Goditje e madhe e krimit ekonomik: Prokuroria dhe Policia në aksion, dalin emrat e të arrestuarve
39 persona janë arrestuar të enjten pas një aksioni të Prokurorisë Themelore në Prizren lidhur me dyshimet për keqpërdore në Byronë Kosovare të Sigurimit (BKS). Ndër të arrestuarit janë ish-drejtori ekzekutiv i BKS-së, Sami Mazreku dhe ish-drejtori i Departamentit të Financave në BKS-së, Valon Berisha, kurse vlera e dëmit të shkaktuar është mbi 1 milionë e 43 mijë euro.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu në një konferencë për media, tha se gjatë aksionit të sotëm policor që përfshiu shumë komuna të Kosovës, janë sekuestruar të holla kesh në vlerë prej 23 mijë e 700 euro, ndërsa është arritur që të bllokohen të hollat në vlerë prej 1 milionë 300 mijë e 886 euro.
Kryeziu njoftoi tha se aksioni i sotëm ka paraparë veprime hetimore nga marsi i vitit të kaluar 2025 dhe se për këtë rast kanë qenë të angazhuar dy prokurorë dhe vetë kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit.
Kryeziu jep detaje mbi aksionin e sotëm për keqpërdorime në BKS
“Ne sot kemi marr urdhëresat e gjykatës për bastisjen e shtëpive dhe lokacioneve e 47 personave në mesin e tyre një person juridik dhe mund të konfirmoj se këtij aksioni i ka paraprirë edhe aplikimi i masave të veçanta hetimore…Fjala është keqpërdorimet që janë bërë në Byron Kosovare të Sigurimeve, cak i hetimeve në mesin e hetimeve janë ish-drejtori ekzekutiv i BKS-së dhe ish-drejtorit i departamentit financiar të BKS-së të cilët duke keqpërdorur autorizitimet që i janë besuar nga BKS iu kanë mundësuar personave të ndryshëm përmes personave të ndryshëm dhe vetvetes që të bartin transaksione të ndryshme ku kanë arritur përfitime të mëdha për vete dhe i kanë shkaktuar dëme të mëdha Byros të Sigurimeve. Po ashtu, kanë keqpërdorur autorizimet ekonomike dhe kanë përpiluar dokumente të falsifikuara t cilat deri në këtë fazë kemi vlerësuar që ato dokumente të dyshuara faktikisht i kanë përdorur si të mirëqena dhe i kanë shkaktuar Byros Kosovare të Sigurimeve dëm në vlerë 1 milionë euro e 43 mijë euro”, deklaroi ai.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Petrit Kryeziu tha se janë siguruar 166 transaksione të dyshimta, në mesin e tyre 25 transaksione kanë të bëjnë me 12 persona.
Ai theksoi se aksioni i sotëm ka përfshirë 46 persona, prej tyre 39 janë arrestuar dhe ndaj tyre tashmë është lëshuar vendimi për ndalim.
Kryeziu: 39 persona janë arrestuar
“Ne kemi arritur të sigurojmë 166 transaksione të dyshimta në mesin e tyre 25 transaksione kanë të bëjnë me 12 persona, me të cilët kanë arritur ujdi fiktive jashtë gjyqësore kinse si përfaqësim si të autorizuar si përfaqësues të personave që më herët kanë pasur aksidente në komunikacion dhe i kanë kompenzuar në vitin 2022-2023 përderisa personat tjerë veçse kanë qenë të kompenzuar qysh në vitet e mëhershme 2016 deri në vitin 2017. Po ashtu, kanë aplikuar edhe 141 transaksione tjera tek persona të ndryshëm pa asnjë dokument të vetëm dhe kanë bartur shuma të ndryshe. Shuma më e vogël e transaksionit ka qenë 6800 euro, ndërsa më e larta ka qenë 68 mijë euro. Aksion të sotëm i kemi pas 46 persona fizik dhe ka përfunduar aksioni me 39 të arrestuar për të cilët Prokuroria ka lëshuar vendim për ndalim”, deklaroi ai.
Ky aksion i sotëm policor u zhvillua Prishtinë, Prizren, Mitrovicë, Pejë, Klinë, Rahovec, Obiliq, Gjilan, Ferizaj e deri në Dragash, u zhvillua ky aksion policor, i cili rezultoi me 39 persona të arrestuar prej 46 personave fizik që ishin në shënjestër.
Gjatë aksionit janë sekuestruar, 23 mijë e 700 euro para kesh, ari, aksesorë, orë dore, armë dhe pajisje elektronike të ndryshme, dhe janë bllokuar mbi 1.3 milion euro .
Kryeziu tregon se çka u sekuestrua nga aksioni i sotëm policor
“Nuk ka pas regjion që nuk ka pas bastisje dhe kontroll dhe arrestime në ditën e sotme lidhur me këto keqpërdorime. Vlen të theksohet se sa i përket sekuestrimeve kemi sekuestruar të holla kesh në vlerë prej 23 mijë e 700 euro, kemi sekuestruar ari aksesorë, orë dore të ndryshme, armë, pajisje elektronike dhe gjithashtu kemi pas bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me inteligjencën artificiale dhe kemi arritur që t’i bllokojmë të hollat në vlerë prej 1 milion 300 mijë e 886 euro”, deklaroi Kryeziu.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Petrit Kryeziu deklaroi se shtatë nga personat të dyshuar rezultojnë të jenë jashtë Kosovës, po që shtoi se hetimet ndaj tyre do të vazhdojnë.
Kryeziu: 7 persona janë jashtë Kosovës
“Kemi arritur t’i arrestojmë 39 persona dhe t’i ndalojmë të njëjtit, derisa 7 prej tyre në bazë të veprimeve hetimore dhe operative në terren rezultojnë q] janë jashtë Kosovës , mirëpo veprimet hetimore nuk do të ndalen edhe në drejtim të tyre dhe secili për veprimet që i kanë bërë dhe kundërligjmërinë që e kanë bërë do të përgjigjen para organeve të drejtësisë ..në mesin e të arrestuarve janë edhe ish-drejtori i BKS-së dhe ish-drejtori i financave…në këtë moment që po flasim shumica prej tyre janë duke u intervistuar në stacione policore”, u shpreh ai.
Në këtë aksion kanë qenë të përfshirë shtatë prokurorë, si dhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Petrit Kryeziu dhe gjithsej 400 zyrtarë policorë.
Fatmir Karaliti, shefi i sektorit të hetimeve në drejtorin e Krimeve Ekonomike në Prishtinë, operacionin e sotëm e konsideroi të suksesshëm përkundër kushteve të vështira atmosferike.
Karaliti tregon se sa zyrtarë policorë u angazhuan në aksionin e sotëm
“Operacioni është organizuar në shkallë vendi për shkak të shpërndarjes së personave të dyshuar, ky operacion ka përfshirë angazhimin e një numri të madh të zyrtarëve policor rreth 400 zyrtarë policor janë angazhuar. Edhe pse kemi pasur kushte meteorologjike jashtëzakonisht të vështira gjithçka ka funksionuar sipas planit dhe të gjithë zyrtarët policor i kanë kryer detyrat me sukses të lartë. Ky rast ka rezultuar me sukses të jashtëzakonshëm dhe ka dëshmuar bashkëpunimin shumë të ngushtë që ekziston mes Prokurorisë dhe Policisë“, deklaroi Karaliti.
E gjatë ditës së sotme Byroja Kosovare e Sigurimeve ka njoftuar se për rastin në fjalë organet hetimore janë njoftuar nga vetë si rezultat i konstatimeve të identifikuara në raportin e Auditimit të Brendshëm.
Këtë e konfirmoi edhe kryeprokurori i PTHZ-së, Petrit Kryeziu i cili tha se kallëzimi penal për rastin e sotëm është iniciuar nga disa anëtarë të Byros Kosovare të Sigurimeve.
