‘Qesharake, e panevojshme duhet të këndellet’: Abdixhiku kritikohet ashpër për kërkesën për president
“Kandidimet unilaterale të partive nuk sjellin konsensus. Pa marrëveshje politike ndërmjet subjekteve parlamentare, imponimi i emrave të përveçëm nuk sjell asnjë rezultat tjetër përveç krizës institucionale. Zgjedhja e presidentit nuk mund të bëhet me logjikë force, por vetëm me logjikë konsensusi. Në këtë fazë, Kosova nuk ka luksin të hyjë në krizë për asnjë emër të veçantë. Vendit i duhen stabilitet institucional, funksionim normal i institucioneve dhe qetësi politike për t’u përballur me sfidat e brendshme dhe të jashtme”, kështu ka deklaruar kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kur është pyetur rreth mundësimit për rizgjedhjen e Vjosa Osmanit si presidente në mandatin e dytë.
Lidhja Demokratike e Kosovës e cila para pesë vjetësh ia ka mundësuar kuorumin Vjosa Osmanit për t’u zgjedhur presidente, tani kërkojnë një figurë konsensuale, jo palë politike, por figurë unifikuese
“Partitë parlamentare, përkatësisht 80 deputetë, duhet të gjejnë dhe të zgjedhin një figurë konsensuale që ruan integritetin kushtetues, që rikthen besimin mes të gjitha subjekteve parlamentare dhe që nuk shihet si palë politike, por si figurë unifikuese e shtetit. Lidhja Demokratike e Kosovës, si parti parlamentare, është e gatshme të marrë pjesë në çdo proces serioz ndërpartiak që synon ndërtimin e këtij konsensusi dhe zgjedhjen e një figure që përfaqëson shtetin”, ka vazhduar deklaratën Abdixhiku.
Kritika ndaj kreut të LDK-së, kanë analistët politikë të cilët thonë se LDK nuk e ka peshën për të qenë faktor kryesor në procesin e zgjedhjes së presidentit. Sipas tyre, kërkesa e Abdixhikut është e parakohshme dhe e pa kërkuar.
Këndellja e Abdixhikut dhe ‘këshilla’ për LDK-në
Analisti Faton Mehmeti, thotë se Abdixhikun dhe veprimet e tij nuk duhet të merren seriozisht.
Sipas tij, nëse LDK tregohet arrogante dhe kryeneçe dhe vendi shkon në zgjedhje për këtë gjë, atëherë ajo do të ketë rënie.
ImageFaton MehmetiFoto galeri
“Lumirit i ka humbur rruga në oborr dhe veprimet e tij nuk duhet të merren seriozisht. LDK nuk e ka peshën për të qenë faktor kryesor në procesin e zgjedhjes së presidentit, si e tillë duhet parë vetëm si parti e tretë. Nëse LDK tregohet arrogante dhe kryeneçe dhe vendi shkon në zgjedhje pikërisht për këtë gjë, jam shumë i bindur se LDK bie nën 10%”, deklaron Mehmeti.
Ai konsideron se LDK nuk ka kapacitete për të qenë faktor në këtë proces.
“Jam dakord që duhet të ketë takime dhe konsulta për zgjedhjen e presidentit, mirëpo LDK nuk ka kapacitet për të qenë faktor në këtë proces, as s’ka të drejtën për të propozuar pasi s’ka vota”, thekson analisti.
Abdixhiku duhet të këndellet, thotë Mehmeti, duke shtuar se nëse nuk e bën këtë gjë do të ketë vetëvrasje politike.
“Kështu që, besoj se Lumiri duhet të këndellet dhe të qëndroj në sallë kur të votohet presidentja që më gjasë do të jetë Vjosa e nëse nuk e bën këtë gjë do të jetë vetëvrasje politike”, përfundon Mehmeti.
Vjosa Osmani e cila ushtroi postin e presidentes për 5 vjet, dikur ka qenë aktiviste e Lidhjes Demokratike e Kosovës, pastaj nënkryetare e saj dhe deputete në Kuvendin e Kosovës në tri legjislatura.
Osmani ka qenë ka qenë kryetare e Komisionit për punë të jashtme, diasporë dhe investime strategjike dhe kryetare e Komisionit për integrime evropiane.
Në qershorin e vitit 2020, kryesia e LDK-së e shkarkoi Osmanin nga të gjitha postet partiake, kjo për shkak të kundërshtimeve të shprehura lidhur me prishjen e koalicionit qeverisës me LVV-në dhe kundërshtimit të krijimit të qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti.
Osmani në nëntor të vitit 2020 krijoi listën “Guxo”, e cila garoi në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 së bashku me Lëvizjen Vetëvendosje, ku arritën të fitojnë shtatë deputetë së bashku me Osmanin.
Pas zgjedhjes së saj si presidente, kryetari aktual i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i uroi suksese.
“Shpresojmë që e njëjta do të ushtrojë rolin e saj kushtetues me dinjitet, duke i përfaqësuar të gjithë qytetarët e vendit, duke i konsultuar të gjitha partitë në vend dhe të lë një shenjë të mirë në pesë vjetët e ardhshme”, kishte thënë Abdixhiku.
Kërkesa e Abdixhikut e habitshme dhe synimet e tij
Kurse, analisti Gani Qarri, Abdixhikun pas rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit e konsideron humbës dhe të dështuar politik.
Sipas tij, kërkesa e habitshme e Abdixhikut jo vetëm se është e parakohshme, por as nuk është e zabtueshme.
ImageGani QarriFoto galeri
“Humbësi i zgjedhjeve dhe dështuari më i madh politik si kreu aktual i LDK-së Lumir Abdixhiku, nuk mund ti imponojë fituesit diktate, vet rezultati dëshmoi se votimet e 28 dhjetorit, ishin dënim i drejtpërdrejtë i partive të inkriminuara opozitare për bllokadën mbi 9 mujore kundër krijimit të institucioneve legjitime të shtetit të Kosovës, ndëshkim publik për mosvotimin e buxhetit të shtetit, si dhe tagri i merituar për mosmiratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare nga PDK e AAK, por edhe hakmarrje e pashpallur e elektoratit shqiptar, për avokatinë e hapur të LDK-së ndaj të ashtuquajturës “listë serbe”. Votimet e 28 dhjetorit ishin vendim më vete dhe dëshmi në vepër se populli i Kosovës, përfundimisht kërkon luftimin e anarkisë politike, përgjegjësi më të madhe partiake, transparencë në qeverisjen e të gjitha niveleve dhe ndarjen përfundimtare nga politikbërja e vjetër kaotike”.
“Kërkesa e habitshme e Abdixhikut jo vetëm se është e parakohshme por nuk është as e zbatueshme në rrethanat aktuale politike, madje udhëheqës të tillë të dështuar, të cilët kanë zhgënjyer kaq rëndë edhe elektoratin e segmentit të vet politik, ata të cilët për gati 1 vit bllokuan institucionet e shtetit, të lëshojnë deklarime të tilla kamufluara, se menjëherë pas humbjes katastrofale të 28 dhjetorit, kinse i paska kap urgjentisht halli i zgjedhjes së presidentit, nga vet përvoja me ngërçin mbi 9 mujor, nuk mund tu besojë më askush. Dhe duke qenë se Lumir Abdixhiku është i dështuari më i madh këtyre zgjedhjeve, asnjë parti, qoftë edhe ajo më e vogla opozitare, nuk dëshiron të kooketoj as të identifikohet me humbësin kryesor të kësaj shkalle vrastare politike, madje tani është akoma shumë herët edhe të kërkohet marrëveshje, veçanërisht nga Lumir Abdixhikun i cili derisa pas humbjeve dhe shkërmoqjes katastrofale ku e ka lëshuar LDK-në, në zgjedhjet e fundit, pikësëpari nuk e di as vet, se a do të jetë më kryetar i kësaj partie deri në Mars apo jo”, deklaron Qarri.
Ai ia kujton Abdixhikut se nuk duhet të harrojë se nga elektorati dhe qytetarët e Kosovës ai shihet si fajtori kryesor për ngërçin mbi 9 mujor.
Sipas tij, të kërkojë marrëveshje politike rreth zgjedhjes së një presidenti jopartiak të vendit, kundërshtari më i dëshmuar i të gjitha marrëveshjeve, deklarimi i tij, përveçse nuk ka të bëjë fare me marrëveshje politike, nuk ka lidhje as me zgjedhjen e presidentit të vendit
“E dyta dhe më e rëndësishmja në këtë kontest, realisht për momentin as nuk mund të kërkohet marrëveshje politike derisa, të paktën deri në këtë kohë, nuk ka asnjë emër të dytë, apo kandidatë tjetër të propozuar nga cilado parti pjesëmarrëse në Kuvend për kryetar të shtetit, përveç Dr. Vjosa Osmanit, dhe e treta, Lumir Abdixhiku nuk duhet të harrojë se nga elektorati dhe qytetarët e Kosovës shihet si fajtori kryesor për ngërçin mbi 9 mujor, i cili për gati 1 vit bllokade nuk ka pranuar asnjë marrëveshje politike, me pozitën as opozitën, për krijimin e qeverisë dhe daljen e vendit nga ngërçi, ndaj dhe nuk ka kush besim as arsye të lidh marrëveshje me te, tani pas humbjes së thellë në zgjedhje. Prandaj dhe habit shumë kërkesa e tij perfide, menjëherë pas humbjes nga më të thellat në historinë e ekzistimit të LDK-së derisa pikërisht fajtori kryesor i kësaj humbje, qenka kujtuar të lajmërohet i pari, madje edhe në emër të LDK-së, ani pse ai nuk e di as vet se a do të jetë i pari i saj deri në zgjedhjen e presidentit/es së vendit pas tre-katër muajve. Të kërkoj marrëveshje politike rreth zgjedhjes së një presidenti jopartiak të vendit, kundërshtari më i dëshmuar i të gjitha marrëveshjeve, deklarimi i tij, përveçse nuk ka të bëjë fare me marrëveshje politike, nuk ka lidhje as me zgjedhjen e presidentit të vendit”, shprehet analisti.
Njerëz sikur Abdixhiku, sipas Qarrit, nuk e ngritin performancën e partisë, por e përkeqësojnë dhe e ulin edhe më poshtë pozicionimin e LDK-së në jetën politike të vendit.
“Në fakt Lumir Abdixhiku shihet hapur se paska pas hallin, ta keqpërdorë publikisht edhe këtë paraqitje, për shpërndarjen e kumtit individual, se përkundër kërkesave të shumta dhe gjithnjë e më të zëshme, brenda partisë për dorëheqjen e tij të parevokueshme nga posti i kryetarit të LDK-së, ai dhe klika e të dështuarve, të ngjitur për karrige si ajatollahët e Iranit, as që e kanë ndërmend të lëvizin nga pozicionet e tyre, pa e dërguar LDK-në në fiasko totale dhe kryer misionin që duket se kanë marrë përsipër, për shkatërrimin përfundimtar të LDK-së së idealeve, vlerave dhe parimeve të shenjta të Dr. Ibrahim Rugovës. E njerëz të tillë, përveçse nuk e ngritin performancën e partisë, ata e përkeqësojnë dhe ulin edhe më poshtë edhe pozicionimin e LDK-së në jetën politike të vendit. Kështu që, pas dështimit të thellë në zgjedhjet e 28 dhjetorit, derisa zërat për dorëheqjen e Abdixhikut & Co nga kreu i LDK-s, sa vijnë e shtohen përditë e më tepër, pas zhgënjimit fenomenal Lumir Abdixhikun, Kimete Bajramin, parashutisten Doarsa Kica etj, as që i merr më kush seriozisht si udhëheqës partie, ngase vet pozita e tyre në LDK është luhatur seriozisht dhe nuk ka asnjë lloj sigurie, se mu këta, edhe më tej, do të mund të flasin me kompetencë në emër të partisë, të cilën e kanë degraduar në 13 % të votave, të elktoratit të zhgënjyer, pikërisht prej tyre”, thekson Qarri.
Në fund, ai shton se se thirrja e Abdixhikut është e parakohshme dhe e pa kërkuar nga askush.
“Për aq më tepër edhe PDK si partia e dytë në vend, dhe veçanërisht kryetari aktual i saj z. Bedri Hamza është zhgënjyer shumë keq me Lumir Abdixhikun i cili grabiti votat e PDK-së për zgjedhjen e Ramës në Prishtinë, por nuk ia pati dhënë votat Bedri Hamzës më 9 shkurt të vitit të kaluar, kur ai ishte kandidatë i PDK-së, për kryeministër, ndaj përkundër qëndrimeve të më hershme të paraardhësit të tij, Bedri Hamza edhe gjatë fushatës elektorale, është shprehur i hapur për bashkëpunim me partinë fituese të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, akt që, përfundimisht e lë në baltë pretenduesin e përfitimeve utopike nga hiçi, Lumir Abdixhikun, që ta ketë në krah edhe PDK-në si parti me peshë më të madhe parlamentare, për arritjen “nën presion” të një marrëveshjeje më të gjerë politike, për zgjedhjen e presidentit/es së vendit, kështu që thirrja e tij e parakohshme dhe e pa-kërkuar nga askush, përveçse po del të jetë tërësisht e panevojshme, po bëhet edhe qesharake, për tu argëtuar analistët me tema të shterura, pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, në televizionet e oligarkëve”, përfundon Qarri.
