Pagesë e majme dhe kushte për personazhet, Arbana Osmani rikthehet në ekran!
Arbana Osmani rikthehet në spektakël. Moderatorja e dashur do të vijë sërish për publikun në një spektakël në formën e “reality”, këtë herë në një logo tjetër mediatike.
“Kryefjala” ka bërë me dije se ajo do të jetë prezantuesja e “Ferma VIP”. Një spektakël ky që për 100 ditë sjell konkurrentët VIP në një habitat tërësisht ndryshe. Pasi prej kohësh i mungon televizionit, mesa duket ajo tashmë ka vendosur që të rikthehet.
Pas Fjoralba Ponarit dhe Luana Vjollcës, këtë herë do të jetë Arbana, ajo që do të mirëpresë publikun në spektaklin që do të mbahet 2 herë në javë.
Nga ana tjetër, në skuadër me të, në pultin e regjisë, do të jetë edhe bashkëshorti i saj, Eduart Grishaj.
Por rikthimi në ekran i saj nënkupton edhe disa kushte që prezantuesja i ka vendosur produksionit si për pagesën, ashtu edhe për kastin e personazheve që do të marrin pjesë në këtë spektakël.
Ajo çfarë dihet me siguri është fakti se një ofertë shumë bujare është bërë për të, të cilën vetë Arbana ka vendosur që ta pranojë.
Teksa shumë është aluduar në rrjet për largimin e saj nga televizioni ku punoi për vite me radhë në programe të ndryshme, ajo i dha të gjitha përgjigjet. Këto të fundit nuk i përngjasojnë atyre që shpesh jemi mësuar të dëgjojmë.
“2 vite më parë, ndoshta në këtë orë, në një studio të madhe me shumë drita, në programin që kishte mbërthyer shqiptarët brenda dhe jashtë kufijve, e vetmja gjë që mezi po prisja të ndodhte ishte që ai program të mbaronte! Isha në pozicionin më të lakmuar që një prezantues televiziv mund të ketë, audiencë maksimale, sukses i jashtëzakonshëm, rroga me shumë zero, kontrata marketingu, tituj në portale.
Afërmendsh, kushdo që ishte afër meje asokohe dhe dëgjonte që thosha se vitin tjetër nuk do të isha më në prezantimin dhe drejtimin e ‘Big Brother’, më thoshte se po ia fus kot, se po bëj shumë gabim! Se është maja e spektaklit, se do ishte fundi i karrierës sime, se do më mbylleshin të gjitha dyert, se nuk ka asnjë njeri të pazëvendësueshëm, se do pendohesha.
Natyrisht, një pjesë dolën të vërteta. E pavarësisht korit që kisha kundër atë kohë, unë vendosa të largohesha, jo pa keqardhje, por se po humbisja diçka më të rëndësishme se suksesi, ambicia dhe paratë. Se po humbisja veten time!”, – u shpreh prezantuesja.
Edhe pse ka bërë përherë punën që ka dashur, Arbana ndan me publikun atë pjesë që i kishte munguar aq shumë dhe mbase e kishte tjetërsuar.
Një mesazh ky që nuk është fama, suksesi, paratë apo klikimet elementët që na bëjnë të ndihemi të gjallë e të kompletuar.
“Kam filluar ta bëj këtë punë që 14 vjeç jo për t’u bërë e famshme, por se më buronte, se kam dashur të komunikoj me publikun. Pavarësisht se nuk kam qenë imazhi perfekt i bukurisë në televizion. S’kisha atë gjatësinë, ecjen, duart i mbaja keq… Akoma i mbaj keq! Unë prapë kam bërë në televizion gjithçka që kam dashur. Jo gjithmonë ia kam dalë, por nuk jam dorëzuar asnjëherë! Se prindërit më kanë mësuar se duhet të luftosh për atë që do, të qëndrosh edhe kur thyhesh! E megjithatë, para 2 vitesh u dorëzova! U largova nga ajo studio e madhe zemërthyer, u largova duke menduar nëse kolegët e mi do më shkruanin apo do më flisnin.
Ika dhe nuk kisha asnjë plan B. Asnjë! Nuk dija se çfarë doja, por dija se çfarë nuk doja dhe kaq më mjaftonte. Kisha shumë frikë, por frika për të ndryshuar nuk ishte më e madhe se frika për të qëndruar, por e mundi.
Dalëngadalë rikuperova kohën me fëmijët e mi, shijova jetën reale. Atë që s’ka lidhje me followersat, grimin. Duke ikur nga suksesi në sytë e publikut, po njihja një sukses të ri, jo rehat, por pa atë ndjesinë që të mbyt, që nuk të lë të lirë.
Një dhuratë që po i bëja vetes sime. Jeta ka mënyrën e vet për të treguar se duartrokitjet e audiencave të mëdha ishin zëvendësuar me ato të fëmijëve të mi. Ne nuk jemi në këtë jetë për të qenë të përsosur! Nëse thyhemi, të ringrihemi më të fortë! Në kërkimin për sukses, këshilla ime është të mos humbni dritën tuaj! Unë kam zgjedhur të jetoj jetën time dhe jo pritshmëritë e të tjerëve! Ndoshta kjo është forma më e pastër e guximit”, – përfundoi Arbana Osmani.
