Qeveria ndërton kapacitete reale, Rexhepi: OMTAS një vizion afatgjatë për mbrojtjen
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, njoftoi se Kosova ka arritur të pajiset me sistemet raketore anti-tank OMTAS, një zhvillim që analistët e sigurisë e konsiderojnë jetik për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.
Ish hetuesi, Agim Rexhepi, në një prononcim për “Bota sot”, është shprehur arritjen e raketoreve anti-tank OMTAS si një zhvillim pozitiv për sigurinë e Kosovës, duke rritur kapacitetin mbrojtës të FSK-së dhe duke treguar gatishmërinë e shtetit për të mbrojtur sovranitetin e tij.
“Njoftimi i ministrit në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, për arritjen e sistemeve raketore anti-tank OMTAS në Kosovë përbën një zhvillim të rëndësishëm dhe pozitiv për sigurinë kombëtare, si dhe një tregues të qartë të orientimit serioz të Qeverisë Kurti 3 drejt ndërtimit të një kapaciteti të besueshëm mbrojtës për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Së pari, posedimi i raketoreve anti-tank OMTAS rrit ndjeshëm kapacitetin parandalues të Ushtrisë së Kosovës. Këto sisteme moderne janë të dizajnuara për të neutralizuar mjete të blinduara dhe kërcënime të rënda tokësore, duke e bërë shumë më të kushtueshme dhe të rrezikshme çdo tentativë destabilizimi apo agresioni ndaj territorit të Kosovës. Vetë fakti që Kosova po pajiset me armatim të këtij niveli dërgon një mesazh të qartë se shteti është i përgatitur të mbrojë sovranitetin dhe integritetin e tij territorial”, ka thënë ai .
Githashtu, Rexhepi ka theksuar se OMTAS i japin Ushtrisëavantazh strategjik dhe taktik, veçanërisht në terrene të vështira, duke rritur profesionalizmin dhe ndërveprueshmërinë e FSK-së.
Ai ka shtuar se ky hap është pjesë e transformimit të FSK-së në një ushtri moderne, funksionale dhe të standardeve NATO-s.
“Së dyti, OMTAS i jep Ushtrisë së Kosovës një avantazh strategjik dhe taktik në mbrojtjen e territorit, veçanërisht në skenarë asimetrikë apo në terrene të vështira. Ky sistem është fleksibël, i saktë dhe i përshtatshëm për doktrinën moderne të mbrojtjes, duke rritur profesionalizmin dhe ndërveprueshmërinë e njësive të FSK-së. Kjo është në përputhje të plotë me objektivin e Qeverisë Kurti 3 për ta transformuar FSK-në në një ushtri moderne, funksionale dhe kompatibile me standardet e NATO-s.
Së treti, ky zhvillim tregon një qasje strategjike të qëndrueshme të qeverisë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, ku investimet nuk janë simbolike, por konkrete dhe afatgjata. Për herë të parë, Kosova nuk po mbështetet vetëm në vullnetin politik dhe mbështetjen ndërkombëtare, por po ndërton kapacitete reale ushtarake, duke e forcuar pozitën e saj edhe në aspektin diplomatik dhe gjeopolitik”, ka deklaruar ai.
Në fund, Rexhepi ka thënë se ardhja e raketoreve OMTAS është një hap strategjik i Qeverisë Kurti 3 për forcimin e sigurisë kombëtare.
“Në përmbledhje, ardhja e raketoreve anti-tank OMTAS nuk është thjesht një blerje ushtarake, por një hap strategjik i Qeverisë Kurti 3 drejt forcimit të sigurisë kombëtare, rritjes së besueshmërisë së Ushtrisë së Kosovës dhe garantimit të paqes për qytetarët e vendit. Kjo dëshmon se siguria e Kosovës nuk po trajtohet më si retorikë politike, por si prioritet shtetëror me veprime konkrete dhe vizion afatgjatë”, ka përfunduar Rexhepi.
