OPINIONTË FUNDIT

Geci paralajmëron: O pastrohet politika nga hajnat, o populli varfërohet edhe më shumë

Veprimtari Halil Geci ka reaguar ashpër ndaj asaj që e quan “politikë e hajnisë”, duke akuzuar politikanët se po e shkelin dinjitetin e qytetarit përmes vjedhjes së votës dhe abuzimit me pushtetin.

Ai thekson se politika duhet të jetë shërbim ndaj popullit, jo mjet pasurimi personal, ndërsa kritikon ashpër deputetët që, sipas tij, janë bërë milionerë duke plaçkitur besimin publik.

Geci shpreh shpresë te brezi i ri i politikanëve dhe bën thirrje për pastrim moral të skenës politike.

Shkrimi i plotë:

POLITIKA E HAJNISË: KUR VOTA VIDHET, DINJITETI I POPULLIT SHKELET

Politikanët hajna që ia vjedhin njëri-tjetrit votën, duke e poshtëruar qytetarin dhe shtetin

Politika, kur është e denjë, nuk është mjet për përfitim personal, por shërbim moral ndaj qytetarit. Ajo duhet të jetë akt përgjegjësie, jo pazari interesash. Të zgjedhurit nga vota e popullit duhet ta quajnë veten shërbëtorë të së mirës së përbashkët, e jo profiterë të pushtetit. Ky parim përbën themelin e lirisë, të dinjitetit shoqëror dhe të vetë demokracisë.

Vota e qytetarit dhe besimi që u është falur politikanëve kërkojnë guxim etik dhe përgjegjësi individuale për ta mbrojtur të mirën publike dhe për ta refuzuar padrejtësinë, duke e vendosur dinjitetin e qytetarit mbi çdo interes personal apo klanor.

Politika është guxim për të shërbyer, jo për të përfituar; është përgjegjësi morale ndaj njeriut dhe dinjitetit të tij.

Politika, deri më sot, më ka bërë të ndihem keq. Shumë politikanë, madje edhe deputetë, janë turrur drejt parlamentit si zagari pas gjahut, vetëm për të kafshuar diçka për vete. Jo pak prej tyre, ndër vite, më kanë lënë shijen e hidhur të zhgënjimit, sepse interesin e xhepit e kanë vendosur mbi atdheun dhe mbi arsyen pse qytetari ua ka besuar votën.

Të zgjedhurit nga populli kanë detyrim moral ta rikthejnë besimin e humbur për më shumë se dy dekada. Në emër të këtij besimi, shumë deputetë dhe politikanë i kanë futur duart në hajni dhe e kanë plaçkitur këtë popull, duke u shndërruar në multimilionerë, madje disa edhe në miliarderë, pa e ditur as vetë skajin e pasurisë së tyre.

O matrapazë, kuptojeni njëherë e mirë: politika duhet të jetë shërbim, jo profiterizëm; përgjegjësi ndaj qytetarit, jo privilegj mbi të. Heshtja përballë padrejtësisë nuk është neutralitet, por bashkëfajësi. Pushteti ka kuptim vetëm atëherë kur i shërben së mirës së përbashkët.

Sot, këta profiterë të politikës ecin të nderuar, me xhipa të zinj, me sirena e përcjellje, sikur të ishin presidentë të Amerikës, e jo hajna e kriminelë ordinerë që përmes politikës janë pasuruar duke plaçkitur arkën e popullit dhe duke përdorur forma të ndryshme të vjedhjes.

Shpresa dhe përgjegjësia e brezit të ri

Në legjislaturën e fundit ka edhe deputetë të rinj, madje doktorë shkencash, që për herë të parë kanë hyrë në politikë. Mes tyre është edhe djali im, Fatos Geci, i cili ka shprehur vullnetin të punojë ndershëm, ta dëshmojë vlerën e votës së qytetarit dhe të jetë shembull duke i denoncuar hajnitë aty ku ka dyshim.

Besoj se me politikanë të ndershëm dhe të pakorruptuar, Kosova do të kishte qenë moti në mesin e popujve me dinjitet, arsim, ekonomi dhe kulturë, për t’u pasur zili edhe nga demokracitë 300-vjeçare. Jo si sot, kur shoku shokut, miku mikut, brenda partisë ia vjedh votën dhe mandatin.

Shembujt e tillë, si rasti i disa gjeneralëve në Prizren, babë e djalë, që tentuan të fusin në politikë njerëz pa meritë, janë fytyra e shëmtuar që ia kanë marrë dinjitetin Kosovës dje dhe po ia marrin edhe sot.

Politika ose do të pastrohet nga hajnat e votës, ose do të vazhdojë ta varfërojë jo vetëm xhepin, por edhe shpirtin e këtij populli. Zgjedhja është morale, jo procedurale. Dhe kjo zgjedhje fillon aty ku përfundon frika dhe fillon përgjegjësia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *