OPINIONTË FUNDIT

Një “alibi” për humbjen e thellë, Qarri: Akuzat e Abdixhikut ndaj politikanëve të vjetër thellojnë krizën brenda LDK-së

Të dielën kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj, manipulimeve të votës në disa qytete, duke theksuar se viktima kryesore e këtyre veprimeve janë politikanët e rinj dhe reforma.

Në një postim në facebook, Abdixhiku tha se vota u është tjetërsuar jo vetëm Paris Gurit, por edhe politikanëve të tjerë të rinj, jo për shkak të gabimeve të tyre, por sepse janë të pastër dhe nuk u përshtaten atyre që e kanë shndërruar politikën në strehë interesi.

Sipas Abdixhikut, ajo që po ndodh në disa qytete nuk është rastësi, por rezistencë e atyre që, siç tha, e kanë gërryer sistemin nga brenda dhe sot po përpiqen ta ndalin reformën.

“Parisit, dhe jo vetëm atij, por dhe politikanëve tjerë të rinj, ua tjetërsuan votën. Jo sepse gabuan, por sepse janë të rinj, të pastër dhe nuk u përshtaten atyre që e kanë kthyer politikën në strehë interesi. Kur goditet një i ri në politikë, nuk goditet vetëm një emër; goditet ideja e një gjenerate që beson te e ardhmja.

Mbi të gjitha, goditet reforma!

Kjo që po ndodh në disa qytete, nuk është rastësi. Është rezistencë e atyre që e kanë gërryer shtëpinë tonë nga brenda dhe sot duan ta ndalin reformën që nuk e durojnë dot. Sulmi ndaj emrave të rinj e të pastër është sulm ndaj punës tonë pesë vjeçare dhe ndaj vullnetit të mbështetësve që është shprehur qartë me votë të lirë”, ka shkruar mes tjerash Abdixhiku.

Ky diferencim i politikanëve të rinj nga ata të vjetrit nuk është pritur mirë brenda për brenda LDK-së, por as më gjerë në opinion.

Analisti politik Gani Qarri, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se zgjedhjet parlamentare dhe fitorja spektakolare e Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë janë pasojë e drejtpërdrejtë e një periudhe gati njëvjeçare përplasjesh të paprecedenta ndërpartiake.

“Zgjedhjet parlamentare dhe fitorja spektakolare e Albin Kurtit dhe VV-së në Kosovë erdhën si pasojë e një periudhe gati njëvjeçare përplasjesh të paprecedent ndërpartiake, ku aktori kryesor i bllokadës institucionale dhe ngërçit mbi 9 mujor politik u konsiderua pikërisht kryetari i katapultuar në krye të LDK-së, Lumir Abdixhiku.”

ImageGani QarriFoto galeri
Ai thekson se bllokada mbi 9 mujore institucionale dhe përplasjet e vazhdueshme politike nxorën në pah fjalorin e ashpër polarizues dhe qëndrimin refuzues të Abdixhikut për bashkëpunim me partitë e tjera, gjë që detyroi vendin të shkonte sërish në zgjedhje.

“Fakti se bllokada mbi 9 mujore institucionale dhe përplasjet e vazhdueshme politike, gati njëvjeçare nxorën në pah fjalorin e ashpër polarizues dhe qëndrimin në vijimësi-refuzues të Lumir Abdixhikut për mosbashkëpunim me asnjë nga partitë politike, për nxjerrjen e vendit nga kriza e krijuar, përveç organizimit brenda një viti, të 4-rë palë votimeve, detyroi vendin për shkuarjen për herë të dytë brenda një viti edhe në zgjedhjet parlamentare (të 28 dhjetorit), me ç`rast votuesi i paanshëm ndau dënime e shpërblime dhe sipas bindjes sime, shkaku i gabimeve të Lumir Abdixhikut, LDK mori njërin nga ndëshkimet më të rënda që nga ekzistimi i saj si parti, ndërsa LVV shpërblimin më të madh, duke arritur fitoren më spektakolare në gjithë historinë e pasçlirimit të Kosovës.”

Qarri thekson se edhe procesi i rinumërimit të votave ka nxjerrë në pah manipulime serioze.

“Por, sikur mos të mjaftonte ajo që ndodhi për gati një vit në Kosovë, fatkeqësisht edhe rinumërimi i votave nga zgjedhjet shembull për demokraci dhe qasje të kulturuar në rajon e më gjerë të votuesve tanë shembullor, po dëshmon se komisionarët e korruptuar kanë keqpërdorur votat deri në ato përmasa shqetësuese sa disa kandidatëve për deputetë brenda të njëjtës parti, u janë shtuar masovikisht votat, e disa të tjerëve u është zvogëluar shumëfish numri i tyre.”

Ai shton se kjo gjendje e rëndë ka detyruar KQZ-në të marrë vendim për rinumërimin e të gjitha vendvotimeve.

“Prandaj duke parë se sa më shumë po shkohet drejt fundit të rinumërimit të pjesshëm të vendvotimeve në vend, dukuria e shëmtuar e manipulimit dhe rëndimi gjithnjë e më tepër i gjendjes nga keqpërdorimi galopant i votës së lirë të qytetarëve po rritet, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), u detyrua të marrë vendim për rinumërimin e të gjitha vendvotimeve në Kosovë.”

Sipas Qarrit, manipulimi i votave nuk është më çështje vetëm e një partie, përfshirë LDK-në.

“Kështu që manipulimi i votave qofshin ato edhe brenda partiake, nuk është më punë e Lumir Abdixhikut, veçanërisht pasi që disa herë të paktën në media, ai dhe partia që udhëhiqte janë akuzuar publikisht për manipulimin e votave të qytetarëve, sidomos të atyre nga diaspora, derisa në rastin aktual me keqpërdorimet e mundshme të votave brenda partive, e pas vendimit të KQZ-së për rinumërimin e të gjitha vendvotimeve në mbarë vendin, edhe për keqpërdorimin e votave ndërmjet partive të ndryshme dhe heqjen e të gjitha dyshimeve edhe për Lumir Abdixhiku-n & Co, që për gati 1 vit, bllokuan nxjerrjen e vendit nga ngërçi dhe kriza e paprecedent politike, ndërsa tani keqpërdorojnë rastin të ‘brengosen’ kaq shumë për çështje që nuk i kanë detyrë zyrtare, dhe nuk janë të thirrur ligjërisht as profesionalisht të merren kaq pandershmërisht me ‘diktimin’ e mënyrave të veprimit, derisa nuk janë në gjendje ti spastrojnë as radhët e veta nga kriminalizimet e hapura dhe korruptimet evidente brenda vet partive të tyre, dihet publikisht se tashmë, ka filluar të merret prokuroria e shtetit.”

Qarri thekson se Abdixhiku duhet të heshtë për shkak të rolit që pati në humbjen e LDK-së.

“Abdixhiku duhet të heshtë edhe për faktin se përplasjet mbi 9 mujore, bllokada gati njëvjeçare institucionale dhe fjalori tepër polarizues i Lumir Abdiuxhikut e Kimete Bajramit, quan në humbjen e dytë më katastrofale të LDK-së dhe fitoren bindëse të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), andaj para se të akuzojë politikanët e vjetër se kinse ua paskan vjedhur votat politikbërësve të rinj, Abdixhiku duhet të përqendrohet në çështjen kruciale të partisë dhe ta marrë përsipër përgjegjësinë që i takon për humbjen e thellë të LDK-së si i pari i saj, duke dhënë dorëheqje të parevokueshme.”

Ai thotë se vetëm dorëheqja e Abdixhikut mund ta ndihmojë LDK-në të rimëkëmbet.

“Vetëm në këtë mënyrë ai do ti ndihmonte LDK-së për këndellje dhe rikthimin e namit të dikurshëm që kishte si parti institucionale e shtetormuese, pasi që është Abdixhiku ai i cili me veprimet e tij të pamatura politike, e ka kthyer LDK-në në partinë më konfliktuoze, kontaminuesen aktuale të atmosferës politike në vend dhe shkaktaren më të pandreçshme të mosmarrëveshjeve ndërpartiake në Kosovë, ndërsa tagrin më të rëndë të gjithë kapriçiove dhe aventurave amatoreske politike të Abdixhikut & Co, po e paguan partia e parë dhe dikur më e madhja në Kosovë, LDK e dr. Ibrahim Rugovës.”

Qarri thekson se akuzat e Abdixhikut ndaj politikanëve të vjetër po e thellojnë krizën brenda LDK-së.

“Me akuzuat e paprecedent të Abdixhikut se politikanët e vjetër ua paskan vjedhur votat politikanëve të rinj të partisë, ai qëllimisht po tenton ta thellojë edhe më tepër krizën dhe rrit përçarjet edhe më shumë brenda vet LDK-së, që edhe ashtu pas humbjes së rëndë në zgjedhjet e 28 dhjetorit është në situatë shumë të pafavorshme politike.”

Ai shton se Abdixhiku po përpiqet të përdorë hedhjen e përgjegjësisë tek të tjerët si alibi për humbjen.

“Kurse qasjen e pakuptimtë të hedhjes së përgjegjësisë ndaj të tjerëve, Abdixhiku po përpiqet ta përdor si shfajësim të vetvetes, si dhe alibi për humbjen e thellë që LDK ka pësuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, nën udhëheqjen e tij.”

Në fund, Qarri thotë se LDK ka nevojë urgjente për ndarje përfundimtare nga Abdixhiku.

“Prandaj kjo është arsyeja që ai është hedhur në luftë të hapur kundër anëtarëve më të devotshëm dhe aktivistëve më të dëshmuar të LDK-së, në kohën e të cilëve LDK zinte vendin e parë në zgjedhje dhe ishte partia më e votuar në vend, ndaj LDK ka nevojë urgjente për ndarjen përfundimtare nga Abdixhiku dhe politikbërja kaotike e një kryetari si ai, të katapultuar në krye të LDK-së, pa votën dhe pëlqimin e anëtarësisë së saj.”

Ai përfundon se Abdixhiku po i cilëson padrejtësisht anëtarët më besnikë si “të vjetër”.

“Dhe për rrjedhojë, pas humbjeve spektakolare, pikërisht shkaku i gabimeve të tij personale, në qasje dhe qëndrime, kryetari i katapultuar nga jashtë partisë, në krye të saj, Lumir Abdixhiku, ka gjetur që pikërisht pjesën më të devotshme dhe më të dëshmuar për suksese të LDK-së, ti klasifikojë si ‘të vjetër’, kur dihet mirëfilli se me përjashtim të një numri të vogël, nuk është vërtetuar asnjëherë dhe me asnjë veprim se ‘të vjetrit’, të cilët vetëm Abdixhiku merr guximin ti quaj ashtu, mund t`ia duan të keqen LDK-s, segment ku ata kanë filluar hapat e parë të aktivitetit të vet politik, kanë avancuar idealet e demokracisë dhe janë rritur bashkë me te, duke i qëndruar gjithmonë besnik kësaj partie dhe kaluar sfidat më të rënda nëpër të gjitha periudhat e kohëve më kritike, pjesë e të cilave as që ishte fare Abdixhiku.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *