Pas tetë aborteve spontane, ndryshimi i thjeshtë në dietë i solli një shtatzëni me binjakë në moshën 43-vjeçare
Molly Brown kaloi vite të tëra duke u përpjekur dëshpërimisht të bëhej nënë. Ajo përjetoi tetë aborte spontane, iu nënshtrua dy cikleve trajtimesh hormonale për fertilitetin dhe u përball vazhdimisht me zhgënjimin e testeve negative të shtatzënisë.
Brown, sot 43 vjeçe, dhe bashkëshorti i saj Zach Hosny, 34 vjeç, nga Reno i Nevadës, kishin ndjekur për vite me radhë një dietë vegjetariane dhe vegane, duke hequr nga ushqimi mishin e viçit dhe derrit dhe duke i zëvendësuar me bishtajore dhe drithëra.
Megjithatë, duke mos humbur shpresën se fati i saj riprodhues mund të ndryshonte, Brown vendosi të braktiste ushqyerjen vetëm me bazë bimore dhe të kalonte në një dietë kryesisht me produkte shtazore.
Ajo ka shpjeguar se për rreth 10 vite ishte ushqyer si vegjetariane dhe vegane për shkak të sindromës së zorrës së irrituar (IBS), duke menduar se mishi nuk do të tretet mirë dhe se ishte e vështirë të gjente mish cilësor në dyqane. Pas dëgjimit të disa podkasteve që promovonin dietën karnivore, ajo vendosi ta provonte edhe këtë rrugë, pasi kishte provuar pothuajse gjithçka tjetër.
Një ditë tipike ushqimi në regjimin e saj të ri përfshinte tre vezë me gjalpë dhe proshutë për mëngjes, mish viçi të grirë të skuqur për drekë dhe biftek me gjalpë dhe perime për darkë.
Vetëm disa muaj pasi rifuti mishin në dietën e saj, Brown mbeti natyrshëm shtatzënë me binjakë në vitin 2025. Duke pasur parasysh humbjet e mëparshme, ajo dhe bashkëshorti i saj ishin fillimisht optimistë me kujdes. Në dhjetor, çifti mirëpriti në jetë dy djem binjakë, Zander dhe Ryder.
Proteinat shtazore ofrojnë një sërë lëndësh ushqyese jetike për shëndetin riprodhues dhe zhvillimin e fetusit. Ushqime si vezët, mishi i viçit i rritur në kullota, salmoni i egër dhe mëlçitë janë të pasura me elementë që ndihmojnë fertilitetin, përfshirë vitaminën B12 për cilësinë e vezëve, hekurin për rregullimin e ciklit menstrual, zinkun për balancën hormonale dhe kolinën për zhvillimin e trurit të foshnjës.
Vetë Brown ka theksuar se nuk mund të pohojë me siguri se ngrënia e mishit ishte faktori vendimtar, pasi nuk është as shkencëtare dhe as mjeke, por beson se ky ndryshim ka ndihmuar.
Në fillim të vitit 2025, ajo rifuti në ushqim produkte shtazore cilësore si vezët, gjalpin dhe kolagjenin. Edhe pse vazhdoi të konsumonte perime, proteinat shtazore u bënë elementi kryesor i çdo vakti. Sipas saj, shtimi i lëndëve ushqyese thelbësore dhe yndyrnave të shëndetshme pati një ndikim të rëndësishëm në shëndetin e saj riprodhues, i cili zakonisht bie me rritjen e moshës.
Shtatzënia natyrale në moshën 43-vjeçare është e mundur, por shumë e rrallë. Gjasat mujore për një lindje të shëndetshme janë rreth dy për qind ose më pak, duke marrë parasysh rrezikun e lartë të abortit spontan. Pas tetë aborteve dhe një shtatzënie natyrale me binjakë në këtë moshë, Brown ka shprehur bindjen se fëmijët e saj “duhej të vinin në këtë botë”.
Megjithatë, shtatzënia e saj u shoqërua me komplikacione serioze. Në javën e 17-të, mjekët zbuluan se binjakët vuanin nga Sindroma e Transfuzionit Binjak-me-Binjak (TTTS), një ndërlikim i rrallë që ndodh te binjakët që ndajnë të njëjtën placentë. Kjo gjendje shkakton një çekuilibër, ku njëri fetus merr shumë pak lëndë ushqyese, ndërsa tjetri merr më tepër seç duhet.
Brown iu nënshtrua urgjentisht një ndërhyrjeje kirurgjikale, gjatë së cilës mjekët kryen një procedurë lazeri brenda mitrës për të mbyllur enët anormale të gjakut dhe për të korrigjuar çekuilibrin kërcënues për jetën.
Ajo u monitorua çdo javë deri në fund të shtatzënisë dhe, në muajin e tetë, solli në jetë binjakët me operacion cezarian. Binjakët zakonisht lindin mes javës së 32-të dhe 36-të të shtatzënisë, ndërsa java e 37-të konsiderohet ideale.
Të dy foshnjat lindën të shëndetshme: Zander peshonte rreth 2 kilogramë, ndërsa Ryder rreth 1.1 kilogramë. Ata qëndruan për disa javë në repartin e kujdesit intensiv neonatal për të shtuar peshë, por përndryshe ishin të fortë dhe pa probleme serioze shëndetësore.
Sot, Brown shprehet se i do pafund djemtë e saj dhe se ndihet jashtëzakonisht me fat që arriti të mbetej shtatzënë dhe të përjetonte këtë eksperiencë, edhe pse e vështirë. Për të, kjo është një bekim i madh.
Ndërkohë, mjekët vazhdojnë të paralajmërojnë se konsumimi i tepruar i mishit të kuq, gjalpit dhe ushqimeve të tjera shtazore të pasura me yndyrë lidhet me rritjen e rrezikut për sëmundje të zemrës dhe infarkte. Edhe pse disa udhëzime ushqimore janë rishikuar së fundmi, këshilla moderne për gratë shtatzëna mbetet e balancuar: të zgjidhet mish cilësor, të gatuhet mirë dhe të konsumohet me masë, si pjesë e një diete të larmishme dhe të shëndetshme, duke u dhënë përparësi prerjeve më të dobëta.
