Mediat gjermane dhe zvicerane “kryqëzojnë” Vuçiqin, pse politikës me 4 karrige i ka ardhur fundi
Për vite me radhë, Serbia ka balancuar midis BE-së, SHBA-së, Rusisë dhe Kinës. Lufta në Ukrainë, sanksionet dhe presionet energjetike tani e kanë tronditur seriozisht këtë politikë, shkruajnë mediat gjermane dhe zvicerane, raporton Deutsche Welle. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Beogradi ndoqi një politikë balancimi midis fuqive të mëdha botërore, lufta në Ukrainë e ndryshoi këtë, shkruan gazeta zvicerane Neue Zircher Zeitung (NZZ). “Në shikim të parë, kjo është e kuptueshme: një vend i vogël si Serbia, me rreth 6.6 milionë banorë, në një botë shumëpolare nuk mbështetet vetëm në një partner të fortë. Nga ky kuptim, Beogradi zhvilloi të ashtuquajturën ‘Doktrina e Katër Shtyllave’. Sipas saj, politika e jashtme duhet të bazohet në marrëdhëniet më të favorshme me BE-në, Rusinë, Kinën dhe SHBA-në, duke marrë vazhdimisht parasysh interesat e veta”, shkruan Andreas Ernst për NZZ.
Telashet e Vuçiçit
Sipas kësaj gazete, kjo funksionoi mjaft mirë për gati njëzet vjet dhe i dha majës së shtetit hapësirë të konsiderueshme manovrimi. “Beogradi shpesh ka luajtur mbi nivelin e tij të vërtetë në skenën ndërkombëtare. Megjithatë, gjatë vitit të kaluar, tre nga katër shtyllat e politikës së jashtme serbe filluan të shkurorëzohen. Dhe kjo në një kohë kur regjimi trembëdhjetëvjeçar i Presidentit Aleksandër Vuçiç është dobësuar nga brenda si kurrë më parë: përballë lëvizjes studentore dhe qytetare dhe forcimit të shoqërisë civile.” Andreas Ernst shkruan se partneri më i duruar i Serbisë, Bashkimi Evropian, po ia kthen shpinën asaj. “Negociatat e pranimit kanë ecur me ritëm të ngadaltë për vite me radhë, dhe që nga viti 2021 ato praktikisht janë ngrirë, kryesisht sepse gjendja e sundimit të ligjit dhe liritë e medias janë përkeqësuar në vend që të përmirësohen.”
