TË FUNDIT

Durmishi: Punimet në rrugën Prishtinë–Podujevë po ecin sipas planifikimeve, rreth 85 për qind e projektit tashmë ka përfunduar

Ministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka bërë të ditur se punimet në rrugën Prishtinë–Podujevë po ecin sipas planifikimeve, ku rreth 85 për qind e projektit tashmë ka përfunduar, ndërsa 15 për qind përfshijnë ndërtimin e urave dhe nyjeve rrugore.

Sipas tij, pas vendimit të fundit për shpronësim, është krijuar mundësia që punimet të zhvillohen edhe në këto segmente. Me fillimin e sezonit të ndërtimit në pranverë, pritet të nisin punime intensive edhe në pjesët e mbetura, me synim përfundimin sa më të shpejtë të projektit.

Duke folur për situatën te by-pass-i i urës, Durmishi ka sqaruar se si pasojë e reshjeve të shiut janë krijuar disa gropa, të cilat kanë ngadalësuar qarkullimin gjatë orëve të pikut, në mëngjes dhe pasdite nga ora 16:00 deri në 18:00. Megjithatë, ai theksoi se komunikacioni nuk është ndërprerë në asnjë moment.

“Menjëherë pas pranimit të shqetësimeve nga qytetarët, kam dalë në terren për ta parë situatën nga afër. Kemi ndërhyrë duke i sanuar gropat dhe kemi vendosur makineritë përkatëse në terren, të cilat do ta përcjellin situatën dhe do të ndërhyjnë sipas nevojës”, ka deklaruar ministri.

Ai ka apeluar për kujdes të shtuar në komunikacion, duke marrë parasysh se jemi në sezonin dimëror, me reshje shiu e bore dhe temperatura nën zero, ku ngricat në rrugë janë të pritshme, pavarësisht mirëmbajtjes së vazhdueshme të rrugëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *