Faktori pak i njohur i rrezikut për kancerin e zorrës së trashë, për të cilin mjekët po paralajmërojnë tani
Rritja shqetësuese e rasteve të kancerit të zorrës së trashë te të rinjtë mund të lidhet me një ndryshim të nënvlerësuar në vetë strukturën e zorrës, paralajmërojnë shkencëtarët.
Studiues nga UT Southwestern analizuan inde nga 33 pacientë me kancer të zorrës së trashë, përfshirë 14 persona nën moshën 50 vjeç. Ata zbuluan se te pacientët e rinj, zorra e trashë ishte bërë jashtëzakonisht e fortë dhe e ngurtë, ndryshe nga ajo e pacientëve që e zhvilluan sëmundjen në moshë më të madhe.
Sipas studiuesve, kjo ngurtësim i indit bën që qelizat të shumohen më shpejt, duke rritur mundësinë e mutacioneve të rrezikshme. Njëkohësisht, ai shton rrezikun e fibrozës (dhëmbëzimit) të zorrës, e cila nxit më tej rritjen e qelizave – një rreth vicioz që favorizon zhvillimin e kancerit.
Shkaku kryesor i këtij ndryshimi, sipas studimit, është inflamacioni kronik, i cili ndryshon strukturën e kolagjenit – një proteinë kyçe mbështetëse në zorrën e trashë – duke e bërë indin më të dendur dhe më të ngurtë.
Nuk është ende e qartë se çfarë e nxit inflamacionin kronik te këta pacientë. Megjithatë, raste të mëparshme e kanë lidhur inflamacionin me ushqyerjen e pashëndetshme, duhanpirjen, mungesën e gjumit dhe disa sëmundje kronike gastrointestinale.
Dr Emina Huang, kirurge në UT Southwestern dhe autore kryesore e studimit, deklaroi se ekipi po punon për të identifikuar shkaqet e sakta të inflamacionit. “Duhet të analizojmë si faktorët shkaktarë, ashtu edhe pasojat, për ta kuptuar plotësisht problemin,” u shpreh ajo.
Ajo theksoi se ky është studimi i parë që vë në pah rolin kyç të forcave biomekanike në zhvillimin e kancerit kolorektal me fillim të hershëm. Sipas saj, gjetjet përfaqësojnë një hap të rëndësishëm drejt identifikimit të personave në rrezik dhe drejt gjetjes së mënyrave të reja për parandalim dhe trajtim.
Studimi, i botuar në revistën shkencore Advanced Science, analizoi si indet kancerogjene, ashtu edhe qelizat përreth tyre që nuk ishin kancerogjene. Mostrat u morën gjatë ndërhyrjeve kirurgjikale për heqjen e pjesëve të prekura të zorrës së trashë, të kryera në William P. Clements University Hospital dhe Parkland Health në Teksas.
Analiza tregoi se kolagjeni te pacientët me kancer të hershëm të zorrës së trashë ishte më i dendur dhe më i gjatë, çka e bënte indin më të ngurtë krahasuar me pacientët që u sëmurën në moshë më të madhe.
Më pas, shkencëtarët kultivuan qeliza kanceroze në laborator mbi xhele speciale (hidrogela) me nivele të ndryshme ngurtësie, për të parë se si fleksibiliteti i mjedisit ndikon në rritjen e qelizave. Rezultatet treguan se qelizat shumoheshin më shpejt në mjedise më të ngurta, duke përforcuar idenë se ngurtësimi i zorrës rrit rrezikun për kancer.
Edhe pse shkaku i inflamacionit të shtuar mbetet i paqartë, autorët theksojnë se studime epidemiologjike sugjerojnë se stili i jetesës dhe faktorët mjedisorë mund të çojnë në inflamacion kronik, i cili dihet se shkakton fibrozë të indeve.
Këto gjetje vijnë në një kohë kur po vërehet një rritje globale e rasteve të kancerit të zorrës së trashë te të rinjtë, një trend që ka hutuar mjekët. Shkaqet e sakta nuk janë ende të qarta, por së fundmi vëmendja është zhvendosur edhe te ndryshimet në mikrobiomën e zorrëve.
Studime të shumta kanë fajësuar obezitetin, dietat e varfra ushqyese dhe faktorë të tjerë mjedisorë. Gjithashtu, sëmundje si koliti ulceroz dhe sëmundjet inflamatore të zorrëve rrisin ndjeshëm rrezikun: personat me këto diagnoza kanë deri në tre herë më shumë gjasa të zhvillojnë kancer të zorrës së trashë.
Edhe pse kanceri i zorrës së trashë mbetet më i shpeshtë te personat mbi 50 vjeç, të dhënat tregojnë se ai është rritur me rreth 50 për qind te grupmoshat më të reja gjatë tre dekadave të fundit.
Sipas të dhënave zyrtare për vitin 2022, 6.3 persona për çdo 100 mijë banorë nën 50 vjeç u diagnostikuan me këtë kancer, krahasuar me 4 për 100 mijë në vitin 2000. Që nga viti 2020, rastet me fillim të hershëm përbëjnë rreth 12 për qind të të gjitha diagnozave të kancerit të zorrës së trashë në SHBA – një shifër që ka ngritur alarmin te autoritetet shëndetësore.
