Nga votimi i Thaçit te rënia në 12% – analiza e gabimeve që e kushtuan LDK-në
Deklarata e disa dite më parë e Besian Mustafës nga Lidhja Demokratike e Kosovës se LDK bëri gabim trashanik kur votoi Hashim Thaçin për president ka ngjallur reagime.
Pas kësaj, Ganimete Musliu, kishte thënë se gabimi trashanik i LDK-së nuk ka qenë Hashim Thaçi, por heshtja, frika dhe mungesa kronike e guximit politik e kësaj partie.
Veprimtari Saim Tahiraj, vlerëson se deklarata e Besian Mustafës për gabimin e LDK-së në votimin e Hashim Thaçit president është e saktë.
Sipas tij, pazaret politike me PDK-në, përfshirë këtë votim të shoqëruar me hipokrizi nga disa deputetë, i kanë shkaktuar LDK-së dëme të mëdha elektorale dhe kanë minuar besueshmërinë e saj morale.
Ai thekson se afrimi me PDK-në ka sjellë rënie të vazhdueshme të LDK-së, zhgënjim të elektoratit dhe bojkot zgjedhor, duke kulmuar me rënien drastike në 12% pas shkeljes së premtimeve për moskoalicion.
“Deklarata e Besian Mustafës se LDK ka bërë një gabim trashanik kur votoi Hashim Thaçin për president është plotësisht e saktë dhe ishte një nga veprimet që i kushtoi shumë shtrenjtë LDK-së. Madje, pati edhe deputetë – përfaqësues të familjarëve të viktimave të vrasjeve politike – të cilët ja bënë korrumin që Thaçi të zgjedhet President dhe më pas bënin skena amatoreske, duke u shtirur se po i grisnin fletëvotimet. Ky ishte kulmi i hipokrizisë politike.
Ky pazar politik, bashkë me shumë pazare të tjera me PDK-në, i shkaktoi dëme të mëdha LDK-së në të gjitha zgjedhjet pasuese. Nuk është aspak etike që një parti të drejtojë gishtin akuzues ndaj PDK-së për vrasjet politike, e më pas të bëjë marrëveshje pushteti me të njëjtën parti. Ky qëndrim kontradiktor e ka minuar besueshmërinë morale dhe politike të LDK-së.
Elektorati besnik i LDK-së i ka përcjellë me vëmendje të gjitha këto pazare dhe në vazhdimësi ka reaguar, qoftë përmes kritikave të hapura, qoftë duke bojkotuar zgjedhjet. Një pjesë e madhe e anëtarëve dhe simpatizantëve të LDK-së edhe sot mbeten neutralë dhe nuk votojnë fare, të zhgënjyer thellë nga veprimet joetike të lidershipit të saj.
Historia e fundit politike e dëshmon qartë: sa herë që LDK është afruar me PDK-në, ka pësuar rënie. Premtimet e bëra nga Isa Mustafa se “për asnjë çmim nuk do të ketë koalicion me PDK-në” u shkelën pa asnjë ndjesi përgjegjësie, duke e çuar LDK-në në rënien drastike deri në 12%. Ky ishte një çmim shumë i lartë për një mashtrim politik” – thotë ai.
Më tej, ai thekson se lidershipi aktual i LDK-së meriton respekt që e mbajti premtimin për të mos hyrë në koalicion dhe për të qëndruar në opozitë.
Megjithatë, humbja është përgjegjësi e të gjitha strukturave të partisë, përfshirë sabotime të brendshme dhe margjinalizim të figurave të vjetra.
Deklaratat e Ganimete Musliut, sipas tij, nuk duhen marrë seriozisht, pasi ajo ka qenë gjithnjë kundërshtare e LDK-së.
“Për dallim nga e kaluara, lidershipi aktual i LDK-së, për herë të parë, e mbajti premtimin se nuk do të bëjë koalicion me asnjë parti dhe do të qëndrojë në opozitë. Ky qëndrim, pavarësisht humbjes, meriton respekt.
Megjithatë, përgjegjësia për humbjen nuk duhet kërkuar vetëm te një individ apo një drejtim i vetëm. Gabimi duhet kërkuar në të gjitha strukturat e partisë – nga kryesia qendrore deri te kryesitë e degëve dhe nëndegëve. Ekziston bindja se brenda LDK-së ka ende elementë të lidhur me struktura të SHIK-ut (PDK), të cilët kanë sabotuar proceset zgjedhore. Nuk është aspak rastësi që shumë personalitete dhe anëtarë të devotshëm të LDK-së, që dhanë gjithçka për ndërtimin e saj që nga themelimi, u lanë anash dhe u margjinalizuan.
Sa i përket deklaratave të Ganimete Musliut, ato nuk duhen marrë për zemër. Ajo dhe soji i saj kanë qenë gjithë jetën kundërshtarë ekstremë, madje armiq të hapur të LDK-së, me synim shkatërrimin e saj. “Guximi” i saj dhe i të ngjashmëve me të nuk është aspak virtyt dhe nuk ja deshiroj askujt në LDK. Po e ceki vetëm një „Guxim“ të tillë,shprehje si: “Do të luftoj me ty si me shkja” nuk janë shenjë guximi, por shenjë çmendurie politike – për të mos thënë tradhti” – përfundon ai për “Bota sot”.
