OPINIONTË FUNDIT

“Prijësit opozitarë duhet të japin dorëheqje, me ta Kurti fiton edhe katër palë zgjedhje”

Analisti politik Liri Loshi ka kritikuar ashpër opozitën, duke e akuzuar për, siç thotë ai, servilizëm dhe sulme të pabazuara ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, me qëllim për t’iu përshtatur interesave të bosëve politikë.

Sipas Loshit, opozita aktuale nuk përfaqëson më lidership politik, por vetëm prijësi të konsumuar, të cilët do të duhej të mbanin përgjegjësi politike.

“Në një situatë të tillë, të katër prijësit opozitarë do të duhej të dorëhiqeshin. Me këta njerëz, Albin Kurti fiton edhe katër palë zgjedhje të tjera. Më mirë është të largohen me kohë sesa të koriten”, ka thënë ai.

Duke iu referuar reagimeve të opozitës ndaj gjuhës së përdorur nga eksponentë të Vetëvendosjes, Loshi thekson se deklarata si ajo e Glauk Konjufcës për “bërjen tokë të zezë të opozitës” janë interpretuar gabimisht. Sipas tij, bëhet fjalë për metafora politike që nënkuptojnë fitore në zgjedhje dhe jo dhunë fizike.

Ai shton se reagime të ngjashme ka pasur edhe ndaj deklaratave të kryeministrit Albin Kurti, të cilat, sipas Loshit, janë keqkuptuar qëllimisht.

“Nuk kam për qëllim t’i justifikoj metaforat e shkokërdhavta të Albinit apo të Glaukut, sepse edhe pa to do të fitonin. Por është e pakuptueshme se si njerëz që merren me politikë gjithë jetën ndihen kaq lehtë të fyer”, ka theksuar ai.

Loshi ka bërë një paralelizëm me periudhën e komunizmit, kur, sipas tij, funksionarët politikë reagonin me ndjeshmëri të tepruar ndaj çdo deklarate, duke e quajtur këtë shenjë dobësie politike.

“Publiku e vëren të dobëtin dhe, natyrisht, nuk ia jep votën. Njeriu i zakonshëm ka nevojë për siguri dhe voton atë që ia ofron atë”, ka deklaruar analisti.

Në përfundim, Loshi vlerëson se shoqëria shqiptare historikisht nuk e pranon dobësinë si tipar të lidershipit.

“As gruaja nuk e do burrin e lig, as babai nuk e do djalin e lig, e as populli nuk e do të ligun për lider. Dhe mendoj se ka të drejtë”, ka përfunduar ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *