“Na shajnë, na përçajnë dhe na matin shqiptarizmin me…”, Xhelili: Veprimtarë të mërgatës, koha për t’u bashkuar
Vaxhid Xhelili poet, autor i disa librave të botuar, si dhe gazetar i “Bota Sot” në fillimet e saj bën thirrje për veprimtarët e mërgatës shqiptare në Zvicër, duke pyetur ku janë sot ata që kontribuan për çështjen kombëtare dhe për partitë politike.
Ai kritikon liderët që, sipas tij, shfrytëzojnë punën e mërgimtarëve, dhe i bën thirrje komunitetit të bashkohet, të lërë anash interesat personale dhe të vendosë përparësi Kosovës mbi gjithçka tjetër.
Shkrimi i plotë:
Ku janë veprimtarët e palodhur të mërgatës shqiptare në Zvicër?
Ku jeni ju, veprimtarë të LPRK-së, LDK-së, PVD-së, të Prosperitetit, të klubeve, shoqatave, fondeve, shkollave shqipe, dhe ju të gjithë veprimtarë të pavarur që e keni ndihmuar çështjen kombëtare aq sa keni ditur e aq sa keni mundur?
Ku jeni sot?
Pse heshtni përballë poshtërimeve që po na i bëjnë ata që u rritën me mundin tonë, me djersën dhe paratë tona?
Ju të gjithë e dini – siç e di edhe unë – se ne i vumë themelet e të gjitha partive politike, ose i ushqyem ato si nëna fëmijën, derisa u ngritën në këmbët e veta.
Por sapo u ngritën, nuk u mjaftoi ajo që u dhamë vullnetarisht. Filluan të na fusin dorën në xhep.
As kjo nuk u mjaftoi. Sot na shajnë, na përçajnë dhe na matin shqiptarizmin me kandarin e tyre të frikës dhe mjerimit.
Rrahman Paçarizi me sojin e vet guxon të na gjykojë, të na etikojë e të na ndajë, sikur historia të kishte nisur dje.
Ku janë mërgimtarët që në tavolinat e çështjes kombëtare derdhën gjithçka kishin?
