OPINIONTË FUNDIT

Lis Bukuroca: Kusarë me kollare?

Vjedhja në Shqipëri, më herët edhe në Kosovë, nuk ishte thjesht keqpërdorim, por sistem. E ndaluar me ligj, por e legalizuar nga prokurorë të korruptuar dhe nga një mendësi që e sheh shtetin si livadh të elitës politike.

Edhe korrupsioni është i ndaluar me ligj. Por për liderët politikë dhe bashkëpunëtorët e tyre, në Shqipëri dhe Kosovë, për vite me radhë u trajtua si profesion i ligjshëm. Prokuroria jo vetëm që e lejoi, por e normalizoi, sepse edhe vetë ishte e korruptuar.

Vjedhja u shndërrua në profesion: sidomos te partitë që kishin pushtetin: PD, PS, LSI, PDK, LDK dhe AAK. Shumica e atyre që u ngjitën në majat e këtyre partive sot janë tejet të pasur, përfaqësues tipikë të një kleptokracie.

Në Kosovë, ato parti paskan vjedhur vota në mënyrë industriale. Madje, në raste si te PDK-ja, vjedhja paska ndodhur edhe mes deputetëve të saj. Kjo nuk është befasi, por vazhdimësi. Për keqardhje, paska pasur edhe pak keqpërdorim te VV. Por këtë ajo di ta luftojë dhe ka vullnet ta bëjë.

Pse ndodh kjo? Sepse, si shoqëri, jemi në gjendje të vrasim për një metër katror oborr apo arë, por nëse dikush vjedh shtetin, e konsiderojmë si “marrje që nuk dëmton njeri”. As atdheun, as ne.

Një lexues më shkroi: “Pse po pezmatohesh, kur ty nuk të kanë vjedhur?”

Kështu mendojnë shumë veta dhe kështu legalizohet vjedhja e shtetit, duke u mbështetur padrejtësia si sistem. Revolta konsiderohet e drejtë vetëm kur vidhemi individualisht, por jo kur vidhet shteti që garanton pavarësinë e atdheut.

Në vendet ku ka shtet ligjor, sipërmarrësit janë të pasur, por jo politikanët, e aq më pak gazetarët. Ne kemi edhe gazetarë milionerë.

“Jepjani Çezarit atë që i takon Çezarit”, tha Krishti. Sot sistemi e ka përkthyer kështu: jepjani oligarkëve pasurinë, Ramës pushtetin dhe popullit durimin.

Opozita në Kosovë ndihet e detyruar të vjedhë, sepse ka frikë nga vetingu dhe nga Byroja për Sekuestrimin e Pasurisë së Paligjshme.

Në Shqipëri, pothuajse ka mbetur vetëm Rama si “i pakorruptuar”, si shenjtor, ndërsa shumë ministra të tij dhe zyrtarë të lartë janë nën hetime.

Sa mirë që kemi një hajdut më pak. Sepse Ramën e kemi të pastër si loti.

Megjithatë, këto vjedhje nuk ndodhin sepse ata i duan paratë më shumë se të tjerët. Ato ndodhin sepse populli e lejon këtë veprimtari dhe nuk e konsideron shtetin si institucion të drejtësisë, por si ngrehinë që shërben për të legalizuar një elitë kriminale. Populli është thjesht vështrues.

Dhe ja mrekullia: Rama rrethohet nga të korruptuar dhe i lufton pikërisht ata. I zgjedh vetë, ata përfundojnë në burg, ndërsa Rama shfaqet viktimë.

Në epokën ilire njiheshim si piratë; sot, në Europë, si vjedhës më të mëdhenj të shtetit. Populli që e toleron vjedhjen e shtetit, e voton edhe hajdutin pa u skuqur.

Nuk i kanë fajet vetëm hajdutët, por më shumë ata që i durojnë në krye.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *