Britania e Madhe “flirton” me Kinën. Starmer shkon në Pekin, ringjallje e “epokës së artë” tregtare
Britania dhe Kina synojnë të ringjallin të ashtuquajturin dialog të “epokës së artë” në fushën e biznesit, kur kryeministri Keir Starmer të zhvillojë një vizitë të planifikuar në Pekin javën e ardhshme. Këtë e thanë tre burime me njohuri mbi nismën, ndërsa pritet pjesëmarrja e drejtuesve të lartë nga të dyja palët.
AstraZeneca, BP, InterContinental Hotels Group, Jaguar Land Rover, Rolls-Royce, Schroders dhe Standard Chartered janë ndër kompanitë britanike që pritet t’i bashkohen një “Këshilli të rinovuar të CEO-ve Mbretëria e Bashkuar–Kinë”.
Ky këshill u konceptua fillimisht në vitin 2018 nga kryeministrja e atëhershme Theresa May dhe kryeministri kinez i kohës, Li Keqiang, gjatë një periudhe marrëdhëniesh që të dyja palët e quanin “epoka e artë”, shkruan A2.
Pala kineze pritet të përfaqësohet, ndër të tjera, nga Banka e Kinës, Banka Komerciale dhe Industriale e Kinës dhe Grupi Farmaceutik Kombëtar. Negociatat kanë qenë në zhvillim prej disa kohësh, por meqenëse vizita e Starmerit varej kryesisht nga dhënia e lejes nga Londra për ndërtimin e ambasadës më të madhe kineze në Evropë, bisedimet vetëm së fundmi kanë nisur seriozisht.
Starmer pritet të zhvillojë vizitën e parë të një lideri britanik në Kinë që prej vitit 2018, me synimin për të rigjallëruar lidhjet me ekonominë e dytë më të madhe në botë, pasi qeveria paraardhëse konservatore e ktheu Britaninë në një prej kritikëve më të ashpër të Pekinit.
Përpjekjet për t’u afruar me Kinën vijnë teksa Perëndimi është më i përçarë se kurrë në dekadat e fundit. Në prag të vizitës në Pekin, qeveria e Starmerit mori vendimin e guximshëm t’i japë dritën jeshile projektit kinez për ambasadën më të madhe në Evropë, pavarësisht paralajmërimeve nga SHBA se ajo mund të shërbejë si bazë spiunazhi. (A2 Televizion)
