OPINIONTË FUNDIT

Nën presionin e SHBA-së, Vuçiq luan ‘kartën’ e viktimës – ekspertët ia çmontojnë propagandën

Dita më parë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë vizitës në Trebinje, në entitetin boshnjak të Republikës Sërspka kishte thënë se Kroacia, Shqipëria dhe Kosova nuk kishin krijuar një aleancë kundër Austrisë, sepse Austria është ushtarakisht neutrale, por kundër Serbisë dhe popullit serb.

“Në Beograd e kuptojmë mirë aleancën e re ushtarake të krijuar midis Zagrebit, Prishtinës dhe Tiranës”, deklaroi Vuçiq.

E ndaj kësaj akuze të Vuçiq, reagoi Ministri i Punëve të Brendshme të Kroacisë, Davor Bozhinoviq, i cili bëri thirrje për paqe dhe bashkëpunim në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Kroacia është anëtare e Bashkimit Evropian dhe gjithçka që bën në marrëdhëniet ndërkombëtare e bën në mënyrë transparente”, theksoi Bozhinoviq.

Pas pjesëmarrjes në pritjen tradicionale festive të organizuar nga Këshilli Kombëtar Serb (SNV) për të festuar Krishtlindjet sipas kalendarit Julian, Bozhinoviq tha se mesazhet për paqe dhe bashkëpunim janë diçka që duhet të jetë e përbashkët në rajon dhe në vendet fqinje.

Kujtojmë se, ministrat e mbrojtjes së Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë nënshkruan në mars të vitit 2025 një deklaratë për forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes. Atëbotë, Serbia reagoi ashpër, duke e parë si një nismë kundër saj.

Hoxha: Bashkëpunimi rajonal në siguri nuk është kërcënim, por mekanizëm stabiliteti

E në lidhje me këtë temë, më saktë akuzat e Vuçiqit, për “Bota sot” foli ish-ushtaraku, Hafir Hoxha.

Fillimisht, ai u shpreh se, këto deklarata të Vuçiqit janë vetëm propagandë, pasi edhe serbët e dinë se nuk ka aleancë kundër Serbisë.

Madje, tha se, bashkëpunimi mes shteteve rajonale nuk është kërcënim, por ka për synim stabilitetin.

“Akuzat e presidentit serb Aleksandar Vuçiq se Kroacia, Shqipëria dhe Kosova kanë krijuar “aleancë ushtarake kundër popullit serb” janë retorikë politike dhe propagandë, jo realitet dhe këtë propagandë e shfrytëzon sa herë i keqësohet stabiliteti politik në Serbi apo kur bëjnë ndonjë bashkëpunim strategjitë ushtarak, ndonjë armatosje apo ushtrim të përbashkët Kosova me Kroacinë.

Nuk ekziston asnjë aleancë kundër Serbisë, këtë e dinë edhe serbët. Kroacia dhe Shqipëria janë vende të NATO-s, ndërsa Kosova nuk është as anëtare e NATO-s dhe as nuk ka kapacitete ofensive.

Bashkëpunimi rajonal në siguri nuk është kërcënim, por mekanizëm stabiliteti”, deklaroi ish-ushtaraku.

Krahas kësaj, Hoxha konsideron se presidenti serb vetëm po tenton të viktimizohet, pas aksionit të fundit të SHBA në Venezuelë.

Sipas tij, Vuçiq vetëm po synon të viktimizohet dhe të shmang përgjegjësitë e tij që ka në raportet me Kosovën.

“Vuçiq po përdor kartën e viktimizimit për konsum të brendshëm politik, sidomos këto ditë që ndërhyri SHBA në Venezuelë dhe kapi presidentin e këtij vendi, diktatorin Nikolas Maduro ku opozita kërkon në një formë një ndërhyrje të ngjashme edhe ndaj Vuçiqit dhe Vuçiq përdor politikën e njohur të tij për të frikësuar qytetarët e Serbisë, për të shmangur përgjegjësinë për dështimet e tij, për të devijuar vëmendjen nga presioni i SHBA-së dhe ndërkombëtarëve për Kosovën dhe reformat demokratike.

Kjo është një lojë e vjetër propagandistike: krijohet armiku i jashtëm, Serbia paraqitet si e rrethuar, ndërsa Vuçiq si “mbrojtës i kombit””.

Ndër të tjera, ish-ushtaraku shpreson që ndërkombëtarët të mos bien pre e kësaj loje të Vuçiqit, derisa tha se kjo është vetëm një propagandë, pasi siguria në Ballkan nuk rrezikohet nga Kroacia e shtetet shqiptare.

“Ndërkombëtarët nuk bien më pre e kësaj loje. Ata e njohin mirë këtë narrativë dhe e dinë se problemi nuk është bashkëpunimi i fqinjëve, por politika e tensioneve që vjen nga Beogradi.

Vuçiq nuk po mbron popullin serb – po e përdor atë.

Paqja dhe stabiliteti në Ballkan nuk rrezikohen nga Kroacia e shqiptarët, por nga propaganda dhe nacionalizmi i vjetër”, përfundoi Hafir Hoxha për “Bota sot”.

ImageHafir HoxhaFoto galeri
Gecaj: Bashkësia ndërkombëtare e njeh mirë modelin e viktimizimit politik të Beogradit

Ndërsa, edhe eksperti i sigurisë, Hysen Gecaj vlerëson se deklaratat e Vuçiq janë vetëm për konsum të brendshëm dhe nuk ka asnjë fakt konkret për këto akuza.

Ai në bashkëbisedimin me “Bota sot” theksoi edhe qasjen e Kroacisë dhe shteteve shqiptare.

“Akuzat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për gjoja krijimin e një “aleance ushtarake kundër popullit serb” nga Kroacia, Shqipëria dhe Kosova, janë pjesë e një narrative të njohur politike, e cila synon më shumë konsum të brendshëm sesa pasqyrim të realitetit rajonal.

Këto deklarata nuk mbështeten në asnjë fakt konkret, as në vendime zyrtare të NATO-s apo mekanizmave ndërkombëtarë të sigurisë. Përkundrazi, Kroacia dhe Shqipëria janë shtete anëtare të NATO-s, ndërsa Kosova vepron nën kornizën e bashkëpunimit me partnerët perëndimorë dhe me praninë e KFOR-it, që ka mandat strikt mbrojtës dhe stabilizues”.

Gjithashtu, Gecaj potencoi se Vuçiq po tenton ta paraqesë shtetin serb si një viktimë, me qëllim që ta largojë vëmendjen nga problemet e brendshme.

Në këtë pikë, përmendi disa nga problemet kyçe me të cilat përballet qeveria e Beogradit.

“Narrativa e Vuçiqit synon ta paraqesë Serbinë si “viktimë të rrethimit”, duke zhvendosur vëmendjen nga problemet reale:

– presioni ndërkombëtar për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën,

– sanksionet dhe izolimi potencial për shkak të afërsisë me Rusinë,

– dështimet në demokratizim dhe respektim të shtetit ligjor.

Është e qartë se kjo retorikë ushqehet edhe nga frika politike e Beogradit ndaj SHBA-së dhe partnerëve perëndimorë, të cilët kërkojnë stabilitet, jo konflikte artificiale. Duke ngritur tensione verbale, Vuçiq tenton të forcojë pozitat e tij të brendshme dhe të relativizojë përgjegjësinë e Serbisë në proceset rajonale”, shpjegoi ai.

ImageHysen GecajFoto galeri
Në fund, eksperti shpreson që ndërkombëtarët të mos e marrin parasysh lojën e Beogradit dhe viktimizimin që e bën ajo.

“Sa i përket ndërkombëtarëve, përvoja e dekadave të fundit tregon se ata nuk bien lehtë pre e kësaj “loje”. Bashkësia ndërkombëtare e njeh mirë modelin e viktimizimit politik të Beogradit dhe është e vetëdijshme se paqja dhe siguria në Ballkanin Perëndimor rrezikohen jo nga bashkëpunimi mes shteteve demokratike, por nga retorika nacionaliste dhe destabilizuese.

Deklarata e ministrit kroat të Brendshëm, Davor Bozhinoviq, për paqe dhe bashkëpunim, është përgjigjja e duhur: stabiliteti rajonal ndërtohet mbi partneritet, transparencë dhe orientim euroatlantik – jo mbi frikë, propagandë dhe konflikte të imagjinuara”, përmbylli Hafir Hoxha për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *