Pas reshjeve të borës, Kryetari i Shtimes: Qytetarët të adaptojnë lëvizjen ndaj kushteve atmosferike
Pas reshjeve të borës që përfshinë komunën gjatë natës, kompania e mirëmbajtjes së rrugëve ka nisur punën që në orët e hershme të mëngjesit për të siguruar qarkullim të rregullt dhe të sigurt.
Kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu, njoftoi për qytetarët se mirëmbajtja e rrugëve do të vijojë gjatë gjithë ditës.
“Pas reshjeve të mbrëmshme të borës, kompania e mirëmbajtjes është në terren që nga orët e hershme të mëngjesit dhe ka filluar pastrimin e rrugëve”, tha ai.
Aliu apeloi edhe tek qytetarët për kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në rrugë: “Ju bëjmë thirrje për kujdes të shtuar në rrugë, veçanërisht gjatë vozitjes, duke iu përshtatur kushteve atmosferike”.
Qytetarët u rikujtuan se puna e ekipeve të mirëmbajtjes do të vazhdojë me kapacitete të plota, për të minimizuar rreziqet dhe vështirësitë në qarkullim.
