Zana Avdiu i reagon Hotit: Është dashur të largohesh në vitin 2021
Avdiu akuzon “gardën e vjetër” për rënien e LDK-së dhe e quan kërkesën për dorëheqjen e Abdixhikut një skemë të organizuar
Analistja politike Zana Avdiu ka reaguar ashpër pas paralajmërimit të Avdullah Hotit për dorëheqje nga organet drejtuese të LDK-së, duke i thënë se është dashur të largohej që në vitin 2021.
Në reagimin e saj publik, Avdiu ka akuzuar atë që e quan “gardë e vjetër” për përgjegjësinë kryesore në rënien e LDK-së, humbjen e besimit të qytetarëve dhe paralizën politike të partisë. Sipas saj, kjo gardë është riaktivizuar dhe përbëhet nga të njëjtët emra dhe mendësi që e kanë dëmtuar më së shumti LDK-në ndër vite.
Ajo përmendi dorëheqjen e Hykmete Bajramit, duke thënë se kjo e fundit nuk deshi të largohej e vetme, por kërkoi ta tërhiqte me vete edhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku. Po ashtu, Avdiu theksoi se edhe Avdullah Hoti është lajmëruar me të njëjtën kërkesë për dorëheqjen e Abdixhikut.
“Po kush është Avdullah Hoti dhe grupi i tij? Janë njerëzit që e dëmtuan më së shumti LDK-në, deri në atë derexhe sa e humbën edhe Prishtinën. Grupi i humbjeve, i vendimeve të gabuara dhe i mungesës së vizionit,” ka shkruar Avdiu.
Sipas saj, sot ky grup po kërkon largimin e të vetmit emër që, sipas saj, mund ta mbajë gjallë dhe ta forcojë LDK-në, duke iu referuar Lumir Abdixhikut. Avdiu e quajti këtë një skemë të mirëorganizuar dhe jo rastësi.
“E kam thënë para dhe pas zgjedhjeve: garda e vjetër është bashkuar. Janë të njëjtit emra, të njëjtat mendësi dhe janë pikërisht ata që po e mbajnë peng LDK-në,” shtoi ajo.
Në fund, Avdiu theksoi se ky grup është dashur të largohej nga skena politike që në vitin 2021, duke e konsideruar reagimin e tyre të tanishëm si përpjekje për rikthim të ndikimit brenda partisë.
