“Grekët nuk janë pasardhës të Platonit dhe Aristotelit”/ Çfarë shkruan mediat greke për deklaratën e Ramës
Kryeministri Edi Rama ka shkaktuar reagime të shumta pas deklaratave të tij në konferencën e një dite më parë në Abu Dhabi ku shkëmbeu batuta me moderatorin amerikano-grek, John Defterios ku tha se grekët nuk janë pasardhës të Aristotelit dhe Platonit.
Shumë media greke kanë raportuar lidhur me këtë deklaratë të Ramës. Ndër mediat që shkruan lidhur me deklaratën e kryeministrit ështe edhe “Skai.gr” e cila e ka cilësuar Ramën provokues.
“Rama provokues: Grekët nuk janë trashëgimtarë të drejtpërdrejtë të Platonit dhe Aristotelit”, është titulluar artikulli i shkruar nga Skai.
Nga ana tjetër edhe “Iefimerida.gr” ka shkruar lidhur me batutën e Ramës: “Edi Rama: Grekët mendojnë se jeni pasardhës të Platonit dhe Aristotelit, por nuk jeni”.
“Kathimerini” i ka cilësuar deklaratat e Ramës si referenca të ashpra ndaj grekëve.: “Edi Rama: Grekët mendojnë se janë trashëgimtarë të Platonit dhe Aristotelit”, teksa artikulli shprehet se Rama kishte komente të ashpra.
“Mikropragmata” nga ana tjetër në lajmin e publikuar ka nxjerrë në pah disa komente të shqiptarëve lidhur me deklarat e kryeministrit Edi Rama me titullin: “Si i komentuan shqiptarët deklaratat e Edi Ramës për grekët”.
“Tovima.gr” shkruan se Rama ishte provokues, duke folur me përshkrime përçmuese për Greqinë dhe grekët: “Sfida të reja Rama – “Ju nuk jeni pasardhës të Platonit dhe Aristotelit”.
