OPINIONTË FUNDIT

Çfarë po ndodh me dorëheqjen e Abdixhikut? Adem Salihaj thotë të vërtetën e hidhur

Javë më parë, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku njoftoi pas mbledhjes së kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, do të vendos për dorehqjen e tij.

“E kam obligim moral, politik të sjelljes time që të marrë përgjegjësinë dhe organizimin politik të LDK-së, përmes ofrimit te Kuvendi i LDK-së së dorëheqjes si kryetar i LDK-së dhe më pas Kuvendi le të vendosë përmes votës se a e pranojnë apo jo këtë dorëheqje. Po ashtu secili ka të drejtën e garantuar që deri atëherë të shtrojë kandidaturën individuale për kreun e LDK-së”, ka thënë ai.

Së fundi, është raportuar se do të zhvillohet edhe procesi i votëbesimit ndaj Abdixhikut.

Ndërkaq, më 31 janar pritet të mbahet Kuvendi i LDK-së, ku do të dihet fati i tij si kryetar.

Ish deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, në një prononcim për “Bota sot”, kritikuar Abdixhikun, duke thënë se procesi i dorëheqjes së tij është shndërruar në farsë dhe manipulim të Kuvendit të LDK-së.

Sipas tij, vendosja e dorëheqjes në votim është e paprecedentë dhe tregon mungesë ndershmërie ndaj partisë dhe votuesve.

“Dorëheqja e Lumir Abdixhikut po bëhet histori. Së pari ofroi dorëheqje, si reflektim për rënje të votave, pastaj tha do të ofroj dorëheqje në Kuvend të LDK-së, më vonë tha do të votojë Kuvendi për dorëheqjen time, nëse nuk ma pranon, më detyron të rri kryetar i LDK-së. Shihet qartë që ai ka për qëllim ta manipulojë Kuvendin, ndërsa ofrimi i dorëheqjes po del të jetë vetëm farsë, jo dorëheqje e vërtetë. Pra, gjithmonë në jetë duhet të jemi të ndershëm para vetes dhe të tjerëve. LDK ka ende mjaft votues dhe nuk është mirë të bëhet përpjekje të manipulohen në këtë mënyrë. Asnjëherë nuk ka ndodhur që një dorëheqje të vihet në votim. Lumir Abdixhiku po bëhet shembull unik”, ka thënë ai.

Po ashtu, Salihaj ka paralajmëruar se çfarëdo që të vendosë Kuvendi për dorëheqjen e Abdixhikut, pasojat do të jenë negative.

“Nuk e di a do ta votojë apo jo Kuvendi këtë dorëheqje, por si do që të ndodhë do të jetë keq për LDK-në, por edhe për vetë Lumir Abdixhikun, sepse në të dy rastet, autoriteti edhe i LDK-së, edhe i Lumir Abdixhikut do të jetë mjaft i rrënuar”, ka përfunduar Salihaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *