OPINIONTË FUNDIT

Vjedhja e votave ka emër

Rinumërimi i votave ka nxjerrë një model manipulimi që është përdorur në të gjitha komunat: në Prizren më së shumti kanë përfituar kandidatët e Prizrenit, në Kaçanik ata të Kaçanikut e në Podujevë kandidatët e po kësaj komune. Mospërputhjet janë shënuar brenda listave zgjedhore dhe jo te votat e partive. E, një kandidat ka humbur ulësen në Kuvend, të cilën e pati fituar bazuar në rezultatet e para
Rinumërimi i deritanishëm i votave ka prodhuar ndryshime në përbërjen e Kuvendit. Jashtë tij ka mbetur ministri në detyrë i Zhvillimit Rajonal dhe kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës, Fikrim Damka.

Pas rinumërimit, Damkës i janë hequr 88 vota, duke ia humbur mandatin. Vendin e tij e ka zënë kandidati i katërt në listën e KDTP-së, Ergyl Mazrek, i cili tani ka 90 vota më shumë sesa Damka.
Megjithatë, dallimet brenda KDTP-së janë minimale krahasuar me ato që janë evidentuar te tri partitë më të mëdha parlamentare. Deri tani rinumërimi nuk ka nxjerrë mospërputhje në votat e partive, por vetëm te votat e kandidatëve brenda listave.

Prizreni del komuna me mospërputhjet më të mëdha. Me rinumërimin e 98 për qind të kutive, rezulton se kandidatëve të PDK-së u janë shtuar rreth 19 mijë vota që nuk i kanë marrë nga qytetarët. Te LDK-ja dallimi është rreth 4 mijë e 500, ndërsa te Vetëvendosje mbi 3 mijë e 100.

Përfituesi më i madh nga ky keqnumërim është kandidati i PDK-së, Fetah Paçarizi. Nga 14 mijë e 606 vota sa kishte para rinumërimit, atij i kanë mbetur 8 mijë e 596. Dallimi prej 6 e 010 votash nënkupton se më shumë se 40 për qind e votës së tij ishte rezultat i abuzimit gjatë numërimit.

Në Prizren, nga PDK-ja kanë përfituar edhe Nait Hasani me 3 mijë e 409 vota, Kujtim Gashi me 2 mijë e 360, Luljeta Veselaj-Gutaj me 2 mijë e 102 dhe Arianit Çollaku me 1 mijë e 684 vota të gjithë këta kandidatë nga kjo komunë. Nën një mijë vota kanë përfituar edhe Fadil Demaku e Enver Hoxhaj.
Nga LDK-ja përfituesit kryesorë janë gjithashtu nga Prizreni. Xhavit Uka ka 1 mijë e 597 vota më shumë, Driton Selmanaj 1047 dhe Anton Quni 5.

Edhe te Vetëvendosje përfitimet më të mëdha nga keqnumërimi në Prizren janë evidentuar te kandidatët që vijnë nga kjo komunë. Arbër Rexhaj ka përfituar 628 vota, Rea Krasniqi 545, Dafina Alishani 465, Mytaher Haskuka 280 dhe Artan Abrashi 243. Valon Ramadani nga Ferizaj ka përfituar 432 vota.

Nga dhjetë komunat ku votat do të rinumërohen 100 për qind, procesi ka përfunduar në tri prej tyre. Njëra është komuna e Leposaviqit, ku rinumërimi ka nxjerrë kandidatët që kanë përfituar më shumë nga keqnumërimi – Jasmina Saviq 36 vota, Slavko Simiq 31 dhe Slagjana Rashiq 11. Asnjë kandidat i partive të tjera nuk ka përfituar më shumë se tri vota.

Edhe në Kaçanik rinumërimi ka përfunduar. Më së shumti nga keqnumërimi kanë përfituar kandidatët e kësaj komune. Kosovare Murseli e PDK-së ka 100 vota më pak pas rinumërimit. I dyti është Jeton Raka i Vetëvendosjes, që gjatë numërimit i ka marrë 78 vota që s’ia kanë dhënë qytetarët, ndërsa Besim Ilazi, ish-kryetar i Komunës dhe kandidat i PDK-së ka humbur 53 vota.

Rinumërimi i plotë ka përfunduar edhe në Dragash. Kandidati i Vetëvendosjes nga kjo komunë, Filiz Mustafa, ka humbur 231 vota.

Nga PDK-ja Xhevahir Geci ka humbur 87 vota pas rinumërimit e Linda Nebiu nga Dragashi, 74 vota. Kandidatit të LDK-së, Zeni Krasniqi, i janë hequr 16 vota edhe ky banor i qytezës jugore.
Në komunat ku është rinumëruar vetëm 10 për qind e vendvotimeve, mospërputhjet më të mëdha janë evidentuar në Podujevë. Aty kandidatët e Vetëvendosjes kanë përfituar gjithsej 1 mijë e 65 vota, të PDK-së 120 dhe të LDK-së 102.

Rinumërimi në Podujevë ia ka hequr 288 vota ministrit në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Votat u janë hequr edhe dy kandidatëve të tjerë të Vetëvendosjes nga kjo komunë, Vendenis Lahut – 246 dhe Adelina Stubllës – 174.

Ndërkohë Ditjona Statovci e PDK-së, edhe kjo nga Podujeva, ka përfituar 85 vota që nuk i janë dhënë nga qytetarët.

Deri në orën 19:00 të së dielës janë numëruar 513 nga 914 vendvotime të çuara në rinumërim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *