Gëzim Sveçla: Nuk është Beka problemi kryesor
Asambleisti i komunës së Prishtinës, Gëzim Sveçla, ish futbollist i mirënjohur, ka reaguar në lidhje me zgjedhjen e Bekë Berishës kryetar të klubit të basketbollit Prishtina.
“Nuk është Beka problemi kryesor.
Bekë Berisha ka pas qejf me u bë kryetar i Prishtinës.
Nuk ia doli.
Për më tepër, as partia e vet nuk e votoi mjaftueshëm. AAK në Prishtinë i mori rreth 10 mijë vota, Beka veç rreth 3 mijë.
Kur u pa që s’po bëhet punë me kryeqytetin, iu ofru një opsion tjetër: “Hajde bëhu kryetar i KB Prishtinës”. Dhe Beka e pranoi. Kryesorja me qenë kryetar diku.
Por, problemi është tjetërkund.
KB Prishtinën nuk e pruni Beka në këtë gjendje. Këtë gjendje ia kanë bë ata që e kanë udhëheq klubin për vite me radhë.
Me qenë sportist i mirë nuk do me thënë automatikisht me qenë edhe menaxher i suksesshëm.
Dashnia për klubin nuk të bon drejtor, as kryetar, as menaxher.
Klubit i ndihmon edhe prej tribunë, edhe prej rruge, edhe pa pasur pozitë menaxheriale.
Këto gjëra nuk janë sekrete. Ata që e kanë mbajt klubin në dorë për kaq kohë, e që njëmend kanë qenë sportistë të mirë, i kanë ditë shumë mirë.
Po kur e kupton që ke shku larg.
Kur e di që ke bë shumë dëm dhe e ndien që po vjen radha me dhanë llogari, atëherë të duhet diçka që e ndërron temën.
Një lajm i çuditshëm, i papritur, që i merr krejt sytë e publikut.
Logjika është e thjeshtë: kur ke një problem të madh, krijo një tjetër edhe më të madh, edhe më zhurmshëm, të papritur, e njerëzit e harrojnë të parin.
Bekës, me gjasë, as nuk i kanë tregu që nuk bën me qenë edhe deputet edhe kryetar i një klubi sportiv që funksionon si OJQ.
E tha që nuk merr vesh shumë prej basketbollit.
Në këtë histori, ai është përdor si karrem që njerëzit, qytetarët e Prishtinës, të mos merren me dështimin e KB Prishtinës, po me zgjedhjen e Bekës kryetar.
Nesër, kur Beka të largohet prej pozitës, e do të largohet sepse në njërën anë ligji nuk e lejon e në anën tjetër nuk është i mirëpritur,
Plisat e prishtinalit do të ndihen si fitues.
Do të thonë: “Ia dolëm, e rrëzuam edhe këtë”.
Por pyetja kryesore është kush do t’i thërrasë në përgjegjësi ata që e shkatërruan klubin?
Ata që keqpërdorën emrin e madh “Prishtinë”. Kush do t’ua kërkojë llogarinë?
E pikërisht këtu është problemi i vërtetë.
Jo te Beka. Te ata që u fshehën prapa tij”, ka shkruar Gëzim Sveçla në profilin e tij në facebook.
