OPINIONTË FUNDIT

Dedë Preqi: Koalicioni LVV–LDK i nevojshëm, por jo me Lumir Abdixhikun që..

Publicisti Dedë Preqi ka reaguar për “Bota Sot” lidhur me gjendjen aktuale në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), pas humbjes në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025, duke e cilësuar këtë situatë si vazhdimësi të një rënieje të gjatë politike që nisi pas ndarjes nga jeta të presidentit historik Ibrahim Rugova.

Sipas Preqit, LDK-ja ishte një projekt historik dhe politik unik, i ndërtuar mbi vizionin e Rugovës, i cili përfaqësonte “një mundësi të rrallë historike si një shkëndi e parë e pluralizmit politik, duke u prirë të gjitha partive të tjera në Kosovë.” Ai shton:

“Humbjen që pësoi LDK, në zgjedhjet e fundit, do ta komentonte secili, që e ka dashur dhe e ka adhuruar këtë parti që nga presidenti historik Ibrahim Rugova, për faktin se ky njeri përbënte një mundësi të rrallë historike si një shkëndijë e parë e pluralizmit politik, duke u prirë të gjitha partive tjera në Kosovë.”

ImageDedë PreqiFoto galeri
Preqi thekson se përjetimi i zhgënjimit pas presidentit historik Rugova “do të ishte si diçka e papritur, që e ka ngulfatur këtë parti, edhe pse në mesin e saj ka njerëz të dijes dhe kulturës, të ekonomisë dhe politikës nga të dyja gjinitë, që timonin e kësaj partie mund ta drejtonte me sukses edhe pse jo si dikur, por për së afërmi, ashtu sikur do e meritonte ky subjekt politik.”

Ai kujton se pas shkuarjes në amshim të Rugovës, brenda partisë filluan përçarjet:

“Një përpjekje apo rrëmujë brenda këtij subjekti politik do vërehej menjëherë që pas shkuarjes në amshim të presidentit Rugova, kur timonin e saj e mori dr. Fatmir Sejdiu. Dhe sikur do ta kuptonim menjëherë se lideri i saj i vërtetë që duhet ta udhëheq këtë parti akoma do të ishte në pritje, sepse as dr. Fatmir Sejdiu nuk mundi t’i qëndroj besnik liderit historik dr. Ibrahim Rugova, duke rënë pre e disa matrapazëve politik brenda këtij subjekti.”

Duke folur për periudhën e udhëheqjes së Isa Mustafës, Preqi thekson:

“Lakuriqësia për të cilën flitet tani do fillonte mbas udhëheqjes së Isa Mustafës, kur kjo parti i përmbysi të gjitha rregullat e liderit historik Ibrahim Rugova, kuptimi i së cilës nuk mund të shprehet me anën e koncepteve të thjeshta të rebelimit të brendshëm të saj, ku gjithçka zhvillohet brenda një rrethi të ngushtë të udhëheqjes që pa vonuar bëhët ‘patericë’ e Hashim Thaçit dhe PDK-së, e cila ia dha të mbrapshtën, pikërisht falë kësaj marrëdhënie dhe nënshtrimi.”

Duke folur për lidershipin aktual të partisë, ai është kritik ndaj kryetarit Lumir Abdixhiku:

“Dhe tani ky është tregimi i fundit i ngjarë me Lumir Abdixhikun, i cili ky i fundit përmes zgjedhjeve të 28 dhjetorit të vitit 2025, me rezultatin që fitoi kjo parti, tani e jep mesazhin më të qartë për të kuptuar se kjo parti është gjithnjë në rënie dhe do pësojë edhe më shumë, me një lidership të tillë, që po ua kalon paraardhësve të tij, me lojrat dhe formën që funksionon me këtë subjekt politik.”

Preqi thekson se gjendja brenda partisë është alarmante:

“Tani ka pse-he të shumta, sepse kemi një gjendje dëshpëruese të saj, apo një përçarje brenda kësaj partie, që kërkohet një lidership i ri, sepse një LDK, që nisi narrativën e saj si parti e parë pluraliste dhe demokratike në Kosovë, nuk e meriton që të bëhët lodër e fatit të vet, dhe të nëpërkëmbët e ardhmja e saj, duke mos e kërkuar një lidership të pranueshëm, që do ta udhëheqte këtë parti me dinjitet dhe me një rugovizëm ashtu sikur e meriton.”

Duke analizuar rezultatet e zgjedhjeve, ai thotë:

“Në zgjedhjet e fundit parlamentare të 28 dhjetorit 2025, që i fitoi LVV, me një rrezultat të bindshëm ndaj kundërshtarëve të saj politik po u duket si ‘absurde’ por mundësija e njohjes dhe përjetimit është në shesh, që përputhet me realitetin, pa marrë parasysh reagimet e rivalëve politik.”

Preqi flet edhe për nevojën e një lidershipi të fortë brenda LDK-së:

“Shumë njerëzve të ngushtë të LDK, reagimet e tyre janë shumë të arsyeshme dhe të drejta, që do të favorizojnë një autoritet dhe një zë të fuqishëm në këtë parti, që nuk lejon të degradohen vlerat dhe e ardhmja e kësaj partie përmes një klase shkatërruese, që po rrëmon dhe rrënon rrënjët e saja, duke pasur në gjirin e saj një pasuri të madhe të vlerave dhe kapacitetëve intelektuale, dhe jo duke mbetur anash pa u shfrytëzuar.”

Duke vlerësuar situatën politike të vendit dhe rolin e LVV-së, Preqi thotë:

“Përderisa partitë politike të vendit garuan me njëra tjetren në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit të këtij viti, dhe partia fituese LVV, në krye me Albin Kurtin, që e ka shumicën dhe mund të udhëheq së bashku me Guxo, Alternativen, PSHDK, si dhe me minoritetet pa Listën serbe, janë të hapur për të bashkëpunuar edhe parti të tjera, që të kemi një kualicion bashkënimi, kur shumica parlamentare e formon edhe fuqinë e vendimeve parlamentare për të mirën e shtetit.”

Sipas tij, një koalicion i mundshëm mes LVV-së dhe LDK-së është i nevojshëm, por vetëm nëse LDK-ja ndryshon thelbësisht:

“Prandaj, një koalicion i mundshëm në mes LVV dhe LDK-së, do të ishte shumë i nevojshëm, që nënkupton pushtetin më të fuqishëm dhe më të frytshëm për këtë vend, por jo një LDK, që udhëhiqet nga Lumir Abdixhiku, i cili nuk e ka dhënë provimin e lidershipit për të udhëhequr më tutje me LDK.”

Preqi paralajmëron:

“Përndryshe, në këto rrethana LDK, nuk mund të mëkëmbët dhe as të rritët, apo sikur dikush i caktuar me qëllim po ia zënë frymën dhe te kjo parti po përsëritet kot fjala apo refreni ‘rugovizëm’ në një kuptim tjetër, në kontekstin e asaj që LDK, ka nevojë ta pastrojë ‘torishten’ e vjetër dhe të hargjuar, që ka brenda saj, e cila është duke ia helmuar kafshatat dhe duke ia minuar hapat për ta shkatërruar ekzistencën e saj.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *