OPINIONTË FUNDIT

Manipulim votash dhe përplasje të brendshme: Rinumërimi zbulon prapaskena të rënda zgjedhore

Rinumërimi i votave të zgjedhjeve të 28 dhjetorit në Kosovë po nxjerr në pah ndryshime të mëdha në rezultatet e disa kandidatëve për deputet.

Në disa raste, pas rinumërimit po rezulton se kandidatëve u janë shtuar qindra e mijëra vota, duke ngritur dyshime serioze për integritetin e procesit zgjedhor.

Këto zhvillime kanë hapur debat nëse brenda subjekteve politike ka pasur vjedhje masive të votave dhe nëse ky fenomen tregon për ekzistencën e një “lufte” të brendshme për pushtet.

Në këtë kontekst, rinumërimi i votave po shihet gjithnjë e më shumë si një alarm serioz institucional, që jo vetëm vë në pikëpyetje rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, por edhe ekspozon problemet e thella të demokracisë së brendshme në partitë politike të Kosovës.

Manipulim brenda partive

Analisti Faton Mehmeti vlerëson se ndryshimet e mëdha që po shfaqen nga rinumërimi nuk mund të relativizohen si gabime teknike.

“Rinumërimi i votave dhe ndryshimet e mëdha që po shfaqen te disa kandidatë nuk janë thjesht çështje teknike, por sinjal serioz se diçka nuk ka funksionuar si duhet në procesin fillestar të numërimit”, thotë Mehmeti.

ImageFaton Mehmeti
Ai thekson se shtimi i madh i votave për individë të caktuar krijon dyshime të arsyeshme për manipulim të brendshëm.

“Kur nga rinumërimi dalin qindra apo mijëra vota më shumë për individë të caktuar, kjo krijon dyshime se brenda vetë subjekteve politike ka pasur manipulim, qoftë përmes ndërhyrjes njerëzore, qoftë përmes menaxhimit të dobët të komisioneve partiake”, shprehet ai.

Sipas Mehmetit, kjo situatë nxjerr në pah edhe një problem më të thellë politik.

“Ky fenomen tregon ekzistencën e një ‘lufte të brendshme’ për pushtet brenda partive politike. Në shumë raste rivaliteti nuk është vetëm mes partive, por mes vetë kandidatëve të së njëjtës listë”, deklaron analisti.

Ai paralajmëron se nëse këto mospërputhje nuk adresohen seriozisht, pasojat mund të jenë afatgjata për skenën politike.

“Procesi zgjedhor po shndërrohet nga garë politike në betejë të brendshme, ku çdo votë bëhet armë. Nëse kjo nuk ndalet, rrezikohet besimi në përfaqësimin politik dhe krijohen përçarje të thella brenda partive”, shton Mehmeti.

Komisionerët dhe kandidatët janë pjesë e së njëjtës skemë

Ndërkohë, njohësi i proceseve zgjedhore, Blerim Burjani, është edhe më i ashpër në vlerësimin e tij, duke thënë se problemi ka rrënjë strukturore.

ImageBlerim Burjani
“Gabimi më i madh është bërë kur partitë politike janë marrë vesh që të rrumbullaksohen nga 10 kandidatë. Ky ishte kthim në vitin 2007, kur kishte vjedhje të mëdha që u cilësuan industriale”, thotë Burjani.

Sipas tij, e njëjta skemë po përsëritet edhe tani.

“Po ndodh vjedhje nga komisionerët, blerje e komisionerëve nga kandidatët për deputet të të gjitha partive politike. Prapa komisionerëve qëndrojnë vetë kandidatët”, thekson ai.

Burjani shpreh shqetësim edhe për numrin e madh të votave që po marrin kandidatë anonimë.

“Për çudi, kandidatë që nuk janë medialë, nuk janë të njohur dhe nuk kanë pasur asnjë performancë në Kuvend, po dalin me mijëra vota. Kjo ka ndodhur në të gjitha subjektet politike, pa përjashtim”, deklaron ai.

Sipas Burjanit, rinumërimi i plotë i votave është tregues i dyshimeve serioze për vjedhje masive.

“Rinumërimi i plotë i votave do të thotë se ka dyshime për vjedhje industriale të votave, gjë që e prish rëndë imazhin e zgjedhjeve demokratike”, shprehet ai.

Si zgjidhje, Burjani propozon ndryshime rrënjësore në sistemin zgjedhor.

“Këto hajni të votave mund të shmangen nëse lejohet rrumbullaksimi i vetëm 1 deri në 3 kandidatëve për deputet, ose edhe vetëm një kandidati. Sa më pak kandidatë, aq më pak manipulim dhe më pak hajni kolektive”, përfundon Burjani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *