OPINIONTË FUNDIT

I hesht ndërkombëtarët plani i Kurtit për dy sistemet paralele serbe

Nisma e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për shkrirjen graduale të strukturave paralele arsimore e shëndetësore serbe në sistemin e Kosovës, nuk është komentuar nga Bashkimi Evropian dhe shtetet kryesore perëndimore as një ditë pas shpalosjes së saj. E korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, thotë se BE-ja nuk do të reagojë, pa parë se në çfarë drejtimi do të shkojnë veprimet e Qeverisë lidhur me çështjen, por edhe hapat që do t’i ndërmarrë rreth themelimit të Asociacionit
Pa përgjigje nga Bashkimi Evropian dhe nga vendet e QUINT-it ka mbetur ideja që kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ua shpalosi, në një takim të premten, ambasadorëve e përfaqësuesve diplomatikë për shkrirjen graduale të strukturave paralele shëndetësore e arsimore serbe në sistemin e Kosovës.

Në Brukselin zyrtar, në ambasadën e SHBA-së, atë të Britanisë së Madhe, të Gjermanisë, të Italisë dhe të Francës as të shtunën nuk iu përgjigjën pyetjeve të adresuara nga KOHA lidhur me çështjen.

E korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, thotë se Bashkimi Evropian nuk do të reagojë, pa parë se në çfarë drejtimi do të shkojnë veprimet e Qeverisë lidhur me çështjen, por edhe hapat që do të ndërmarrë rreth themelimit të Asociacionit.

“Në njërën anë, diplomatët me të cilët kemi kontaktuar kanë thënë se ata mirëpresin paralajmërimet e zotit Kurti se gjithçka do të bëhet në koordinim me Bashkimin Evropian. Por, në anën tjetër, po ashtu thonë se duhet të presin të shohin se çfarë qëndrimi dhe çfarë qasje do të ketë Qeveria e Kosovës ndaj detyrimeve të Kosovës për të nisur themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, ka thënë Palokaj.

Por, ai thotë se BE-ja është deklaruar që më herët që mbylljen e strukturave paralele serbe nuk e do në mënyrë të njëanshme ndërsa shtoi se rënia e këtyre strukturave ishte lidhur me ngritjen e Asociacionit.

“Bashkimi Evropian në të kaluarën ka vlerësuar se ato nuk duhet të mbyllen në mënyrë të njëanshme. Duhet të ketë konsultime me qytetarët, në mënyrë që të mos ketë efekt negativ në jetën e tyre, dhe madje e ka lidhur shuarjen e strukturave të tilla me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili do të bartte disa përgjegjësi. Në anën tjetër, pikërisht shëndetësia dhe arsimi janë konsideruar si fusha shumë të ndjeshme, prandaj BE-ja nuk flet shumë për to”, ka thënë Palokaj.

E doktori i shkencave politike, Arben Qirezi, vlerëson se iniciativa e Kurtit është në përputhje me marrëveshjet e arritura në Bruksel e Ohër dhe se nuk shkon në disfavor të serbëve lokalë.

“Iniciativa e kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, për t’i shkrirë institucionet arsimore dhe shëndetësore të Serbisë në Kosovë është plotësisht në përputhje me Marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit që parashikojnë njohjen de fakto të Kosovës nga Serbia. Me këtë shkrirje, serbët nuk do të humbasin asgjë. Përkundrazi, do ta jetësonin autonominë e gjerë që ua mundëson Pakoja e Ahtisaarit dhe Kushtetuta e Kosovës. Megjithëkëtë, kjo shkrirje duhet bërë në koordinim me BE-në dhe SHBA-në”, ka thënë Qirezi.

Planin e tij, Kurti ua ka kumtuar të premten ambasadorëve dhe diplomatëve ndërkombëtarë gjatë një takimi, në të cilin i ka ftuar për të diskutuar për çështje të tjera – mbi Ligjin për të Huaj dhe Ligjin për Automjete.

“Kryeministri i informoi ambasadorët e pranishëm mbi domosdoshmërinë e fillimit të integrimit gradual të sistemeve të shëndetësisë dhe arsimit, si pjesë e një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë. Kryeministri tha se ky proces integrues do të bëhet në koordinim me Bashkimin Evropian dhe duke siguruar që brengat dhe këshillat e komunitetit joshumicë serb në Kosovë të merren në konsideratë”, është thënë në njoftimin e Qeverisë në detyrë.

Paralajmërimet e Qeverisë për procesin e integrimit të sistemit shëndetësor dhe arsimor kanë qenë temë diskutimi edhe në Serbi. Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, gjatë takimit në Beograd me emisarin evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, e ka quajtur këtë paralajmërim si lëvizje të njëanshme dhe përshkallëzuese.

“Shëndetësia dhe arsimi e përfaqësojnë boshtin e mbijetesës së serbëve në Kosovë dhe vetë qendrën e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe kështu edhe duhet të mbesin”, ka thënë ai në një njoftim lidhur me takimin me Sorensenin, i cili të premten ka qëndruar në Beograd, dy ditë pas vizitës së tij në Prishtinë.

Institucionet paralele arsimore dhe shëndetësore, të financuara nga Serbia, funksionojnë ilegalisht në Kosovë. Qeveria, në mandatin e kaluar ka mbyllur një numër të lartë të tyre, në atë që nxiti tensionim në raporte me ndërkombëtarët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *