U përfshin tri vetura, u lënduan katër persona- Policia identifikon shoferin që u arratis pasi e shkaktoi aksidentin në Prishtinë
Policia e Kosovës, ka njoftuar se është identifikuar një person i cili dyshohet se ka shkaktuar një aksident trafiku ku janë lënduar katër persona.
Ndaj të dyshuarit, policia njofton se janë ndërmarrë masat ligjore konform legjislacionit në fuqi.
Komunikata:
Shkaktoi aksident me lëndime dhe u largua nga vendi i ngjarjes, Policia e identifikon dhe merr masa ndaj shoferit në Prishtinë
Prishtinë, 20 janar 2026- Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit njofton se me datë 18.01.2026, në rrugën “Isa Kastrati” në Prishtinë ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime dhe dëme materiale.
Sipas të dhënave fillestare nga vendi i ngjarjes, një automjet kishte goditur dy vetura, me ç’rast ka shkaktuar lëndime trupore te katër persona, si dhe dëme materiale në automjetet e përfshira në aksident.
Menjëherë pas pranimit të informatës, Njësiti i Trafikut të Kryeqytetit ka dalë në vendin e ngjarjes, ku ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe hetimore për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
Si rezultat i veprimeve policore, është arritur që të identifikohet dhe të lokalizohet shoferi, i cili dyshohet se ka shkaktuar aksidentin. Ndaj tij janë ndërmarrë masat ligjore konform legjislacionit në fuqi.
Policia e Kosovës rithekson përkushtimin e saj për rritjen e sigurisë në trafik dhe u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, shpejtësinë e lejuar dhe sinjalistikën rrugore, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe ruajtjes së jetës së qytetarëve.
