Prof. Ymeri: PDK tentoi manipulimin e votave, interes i vetëm mbetet pushteti, Vetëvendosje ta demaskoj publikisht këtë parti
Profesori dhe analisti politik Prof. Dr. Eshref Ymeri ka akuzuar Partinë Demokratike të Kosovës për tentativë manipulimi të procesit zgjedhor edhe pas rinumërimit të votave.
Sipas Ymerit, “PDK-ja thaçiste u mundua të manipulonte votat pas rinumërimit të tyre”, duke shtuar se kjo sjellje dëshmon një prirje të vazhdueshme manipuluese të kësaj force politike.
Ai vlerëson se kjo parti “nuk ka menduar dhe nuk mendon kurrë për të mirën e popullit dardan”, ndërsa thekson se interesi i saj i vetëm mbetet pushteti. Sipas tij, pushteti shihet si mjet për “grabitjen e pasurive të vendit dhe pasurimin e oligarkëve të saj”.
Në deklaratat e tij, Ymeri shprehet se qëndrimet e PDK-së janë thellësisht antikombëtare.
“Kjo parti noton në kënetën e tradhtisë së Hashim Thaçit dhe të bandës së tij”, ka deklaruar ai, duke e lidhur vijën politike të saj me praktikat e manipulimit zgjedhor në rajon.
Në këtë kontekst, profesori bën edhe një krahasim me zhvillimet në Shqipëri, duke thënë se “këto qëndrime janë në vazhdën e tradhtisë së Partisë Socialiste të Edi Ramës”, për të cilin shton se “gjatë 12 viteve në pushtet e ka përvetësuar zanatin e manipulimit të zgjedhjeve deri në përsosmëri”.
Duke folur për rolin e Lëvizjes Vetëvendosje, Ymeri thekson se ajo duhet të veprojë më vendosmërisht ndaj PDK-së.
“Vetëvendosja duhet ta demaskojë publikisht Partinë Demokratike, duke i ofruar popullit dardan fakte konkrete dhe të padiskutueshme”, ka deklaruar ai.
Sipas Ymerit, një qasje e tillë do ta forconte më tej pozitën politike të kësaj force.
“Faktet demaskuese kundër partisë thaçiste do t’ia ngrejnë edhe më lart autoritetin politik Vetëvendosjes”, është shprehur ai.
Në analizën e tij, profesori i referohet edhe një thënie të Napoleon Bonapartit, të cilën e konsideron përshkrim të saktë të filozofisë së opozitës aktuale.
“Ekzistojnë dy mekanizma për qeverisjen e njerëzve – postet e larta në hierarkinë shtetërore dhe paratë për manipulimin e tyre”, ka cituar Ymeri fjalët e Bonapartit.
Ai shton se PDK-ja dhe opozita në tërësi “kanë frikë nga rritja e autoritetit të Vetëvendosjes në radhët e popullit dardan”, pasi, sipas tij, qytetarët po bindën gjithnjë e më shumë për vlerat e këtij subjekti politik.
Në përfundim, Ymeri vlerëson se “partitë me qëndrime antikombëtare, në përputhje me interesat e Serbisë, janë të dënuara të mbeten përherë në opozitë”.
