OPINIONTË FUNDIT

Marrëveshje politike për postin e Presidentit/es: Cilës parti do t’ia kërkojë votat Vetëvendosja?

Procesi i rinumërimit të votave të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025 është zgjeruar në të gjithë territorin e Kosovës, pas zbulimit të mospërputhjeve serioze në votat e kandidatëve për deputetë.

Më 13 janar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) kishte nisur rinumërimin e plotë të votave në 10 komuna: Dragash, Kaçanik, Leposaviq, Prizren, Skenderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillugu. Ky hap u ndërmor pasi gjatë verifikimit të 2 për qind të vendvotimeve u konstatuan dallime në votat e kandidatëve.

Ndërkohë, në 28 komuna të tjera ishte paraparë fillimisht rinumërimi i vetëm 10 për qind të vendvotimeve. Mirëpo, gjatë këtij procesi të pjesshëm u vunë re mospërputhje të mëdha, çka çoi në vendimin e ri të KQZ-së.

Më 19 janar, KQZ vendosi që të gjitha votat në vendvotimet e 28 komunave të tjera të rinumërohen plotësisht, duke e shtrirë kështu procesin e rinumërimit në gjithë vendin.

Komunat ku do të zhvillohet rinumërimi i plotë janë: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë-Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin-Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.

Vendimi për rinumërim të plotë erdhi pas kërkesave të vazhdueshme të partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile, të cilat kanë theksuar nevojën për transparencë dhe ruajtje të integritetit të procesit zgjedhor.

Edhe në rinumërim Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të jetë fituesja e këtyre zgjedhjeve, por mbetet të shihet nëse ajo do të arrijë konsesus për konstituimin e Kuvendit dhe për formimin e qeverisë pas përfundimit të rinumërimit.

Domosdoshmëria për institucione stabile dhe të qëndrueshme

Analisti Nexhat Haziri, thotë se LVV edhe për kuvend edhe për formimin e qeverisë Kurti 3 i ka votat.

Por, ajo do marrëveshje më të gjerë politike për zgjedhjen e presidentit/es.

“Është në dorën e Kurtit si fitues i zgjedhjeve të vendos nëse do të bëjë qeveri i vetëm apo me koalicion, që nënkupton të arrijë një marrëveshje me njërën nga dy partitë më të mëdha opozitare, PDK-në apo LDK-në. Edhe për konstituimin e Kuvendit dhe për formimin e qeverisë Kurti 3, LVV-ja i ka votat. Por, ajo që kërkon marrëveshje me të gjerë politike, është zgjedhja e presidentit/ presidentes, pasi Kurti nuk i ka votat e mjaftueshme dhe bazuar edhe në deklaratat e partive opozitare se nuk do të votojnë zgjedhjen e presidentit/presidentes nëse paraprakisht nuk ka një marrëveshje”, deklaron Haziri.

Ai e konsideron të domosdoshme që Kosova të ketë institucione të qëndrueshme dhe stabilitet politik, jo vetëm për zgjedhjen e kreut të shtetit, por edhe për procese tjera.

Sipas tij, Kurti duhet të jetë më fleksibil në ndërtimin e institucioneve të reja duke ofruar një koalicion më të gjerë.

Avokati Gazmend Halilaj, thotë se arritja e një konsensusi minimal politik nuk është më opsion, por domosdoshmëri institucionale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *