë e re e qeverisje që drejtohet mbi vlera të rëndësishme njerëzore, duke e kthyer këtë vend në rrjedhën e vet të identitetit dhe shtetit të vërtetë e sovran”, ka përfunduar Preqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *